Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci
Është kënaqësi të vlerësohet një monografi që mban në vete një galeri të tërë paraqitjesh të ndryshme kostumografike, e që të duket si një muze veshjesh popullore të masave të gjëra dhe të shtresave të ndryshme. Realisht përveç vlerës artistike, libri paraqet pasuri më vete me gamë strukturore sa pikturore aq edhe etnografike e shkencore të antropologjisë kulturore. Fondi nga galeritë apo muzetë i përfshirë në këtë libër, dëshmojnë për kohën e për artefakte të një tematike me shumë interes, përkatësisht për pikturën dhe për veshjen apo kostumografinë njëkohësisht. Dihet se piktori Kolë Idromeno paraqitet si i pari piktor i historisë së pikturës moderne shqiptare, i cili me cilësitë e tij të shumanshme arrin që në pikturat e veta të paraqesë bukurinë e pasurinë e veshjeve të traditës shqiptare, saktësisht veshjet popullore të Veriut të Shqipërisë, sipas shtresave të ndryshme shoqërore të kohës së atëhershme. Ndërsa autorja Toçila arrin të na ofrojë një libër me shumë analiza për pikturën, për kostumografinë dhe për etnografinë.
Libri “Idromeno – Kostumografia” shquhet për analiza të denja për tematikën e veshjeve popullore gjerësisht, jep përshkrimin e tipave të ndryshme të veshjeve me veçantitë e tyre, përdallon strukturën e tyre, por edhe detajet e caktuara të vogla ose të mëdha kostumografike. Natyrisht që ky realitet i jep librit një shije të veçantë. Autorja Toçila me të drejtë vëren se Idromeno duke dashur të shpjegojë detajet brenda tematikës veshje popullore, herë-herë përfshin edhe pasqyrimin e shpjegimin e zakoneve të caktuara të popullatës të trajtuara në krijimtarinë e tij. Në këtë mënyrë arrihet të paraqitet e të shtrohet një tablo ndryshe nga paraqitjet etnografike të deritanishme. Është mjaft interesante të lexohet dhe të kuptohet etnografia dhe historia e artit përmes veprave të realizuara nga Idromeno, e që i bën të flasin, i bën të kuptueshme me profesionalizëm për publikun, por edhe për profesionistët e fushave të caktuara, pikërisht autorja Toçila.
Artisti Idromeno ka realizuar piktura me paraqitje kostumore të krahinave të ndryshme etnogjeografike të veriut të Shqipërisë, e që i përkasin fundit të shekullit XIX, qoftë të qytetit të Shkodrës, të fshatrave apo më gjerësisht të malësisë së Shkodrës. Ndërsa, Merita Toçila duke iu referuar Degrandit edhe një herë përdallon-potencon, prirjen e Kolë Idromenos ndaj veshjeve, ndryshe kostumeve të kohës, duke dhënë vërtetësinë absolute të paraqitjes së tyre.
Në aspektin e metodologjisë së punës, të teorive e të mbështetjes me literaturë, shihet fare qartë se autorja ruan gjithnjë tonin akademik, të lexueshëm e të kuptueshëm thuajse për çdo të interesuar. Ajo zhvillon argumentet e veta me lehtësi narrative dhe shkencore, duke marrë në shqyrtim shembuj të bindshëm etnografikë e krahasimorë dhe duke i elaboruar edhe teorikisht aty ku shfaqet nevoja.
Po të dëshirojmë të numërojmë kostumet-veshjet popullore (pra termi i përgjithësuar si veshje kombëtare mbetet për raste të tjera), atëherë themi se është paraqitur me shumë origjinalitet tipologjia e veshjeve të caktuara, siç janë veshja me tirq e burrave malësorë e dekoruar dendur me spik (gajtan) të zi. Është e njohur se zhguni (ndryshe shajaku) i tirqve dhe pëlhura e këmishës në veshjen e malësorit, janë të rrahura në dërstilë, pastaj të punuara dy ose katër liq, ndërsa pëlhura e pambuktë e endur në mënyrë artizanale në vek (ose vegje), janë të prera e të qepura, sipas Toçilës të montuara, në pjesë që i përgjigjeshin plastikës njerëzore, vërtet modelonin një trup të rregullt atleti. Më tutje sillet veshja e Mirditës, veshja e bukur e Zadrimës ose xhubleta e kuqe si veshje karakteristike e malësoreve. Përshkrimi e historianes së artit, por edhe ai etnografik e i antropologjik shfaqet aq mirë i kombinuar, saqë i jep librit shije të veçantë në ndërthurjen mes historisë së artit dhe antropologjisë së kulturës.
Meritë e autores Toçila është se ajo në analizat e veta përdallon dhe materialet e përdorura, por jo rrallë edhe shtrenjtësinë e tyre, çfarë pasqyron shtresimet shoqërore të veshjeve të kohës. Është për të theksuar se në këto piktura nuk mbeten mënjanë as prodhimet-artefaktet e artizanale. Piktori i sjell në mënyrë autentike imazhet me veshje të caktuara, por edhe syri i mprehtë i studiueses Toçila me shumë profesionalizëm dallon të vjetrën dhe të renë brenda strukturës së veshjeve. Nga këtu përdallon depërtimin e elementeve kapitaliste tekstilore në veshjet e qytetit të Shkodrës, ku dalëngadalë zë vend veshja e quajtur “alla frënga”, ndryshe evropiane. Natyrisht modernitetit nuk mund t’i largohet askush dhe as kultura jonë shqiptare (materiale ose shpirtërore) dhe kjo domosdo solli risi e pasoja edhe në veshjet popullore. Kolë Idromeno pikturon personazhet dhe ngjarjet e ndryshme nxitur nga zhvillimet e reja, ndërsa autorja Toçila përveçon me kompetencë çfarë i dallonte ato. Kolë Idromeno në fund të shekullit XIX solli veprat e para të pikturës realiste, ndërsa autorja Toçila analizoi me profesionalizëm gjendjen dhe ecurinë e veshjeve shqiptare të periudhës së fundit të shekullit XIX, mbi bazë të pikturave të tij.
Në përfundim them se libri i autores Merita Toçila jep një kontribut me vlerë për studimet ndërdisiplinore shqiptare. Ajo me kompetencë dhe shkencërisht bashkon qasjen e historisë së artit dhe të antropologjisë së kulturës. Literatura e gjerë e konsultuar për këtë libër vjen nga fusha të ndryshme disiplinore. Natyrisht se një qasje dhe vizion i tillë i ka mundësuar një analizë të qëndrueshme shkencore. Autorja Toçila arrin që vizionin artistik të Kolë Idromenos ta shohë si një burim të rëndësishëm të dokumentimit etnografik dhe gjerësisht të kulturës së veshjes të një periudhe të caktuar kohore, të trevave të caktuara shqiptare. Libri “Idromeno – Kostumografia” mund të shërbejë si model për studimet e ardhshme në aspektin e ndërthurjes së artit me etnologjinë, përkatësisht antropologjinë e kulturës. Ai mban në vete vlera shkencore dhe përfaqëson një kontribut të rëndësishëm për historinë e artit dhe për etnologjinë shqiptare, por edhe më gjerë.







