Shqipëria do të ketë këtë vit dy sfida shumë të rëndësishme, sfida këto që mund të fusin kuqezinjtë në librin e artë të futbollit botëror, pasi Kombëtarja shqiptare ka shansin të marrë pjesë për herë të parë në Kupën e Botës. Një arritje e tillë, mund të jetë shansi për shënuar kështu një moment historik për futbollin shqiptar.
Në mars të këtij viti, skuadra jonë do të përballet fillimisht me Poloninë, një kundërshtar i fortë dhe që Shqipëria e njeh mirë dhe në rast të një fitoreje, kuqezinjtë do të luajnë finalen me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi, në një rrugëtim të vështirë për Kombëtaren. Përveç rëndësisë së ndeshjes për skuadrën shqiptare, kjo sfidë ka një rëndësi në aspektin personal edhe për trajnerin Silvinjo, i cili me Poloninë ka një histori që mund të quhet si simbolike. Kjo histori nis që nga debutimi i tij si trajner i kuqezinjve, vijon me kualifikimin e skuadrës në Europian dhe përshkon ndeshjet e marsit, ku rezultatet e arritura dhe performanca e lojtarëve nuk kanë qenë vetëm për statistika, por kanë vendosur bazat për ëndrrën e madhe të Kombëtares shqiptare. Për Silvinjon, sfida ndaj Polonisë nuk është thjesht një ndeshje, por edhe një mundësi për të vendosur vlerën e tij historike në krye të pankinës kuqezi.
DEBUTIMI – Më 27 mars 2023, Shqipëria përballej me Poloninë në kualifikueset e Euro 2024 në “Stadion Narodowy” të Varshavës. Takimi përfundoi me një fitore minimale të polakëve, 1–0, falë golit të Karol Sviderski në minutën e 41 të. Megjithatë, kuqezinjtë u përpoqën deri në fund të ndeshjes për të barazuar rezultatin. Edhe pse rezultati nuk u ndryshua deri në fund, kjo ndeshje, përtej humbjes minimale, ishte një pikë kthese për Kombëtaren shqiptare. Lojtarë si Jasir Asani dhanë sinjale pozitive, duke treguar cilësi, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës tregoi se kishte potencial për të konkurruar me ekipet më të forta të Europës. Në Varshavë, kuqezinjtë treguan se mund të jenë të papritur dhe se nuk janë thjesht një skuadër që luan për statistika e në fakt, ndeshje pas ndeshje kjo u vërtetua.
KUALIFIKIMI – Shqipëria gjendej në një grup të vështirë, dhe shumë specialistë e konsideronin atë si forcë e tretë pas Polonisë dhe Çekisë. Megjithatë, kuqezinjtë shkruan histori, duke u kualifikuar për herë të parë në Europian si vendi i parë në grup, një arritje që reflekton punën dhe përkushtimin e trajnerit Silvinjo dhe stafit të tij teknik. Për të arritur këtë rezultat, ishte e nevojshme të fitoheshin ndeshje kyçe në Tiranë, veçanërisht ndaj Polonisë dhe Çekisë, ku skuadra shfrytëzoi maksimalisht mundësitë dhe duke përfituar nga momentet vendimtare të lojës. Vetëm disa muaj më vonë, më 10 shtator 2023, Kombëtarja shqiptare arriti një fitore të rëndësishme 2–0 ndaj Polonisë, duke konfirmuar se përmirësimi i ekipit nuk ishte rastësi dhe se kuqezinjtë kishin arritur të rrinin të fortë edhe ndaj rivalëve të mëdhenj e duke treguar se Shqipëria nuk duhet të nënvlerësohet, sidomos kur bëhet fjalë për “ëndrra”.
PLAY OFF – Tani, në prag të ndeshjes së Play-Off-it për Kupën e Botës 2026, shorti e ka vendosur sërish Shqipërinë përballë Polonisë. Ky duel mund të jetë vendimtar për fatet e Kombëtares kuqezi në rrugëtimin drejt “ëndrrës amerikane”. Polonia vjen në këtë takim si favorite për shkak të cilësisë së lojtarëve dhe historikut më të fortë në duele direkte, por për Shqipërinë, fakti që ka arritur në këtë fazë konsiderohet një arritje e madhe, e cila tregon progresin dhe përmirësimin e skuadrës nën drejtimin e Silvinjos. Tani, Silvinjo e di që për të realizuar ëndrrën e tifozëve shqiptarë, dhe për aspektin personal, që të jetë i vetmi trajner brazilian në Kupën e Botës, duhet të mundë Poloninë në këtë duel vendimtar.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL







