Zbardhen detaje të reja në lidhje me aksidentin tragjik në zonën e Ish Kënetës në Durrës, ku Nikoll Radaçi, në gjendje të dehur përplasi për vdekje dy fëmijë teksa po luanin në trotuar.
Në dosjen që disponon gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Radaçi, pas aksidentit, është larguar nga vendi i aksidentit, ku jo vetëm që nuk u dha ndihmën fëmijëve, por është konstatuar nga shërbimet e policisë në rrugën “Petrit Llaftiu”, i cili u ka thënë se jam unë ai që kam bërë aksidentin dhe është shoqëruar për tek vendi i ngjarjes.
Ai ka deklaruar se rreth orës 14:00 ka dalë nga shtëpia bashkë me mjetin me targa AB 909 PC për të marrë një vegël pune tek një shoku i tij.
“Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë, papritur në rrugicë lagjeje doli një automjet, unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. Pasi hipa mbi trotuar, jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin mbi trotuar. Automjeti që unë drejtoja nuk ka arritur të ndalojë dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë punonjësve të dyqanit, u kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani deri sa erdhi policia dhe më mori për në komisariat”, ka dëshmuar ai.







