Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen në Qerret, ku një burrë i identifikuar si Ardian Varrosi ka kërcënuar vajzën e tij me thikë, ndërsa dyshohet se ndodhej në gjendje të dehur.
Sipas informacionit paraprak, ai dyshohet se kishte dhunuar vajzën edhe më parë brenda banesës. E reja ka mundur të shpëtojë, ndërsa babai, me thikë në dorë, ka hyrë në një banesë pranë duke kërcënuar fqinjët.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të patrullës së rendit, e cila ndodhej me shërbim në zonë, është shmangur përshkallëzimi i mëtejshëm i ngjarjes.
Gjatë ndërhyrjes, autori ka goditur veten me mjetin prerës në qafë dhe është transportuar me urgjencë në spital nga efektivët e policisë, të cilët kanë arritur të parandalojnë plagosje të tjera.
Burime nga spitali i Durrësit bëjnë me dije se gjendja e tij paraqitet e rëndë dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.
Ndërkohë, policia ka ngritur një grup hetimor për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.







