Përfaqësuesit e opozitës kanë bojkotuar për herë të katërt pjesëmarrjen në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale
“I kemi dhënë të gjitha garancitë opozitës për të qenë pjesë e komisionit. U humbën dy muaj që mund të kishim produkt.
I kemi kërkuar Parlamentit javën e kaluar të ndryshojmë mënyrën se si është formuar komisioni, duke shtuar një anëtar nga mazhoranca për të krijuar një mekanizëm zhbllokues
Kjo nuk do të thotë që opozita të mos jetë, do të ketë tetë anëtarët e saj. Ndërkohë, do të fillojmë të punojmë për këtë proces“-tha bashkëkryetari Arbjan Mazniku.
Sot ishte afati i fundit që maxhoranca i dha PD për t’u kthyer në komision, ndryshe do të ndryshonte formulën e përbërjes, që pritet të kalojë në seancën plenare të së martës.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Partisë Demokratike, ka pasur debate të ashpra nëse PD do të duhet të bojkotojë Komisionin për reformën territoriale dhe atë për reformën zgjedhore.
Deputetët demokratë Bujar Leskaj, Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu dhe Arjan Ndoja kanë dalë kundër bojkotit.
Pas kësaj, Berisha u ka thënë gjashtë deputetëve demokratë se është Kryesia e PD-së ajo që do të vendosë për pjesëmarrje ose jo në Komisionin për reformën territoriale.
Ndërkaq, nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi, në një deklaratë për mediet u shpreh se opozita nuk bashkëpunon me Ramën. Boçi deklaroi se PD do të jetë e pranishme në Komisione.
“Nuk bashkëpunojmë me Ramën në nivele të tilla të larta, që konsiderohen si bashkëpunime politike. Më i rëndësishëm se ky Komision, është Këshilli i Mandateve dhe Rregullores, që është i dështuar, sepse mazhoranca e ka bojkotuar. PD do të jetë pjesë e komisionit të reformës zgjedhore. Mbledhja e Komisionit të reformës territoriale konsiderohet nul sepse nuk ka kourum se nuk ishim ne të pranishëm e prandaj Komisioni nuk ka vendime. Ne dëgjojmë edhe problemet e qytetarëve. Nëse PS do sillet në mënyrë arbitrare, ne nuk marrim pjesë në Komision që ndërtohet ditën nga ata e prishet natën. Do ketë reagim dhe ky reagim do jetë i fortë. Të dy Komisionet janë të ndërlidhura, pra janë komisione të posaçme, pasi nuk ka marrëveshje me Ramën”, deklaroi Boçi.







