HomeEkonomiMjaftueshmëria e kapitalit e sektorit bankar arriti nivelin më të lartë historik...

Mjaftueshmëria e kapitalit e sektorit bankar arriti nivelin më të lartë historik në fund të 2025

Advertismentspot_img

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar u rrit përsëri gjatë vitit 2025 dhe arriti nivelin më të lartë historik.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të dhjetorit ky tregues u rrit në 20.36%, nga 19.82% që kishte qenë një vit më parë.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve, të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut. Gjatë tremujorit të tretë, rritja e këtij treguesi ka ardhur njëkohësisht nga shtimi i kapitalit rregullator të sektorit dhe nga ulja e vlerës së aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku.

Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar në fund të dhjetorit 2025 arriti në 232.2 miliardë lekë, në rritje me 12.1% krahasuar me një vit më parë. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksionar, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara. Kontributin kryesor në rritjen e kapitalit rregullator në vitet e fundit e ka dhënë performanca e mirë financiare dhe zgjerimi i fitimit të sektorit.

Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të vitit 2025 arriti në 1140 miliardë lekë, në rritje me 9.1% me bazë vjetore.

Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave janë kreditë për sektorin privat. Rritja e vlerës së aktiveve të ponderuara me rrezik në thelb është e lidhur me vazhdimin e rritjes me ritme të larta të kredisë për ekonominë.

Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%, por pas vitit 2019 ka nisur aplikimi i shtesave të tjera të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si edhe atë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Kjo i ka rritur ndjeshëm kërkesat për kapital, duke ndikuar edhe në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin.

Duke shtuar edhe shtesën konservuese të kapitalit, prej 2.5%, raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në 14.5%. Ndërsa duke llogaritur edhe shtesat kundërciklike të miratuara deri tani nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2025 raporti minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjitha bankat arriti në 15.5%.

Ndërkohë, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike. Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka Intesa Sanpaolo kanë shtesa të tjera në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, në masën midis 0.5% dhe 1%.

Gjithashtu, bankat me rëndësi sistemike që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL)./ Monitor

Burimi: BSH

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular