Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka lajmëruar një takim me mbështetësit e tij në qytetin e Shkodrës, me misionin politik për riorganizimin dhe fuqizimin e Partisë Demokratike përballë qeverisjes në këtë kohë të skandaleve të aferave korruptive.
Takimi është njoftuar për në orën 18:00 të mbrëmjes, ndërkohë që reagimet kanë qenë të shumta, veçanërisht edhe nga dega lokale e PD-së në Shkodër.
Me një mesazh të shpërndarë strukturave dhe mbështetësve të saj, dega lokale njofton se takimi i Salianjit organizohet nga Benet Beci, kryebashkiak i Shkodrës dhe se ky takim i shërben vetëm Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Theksohet se po spekulohet për këtë takim privat që nuk ka lidhje me PD, teksa edhe elementët kriminalë po mbështesin Salianjin me këtë tubim.
“Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky takim organizohet nga Benet Beci dhe falanga e tij dhe për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë”, thuhet mes të tjerash në mesazh.
PD është distancuar nga Salianji për këto takime, teksa më herët kryetari Sali Berisha ka deklaruar se “ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga PD” me këto lëvizje të fundit që po kryen jashtë strukturave partiake.
Njëkohësisht, Berisha dhe PD kanë njoftuar se po sot në orën 18:00 (e njëjta orë me takimin e Salianjit), do të mbajnë takimin e radhës të Foltores, me strukturat e partisë në qytetin e Korçës.
Mesazhi i degës së PD Shkodër:
“I dashur anëtar i PD Shkodër.
Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky takim organizohet nga Benet Beci dhe falanga e tij dhe për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë.
Dega e PD Shkodër ju bën thirrje ju, si anëtarë të degës, të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat axhendës së Edi Ramës”.
Nga Shkodra, ku mbajti takimin e radhës me bazën demokrate, Ervin Salianji iu përgjigj tentativave të kreut të PD Sali Berisha për të “sfumuar” lëvizjen e tij.
Salianji nxori mesazhin që drejtuesit e PD i drejtuan më herët demokratëve shkodranë, në të cilin thuhej se takimin i ish deputetit organizohej nga Benet Beci, kryebashkiaku socialist i qytetit verior. Ai ironizoi teksa tha se drejtuesit e PD-së nuk bëjnë thirrje kundër qeverisë, por kundër njëri-tjetrit brenda partisë. Por, ish deputeti, shtoi se “kolltukofagët”, siç iu referua ai atyre që e kanë sulmuar, e kanë të kotë dhe nuk do ta mundin.
“Ky mesazh që vjen në emër të PD dhe që bën thirrje që takimet organizohen në rastin e Shkodrës nga Benet Beci, në raste të tjera nga grupe kriminale nga një numër që paguhet nga PD, edhe nga ju dhe ne. SMS më fundit është më 19 mars. Nuk iu kanë uruar as për krishtlindje, as Bajram, as për ndonjë sms kundër qeverisë, as për protesta por ju bëjnë thirrje që të mos takohemi me njëri-tjetrin. Shpenzojnë para por e kanë kot kolltukofagët që duan dhe i janë qepur kolltuqeve dhe karrigeve për t’i mbajtur me forcë, sepse siç po e shihni nuk po ia dalin dhe nuk do t’ja dalin dot.”, tha Salianji.
Një përgjigje pati për akuzën se takimin ia ka organizuar Benet Beci, duke kujtuar se ai ka qenë drejtor i emëruar në kohën kur qeveriste PD, ndërsa sot është kryebashkiak i PS.
“Benet Beci nuk ka qenë drejtor i emëruar prej meje, por ish drejtor i emëruar prej drejtuesve të PD dhe i mbajtur me pekule e gjak në institucionet më të rëndësishme. Këtë jemi duke thënë në çdo cep, anë e qytet që gabimet që ka bërë PD, kanë bërë që PD të jetë në këtë gjendje që është për shkak të emërimeve të padrejta, mospromovimit të drejtuesve të partisë, por për shkak të emërimeve nepotike dhe lidhjeve familjare, si është rasti i pandehurit Benet Beci, që nga drejtor i PD sot është kryebashkiak i PS dhe pak guxojnë që ta përmendin.”, shtoi Salianji.
Bëri të qartë se nuk do të tërhiqet nga lëvizja e tij dhe se nuk mund t’i ushtrojnë presion. Thumboi gjithashtu teksa tha se “shumica e njerëzve që përballë regjimit sillen si lepurusha dhe përballë demokratëve duan që tregohen sikur janë tigra.”
“Iu njohin demokratët e gjithë qytetit për shkak se shihemi nëpër aktivitete protesta. Por rrogëtarët e PD nuk iu njohin, nuk duan të shohin sallat plot, që mbushen jo vetëm prej meje, por prej pakënaqësisë që ka çdo demokrat, dhe meritën që i takon dhe rregullat e lojës që i kërkon të përcaktuara dhe të shkruara në statut, merren edhe hidhen në kosh të plehrave. E dini që kolltukovagët të fiksuar pas karriges mendojnë se na bëjnë presion, ju bëjnë presion, duke thënë 1 mijë çudira siç keni parë nëpër mesazhe.
Personalisht presionin nuk e njoh. Nuk më bën dot presion as njerëz shumë më të rëndësishëm se këta. Nuk më ka bërë presion as Edi Rama duke u përballur edhe në burg. Shumica e njerëzve që përballë regjimit sillen si lepurusha dhe përballë demokratëve duan tqë tregohen sikur janë tigra, e kanë gabim. Nuk të bën rroga e privilegji. Të bën vota, përballja sakrifica, qëndresa, të dëgjuarit e shqetësimeve të demokratëve. Më tha shumë bukur një mik: “Më mirë disa beteja edhe nëse humbin të humben me miq sesa të fitohen me të paburra.” u shpreh Salianji.







