NGA EVARIST BEQIRI
Nga Londra, në vjeshtën e vitit 2025, fryu sërish një puhizë ere e vjetër me aromë të re. Samiti i fundit i Procesit të Berlinit tregoi se Ballkani Perëndimor është rikthyer në rendin e ditës të Fuqive të Mëdha. Por, kësaj here, jo si vatër krize, por si terren pjellor për zhvillim dhe bashkëpunim strategjik. Procesi i Berlinit, megjithëse mbetet platforma kryesore për integrimin rajonal, shpesh ka funksionuar si një mekanizëm burokratik më shumë se sa politik. Kjo qasje e përbashkët e Londrës dhe Uashingtonit është, në fakt, një korrigjim strategjik ndaj pasivitetit të Bashkimit Europian. Në prag të Samitit, dy dokumente u shfaqën si busulla të reja në rajon. Britanikët publikuan dokumentin strategjik “Restoring British Leadership in the Western Balkans”, ndërsa në Kongresin amerikan u paraqit projektligji “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”. Në pamje të parë, këto dy iniciativa duken të ndara, por në thelb ato shënojnë rikthimin e koordinuar të Londrës dhe Uashingtonit në zemër të Ballkanit. Britania, pas daljes nga Bashkimi Europian, po kërkon që të rigjejë rolin e saj tradicional si arbitër dhe ekulibrist i Europës Juglindore.
Me një diplomaci më elastike dhe me një gjuhë të qartë, sidomos kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ndikimit rus e kinez, Londra po kërkon të ndërtojë një prani institucionale përmes edukimit, projekteve të qeverisjes lokale dhe përfshirjes më të drejtpërdrejtë në sigurinë rajonale. SHBA e ka zhvendosur fokusin në politikën e mbështetjes së prosperitetit demokratik. Projektligji i paraqitur në Kongres parashikon nxitjen e investimeve amerikane, bashkëpunimin teknologjik, zhvillimin e tregtisë dhe krijimin e korridoreve të reja ekonomike që do ta lidhin rajonin me tregun euro-atlantik. Shtetet e Bashkuara kanë një strategji për prosperitetin demokratik e ekonomik të rajonit. Projektligji amerikan synon të rrisë investimet në energji, infrastrukturë, teknologji dhe bujqësi, duke ndërlidhur zhvillimin ekonomik me forcimin e institucioneve demokratike. SHBA po kërkon që ta ripozicionojë Ballkanin Perëndimor si një hallkë të sigurisë transatlantike, jo si një “zonë periferike e BE-së”. Nëse përgjatë shekullit XX, ndikimi amerikan në Ballkan u ndërtua mbi imponimin e paqes nëpërmjet ndërhyrjes ushtarake, shekulli XXI po e zhvendos atë drejt ndërtimit të prosperitetit ekonomik dhe institucioneve demokratike.
Në këtë kuptim, “Western Balkans Democracy and Prosperity Act” është një instrument strategjik. Ai është projekti më i rëndësishëm pas marrëveshjes së Dejtonit dhe ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, sepse shënon kalimin nga “stabiliteti” te “prosperiteti demokratik”. Në këtë peizazh të ri, Shqipëria ka një shans historik. Si një vend anëtar i NATO-s, aleate e ngushtë e SHBA-së dhe e Britanisë, Tirana mund të shndërrohet në nyjën lidhëse të projekteve të reja energjetike, digjitale dhe ekonomike në rajon. Nëse dekadën e fundit Shqipëria kërkoi integrim, sot ajo mund të bëhet model i demokracisë funksionale që tërheq investime dhe besim. Ky është ndryshimi thelbësor, nga pritës pasiv i ndihmës, në rolin e ofruesit të stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Pas tri dekadash përpjekjesh për “stabilitet”, Ballkani ndodhet në prag të një epoke të re. Epoka e prosperitetit euro-atlantik. Më shumë se çdo vend tjetër në rajon, Shqipëria ka mundësinë që të shfrytëzojë këtë momentum për të kaluar nga roli i “nxënësit të integrimit”, në atë të modelit të demokracisë funksionale në Ballkan. SHBA e sheh rajonin si një tërësi ekonomike.
Megjithatë, për SHBA-në dhe Britaninë, Shqipëria dhe Kosova janë dy partnerë strategjikë kyç, për projektet e sigurisë dhe diplomacisë rajonale. Iniciativat e fundit forcojnë boshtin Uashington-Londër-Tiranë-Prishtinë, që sot e gjithë ditën mbetet bërthama më properëndimore e Ballkanit. Gjithsesi, duhet pasur parasysh fakti që projektligji është paraqitur gjatë administratës “Trump” nga një nismë bipartizane në Dhomën e Përfaqësuesve, jo nga vetë ekzekutivi. Tregues ky që Kongresi kërkon të ruajë një angazhim të qëndrueshëm amerikan në Ballkan përmes investimeve, tregtisë dhe mbështetjes institucionale. Ndërkohë, administrata “Trump” e sheh rajonin përmes një lenteje më transaksionale, ku prioritetet janë siguria, energjia dhe ndikimi strategjik. Trump preferon marrëdhënie dypalëshe dhe marrëveshje të negociuara personalisht. Prandaj, ai mund të jetë pak skeptik ndaj një kornize të tillë ligjore që kufizon fleksibilitetin e tij. Kjo do të thotë se edhe pse ligji ka mbështetje dypartiake, administrata Trump mund që ta vonojë zbatimin e tij ose të kërkojë ndryshime që e orientojnë më shumë drejt tregtisë dhe energjisë, e më pak drejt reformave demokratike. Në fund të fundit, historia përsëritet me forma të reja. Dikur britanikët dhe amerikanët përcaktuan kufijtë politikë të Europës Juglindore.
Sot, ata po përpiqen që të vendosin kufijtë e rinj të prosperitetit dhe demokracisë në Ballkan. Sepse, stabiliteti politik pa rritje ekonomike është i përkohshëm. Në fillim të shekullit XX, ruajtja e ekuilibrit midis pan-gjermanizmit dhe pan-sllavizmit solli lindjen e shtetit shqiptar. Sot SHBA dhe Britania po rikthehen në Ballkan për të rivendosur balancën mes fuqive të reja, që kërkojnë horizonte të vjetra. Historia duket se po troket sërish në portat e Ballkanit.







