HomeKultureSot promovimi në Cosenza, shkrimtari Ahmet Prençi dje pati intervistë në gazeta...

Sot promovimi në Cosenza, shkrimtari Ahmet Prençi dje pati intervistë në gazeta italiane L’ Altravoce

Advertismentspot_img

Gazeta italiane “ L’ Altravoce” ka realizuar nje interviste mbi romanin tim te botuar nga “Rubbetino Editore. NE kete interviste z.Prençi flet per personazhin Marti Guri, si protagonist absolut në këtë roman të ri. Si e keni ndërtuar këtë personazh. Shkrimtari Prençi ndër të tjera flet edhe për marrdhëniet Shqipëri-Itali, janë dy vende shumë të afërta, jo vetëm gjeografikisht, cilat jane elementë të përbashkëta dhe cilat jane dallimet mes këtyre dy realiteteve?

Pyetje 1. “Martin Guri rikthehet si protagonist absolut në këtë roman të ri. Si e keni ndërtuar këtë personazh? A bazohet ai në përvojën tuaj në polici, apo është një ndërtim krejtësisht imagjinar?”

Pergjigje:
Martin Guri rikthehet si një vazhdimësi e natyrshme narrative, si një figurë që e kërkonte vetë rrëfimin e saj të plotë. Fabula kryesore që përshkon romanin është ndërtim letrar, produkt i imagjinatës, por materiali që e mbush dhe e gjallëron atë, përbëhet nga episode reale, të përjetuara, të vëzhguara nga afër dhe të transformuara në letërsi.

Përvoja ime personale, pa dyshim, ka ndikuar thelbësisht në atmosferën e romanit dhe në dinamikën e ngjarjeve. Bota e policisë, tensionet morale, dilemat njerëzore dhe përplasjet me realitetin janë pjesë e një kujtese profesionale që padyshim ka lënë gjurmë në këtë rrëfim. Madje edhe episodet e fëmijërisë së Martin Gurit janë krejtësisht të vërteta që ose i kam jetuar vetë, ose kam qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i atij realiteti.

Në këtë kuptim, Martin Guri është një personazh i ndërtuar në kufirin mes reales dhe imagjinares, një figurë letrare që mbart brenda vetes fragmente jete, kujtese dhe përvoje, të shndërruara në narrativë artistike.

Pyetja 2. “Në roman, konflikti i vërtetë nuk është mes Martinit dhe sistemit kriminal, por mes Martinit dhe Arjanës, pra mes integritetit profesional dhe një të vërtete personale të varrosur prej tridhjetë vitesh. Pse keni zgjedhur të vini në qendër të romanit një konflikt kaq intim të ndërgjegjes, dhe jo një përplasje pushteti?”

Pergjigje:
Kjo ka qenë një zgjedhje e qëllimshme që në fillim të shkrimit. Duke vendosur në qendër një konflikt intim të ndërgjegjes, kam synuar që të dalë në pah, ndoshta edhe më qartë, konflikti më i gjerë shoqëror. Brenga personale dhe e vërteta e varrosur prej tridhjetë vitesh e mundojnë thellë Martin Gurin, e vendosin përballë dilemave morale të forta dhe e detyrojnë të ballafaqohet me veten përpara se të përballet me botën përreth.

Por ky konflikt personal nuk mbetet i izoluar. Ngjarjet që e lidhin Martin Gurin me karrierën e tij, me dosjet hetimore, me misionin dhe përgjegjësinë e shërbimit publik, e shtrijnë rrëfimin përtej intimes, duke e futur personazhin në përplasje gjithnjë e më të mëdha. Ai përfshihet në labirintet e krimit dhe të pushtetit, aty ku interesat, frika dhe kompromisi ndërthuren në mënyrë të padukshme, por vendimtare.

Në këtë mënyrë, romani përpiqet të japë edhe një panoramë më të gjerë të realitetit shqiptar: si funksionojnë dhe organizohen grupet kriminale, si lidhen ato me pushtetin dhe me investimet e ndërtuara mbi veprimtari kriminale, dhe si sistemi shpesh arrin të mbijetojë pikërisht falë heshtjes dhe indiferencës kolektive.

Fundi i romanit mbart një mesazh të hidhur. Mënyra se si shpërblehet ndershmëria e një shërbëtori të ligjit. Heshtja e shoqërisë, në këtë kontekst, nuk është neutrale, ajo e kthen shoqërinë në bashkëfajtore të gjendjes së krijuar. Përplasja më e drejtpërdrejtë me pushtetin, ndoshta edhe më brutale, është një rrëfim që vazhdon në romanin pasues, tashmë i përfunduar, si vazhdim i natyrshëm i kësaj historie, pra si vazhdim i këtij romani. Në romanin e ardhshëm do shohim një përplasje më të dukshme dhe me aktuale për Shqiprinë.

Pyetja 3.  “Arjana mbërrin me një të vërtetë të fshirë për tridhjetë vjet. Në letërsinë bashkëkohore shqiptare, tema e kujtesës së mohuar — e lidhur me periudhën komuniste, luftën civile, trafikun e drogës — është e përsëritur. A është kjo zgjedhje në roman një reflektim më i gjerë mbi kujtesat kolektive të mohuara të Shqipërisë?”

Përgjigje: Besoj se asgjë nuk e realizon dhe nuk e ruan kujtesën e një kohe më mirë se letërsia. Ajo ka aftësinë unike të shndërrojë faktin në përjetim dhe ngjarjen në kujtesë të gjallë. Letërsia shqiptare ka autorë shumë të mirë dhe vepra të rëndësishme që kanë trajtuar me dinjitet periudha të vështira të historisë sonë. Si lexues dhe pasionant i letërsisë, kam një respekt të madh për këtë traditë.

Por duke qenë se jeta ime profesionale ka qenë e lidhur ngushtë me institucionet ligjzbatuese, kam ndjerë nevojën të shkruaj pikërisht për këto tema, për territoret ku ligji, krimi, heshtja dhe kompromisi përplasen çdo ditë. E vazhdoj këtë rrugë me intensitet të lartë edhe sot, sepse besoj se e vërteta e ngjarjeve që kam përjetuar nuk duhet të flejë. E konsideroj një detyrë personale që kjo memorie të mos mbetet private, por të bëhet pjesë e ndërgjegjes së brezave që do të vijnë.

Në Shqipëri nuk janë të shumtë ata që i prekin drejtpërdrejt këto tema, ndoshta edhe për shkak të vështirësisë apo rrezikut që ato mbartin. Në këtë kuptim, mund të them se jam i favorizuar nga përvoja ime, e cila më ka dhënë akses në realitete që shpesh mbeten të padukshme për letërsinë. Sfida ime ka qenë dhe mbetet që sa të mundem të mos përsëris gjëra të trajtuara më parë, por të sjell të vërteta që, ndonëse reale, shpesh e tejkalojnë çdo imagjinatë letrare, veçanërisht në fushën e kriminalitetit gjatë këtij tranzicioni të gjatë shqiptar.

Ky raport mes kujtesës së mohuar, realitetit të përjetuar dhe shndërrimit të tyre në letërsi, mendoj se është dhe do të mbetet thelbi i shkrimit tim.

Pyetja 4. “Mjedisi ku zhvillohet romani është një qytet i përshkruar si ‘i mbytur nga dimri dhe korrupsioni’. Ndihet se nuk është thjesht sfond, por ka një thelb të vetin, thuajse si protagonist. Sa e pranishme janë Tirana dhe Shqipëria e sotme në roman?”

Pergjigje:
Në roman, Shqipëria dhe Tirana janë të pranishme në mënyrë krejt origjinale. Ato nuk janë thjesht një sfond ku ndodhin ngjarjet, por një hapësirë e gjallë narrative, që merr frymë, rëndon dhe ushtron presion mbi personazhet. Metaforat që përshkojnë rrëfimin janë të qëllimshme dhe të lexueshme. Ato synojnë të shprehin atmosferën mbytëse që prodhojnë ngjarjet dhe realiteti shoqëror në vendin tim.

Qyteti i “mbytur nga dimri dhe korrupsioni” është, në thelb, një pasqyrë e një gjendjeje morale dhe shoqërore. Dimri nuk është vetëm stinë, as korrupsioni vetëm fenomen. Të dyja shndërrohen në gjuhë narrative për të përçuar një ndjesi ngërçi, lodhjeje dhe pritjeje të pafund. Edhe pse kjo atmosferë mund të duket e errët apo dëshpëruese, ajo është e qëllimshme. Kam dashur të tregoj se si ky realitet injekton ndjesi, frikë dhe zhgënjim në jetën e përditshme të individit.

Në këtë kuptim, Tirana dhe Shqipëria e sotme janë të pranishme jo vetëm gjeografikisht, por emocionalisht dhe moralisht, si një protagonist i heshtur që ndikon, kufizon dhe shpesh përcakton fatet e personazheve.

Pyetja 5.
“Ju shkruani në regjistrin noir. Janë të shumtë shkrimtarët që përdorin noir-in për të rrëfyer realitetin: Don Winslow, James Ellroy, në Itali Carofiglio dhe Lucarelli, në Amerikën Latine Paco Ignacio Taibo II. Cili është magjepsja e këtij zhanri për ju?”

Pergjigje: Magjepsja ime me noir-in vjen para së gjithash nga ndjesia e së vërtetës. Është një e vërtetë që të shtyn dhe të detyron të shkruash, jo vetëm si autor, por edhe si qytetar që duhet ta pranojë se, si shoqëri, nuk kemi bërë sa duhet. Nuk kemi sjellë gjithmonë dritën dhe entuziazmin e nevojshëm me kontributin tonë, dhe kjo mungesë reflektohet natyrshëm në tonin e shkrimit tim.

Për mua, letërsia është më shumë dhimbje dhe shqetësim sesa lumturi dhe qetësi. Unë shkruaj për ato gjëra që më dhembin më shumë, që më godasin drejtpërdrejt në zemër. Noir-i më jep gjuhën e duhur për ta përballuar dhe përshkruar këtë realitet, sepse është një zhanër që nuk zbukuron, nuk fal dhe nuk shmang përgjegjësinë morale. Ne, në fund të fundit, jemi shpesh vetëm dëshmitarë, ose aktorë periferikë të asaj që ndodh. Kambanat nuk bien për ne, por për ata që kanë në dorë fatet e vendit.

Autorët që përmendët, secili me zërin e vet të fuqishëm, kanë pasqyruar realitete të errëta të vendeve të tyre, duke u përqendruar jo thjesht te krimi, por te drejtësia, dhuna, padrejtësia sociale, ndërgjegjja morale dhe errësira e pushtetit politik. Ata janë të ashpër sepse realiteti që rrëfejnë është i tillë. Edhe për mua, qëllimi nuk është thjesht të tregoj krime, por të nxis mendimin. Të mendojmë thellë, pa iluzione, për atë që jemi dhe për atë që po bëhemi si shoqëri.

Pyetja 6. “Në kontekstin e punës suaj në polici, keni zhvilluar një aftësi të jashtëzakonshme për të vëzhguar sjelljen njerëzore, mekanizmat e pushtetit dhe psikologjinë e fajit. A është shkrimi vazhdim i hetimit tuaj, por në një formë tjetër?”

Pergjigje:
Sot jam në një proces tjetër. Prej vitesh nuk ushtroj më punën alarmante dhe të përditshme të policisë. Jam më i qetë dhe kam më shumë kohë në dispozicion për letërsinë. Kjo më ka çuar natyrshëm në një fazë meditative dhe reflektuese, ku distanca nga ngjarjet më lejon t’i shoh ato me një qartësi tjetër.

Procesi letrar, për mua, është një betejë e vazhdueshme me veten dhe me fenomenet që trajtoj. Rikthehem shpesh te shënimet e mia, të mbajtura ndër vite, dhe i rilexoj me qetësi situatat, rreziqet, tensionet, por edhe gjithë panoramën e shtigjeve ku kemi ecur si individë dhe si shoqëri. Në këtë kontekst, qetësia ime e jashtme dhe imagjinata letrare kryejnë ciklin e tyre të pandërprerë për të ndërtuar përshkrime psikologjike dhe për të sjellë në letër luftërat e padukshme që zhvillohen në terrenin kriminal, shoqëror, dhe pse jo, edhe politik.

Për t’iu kthyer pyetjes suaj. Po, shkrimi është një vazhdim i asaj rruge, por në një formë tjetër. Nuk është më hetim procedural, por hetim i ndërgjegjes. Është një çlirim personal dhe një mënyrë për t’i dhënë kuptim asaj që kam përjetuar dhe rrugëtimit që kam bërë.

Pyetja 7.
“Italia dhe Shqipëria janë dy vende shumë të afërta, jo vetëm gjeografikisht. Cilat elemente të përbashkëta dhe cilat dallime shihni mes këtyre dy realiteteve?”

Pergjigje:

Italia dhe Shqipëria janë dy vende shumë më të afërta sesa e tregon thjesht harta. Mjafton të thuhet se afërsisht një e treta e popullsisë së Shqipërisë jeton sot në Itali. Këta shqiptarë janë integruar dhe janë bërë pjesë organike e shoqërisë italiane gjatë këtyre tridhjetë viteve. Pa harruar këtu komunitetin e lashtë arbëresh, të vendosur në Itali që prej shekullit XV, i cili përfaqëson një urë historike dhe kulturore të pazëvendësueshme mes dy vendeve.

Lidhja mes Shqipërisë dhe Italisë është, në shumë aspekte, më integrale se me çdo vend tjetër. Në Shqipëri, televizioni italian, kinematografia, sporti, letërsia, kultura dhe vetë gjuha italiane kanë qenë dhe mbeten jashtëzakonisht të pranishme. Këto janë fusha që na kanë afruar natyrshëm, që kanë ndërtuar një ndjesi familjariteti dhe një ngjashmëri kulturore të rrallë në rajon.

Dallimet, megjithatë, janë po aq reale dhe lidhen para së gjithash me historinë dhe përmasat. Italia është një vend i madh, me një traditë shtetformuese dhe kulturore shumë shekullore. Shqipëria, përkundrazi, doli nga sundimi osman vetëm rreth një shekull më parë dhe më pas përjetoi pesëdhjetë vite terrori komunist, për të hyrë më pas në një tranzicion të gjatë dhe të vështirë që ende vazhdon. Këto rrugë historike të ndryshme e shpjegojnë hendekun në zhvillim, institucione dhe stabilitet shoqëror.

Megjithatë, duhet thënë se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në shumë fusha dhe është në një proces të vazhdueshëm transformimi. Ende ka probleme për t’u kapërcyer, por ekziston edhe një vetëdije në rritje për nevojën e ndryshimit. Në këtë kuptim, Italia mbetet jo vetëm një vend mik, por edhe një pikë referimi, kulturore, shoqërore dhe njerëzore, për rrugën që Shqipëria synon të ndjekë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular