Nisin nga sot (24 nëntor) afatet për certifikim të subjekteve politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 28 dhjetor.
KQZ u ka lënë një afat 6 ditor javor, nga data 24 nëntor deri më 30 nëntor subjekteve politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për plotësimin online të formularit të aplikimit për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Duke filluar nga data 24 nëntor dhe deri më 30 nëntor, subjektet duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Formulari, i cili është i ngjashëm me të proceseve të kaluara zgjedhore, është i vendosur në platformën elektronike të KQZ-së dhe i njëjti duhet të plotësohet online”, deklaroi për RTK zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) kanë një afat 2-javor për dorëzimin e listave të tyre me emrat e kandidatëve për deputetë.
“Duke filluar nga 24 nëntori dhe deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike duhet të dorëzojnë në KQZ listën me emrat e kandidatëve për deputetë që kërkojnë të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme. Ky afat shënon një moment vendimtar në procesin zgjedhor, pasi pikërisht në këtë periudhë subjektet politike do të formalizojnë kandidatët për deputetë me të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet e funddhjetorit”, shtoi Elezi.
Gjithashtu, deri më 30 nëntor 2025 është afati edhe për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.
Më 20 nëntor, Presidentja Vjosa Osmani dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 28 dhjetor, pasi të dy kandidatët nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca nuk arritën të krijojnë qeverinë 9 muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.







