Zbardhet ngjarja e ndodhur pak pas mesnate, ku një 18-vjeçare u vetëplagos me armë zjarri. Autoritetet kanë arrestuar dy persona dhe kanë shpallur në kërkim tre të tjerë, të cilët dyshohet se kanë penguar zbardhjen e ngjarjes dhe kanë prishur prova. Hetimet vijojnë për gjetjen e armës dhe dokumentimin ligjor të plotë të rastit.
Njoftimi i policise
Më datë 14.02.2026, rreth orës 00:15, në spital është paraqitur e plagosur me armë zjarri shtetasja N. K., 18 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.
E dëmtuara është transportuar në spital nga shtetasja M. R. (Gj) dhe shtetasi E. Gj., 24 vjeç.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit V. Gj., 46 vjeç dhe M. R. (Gj), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
-u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 49 vjeç, dhe E. Gj., 24 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe shtetasi E. Gj., 22 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.
Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje, si dhe për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.







