Kryeministri Edi Rama në Podkastin “Flasim” foli për një sërë çështjesh, duke u ndalur te gjyqi në Hagë, situata politike në vend, si edhe protestat e opozitës.
Ndërsa foli edhe për projektin TID në Durrës tha se po keqinterpretohet.
Pjesë nga fjala e Ramës
Projekti i rijetëzimit të zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe keqinformime që nuk kanë të sosur, ndërkohë që realizimi i tij është me natyrë strategjike për të ardhmen e qytetit të vjetër mesdhetar dhe të Shqipërisë Europiane si një destinacion i rëndësishëm turistik në Mesdhe.
Zona Arkeologjike A ku do të marrë jetë projekti, nuk është një hapësirë e zakonshme urbane dhe çdo debat pronash mbi atë zonë nuk duhet të dalë nga korniza e faktit themelor: Ajo zonë është pronë e thesarit të trashëgimisë sonë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore. Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin, Termat Romake janë monumente të qytetërimit europian, jo thjesht monumente të regjistrit tonë kombëtar të trashëgimisë. Objektivi për hyrjen e kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar. E bën një detyrim ndërkombëtar.
Ky projekt nuk ka lindur sot as ka marrë formë në errësirë, po është mbështetur mbi një program të kahershëm të kësaj qeverie për atë zonë, si edhe një Plan të Menaxhimit të Integruar, hartuar nga Ministria e Kulturës dhe hedhur në konsultim publik në vitin 2022. Ligji për Trashëgiminë Kulturore e detyron shtetin të ndërhyjë kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore. Pikërisht këtë ne po bëjmë.
Historia ndërkombëtare tregon se asnjë vend nuk ka zbuluar, nuk ka konservuar dhe nxjerrë në pah trashëgimi të këtyre përmasave pa ndërmarrë shpronësime.
Në Romë, mijëra e mijëra prona u shpronësuan për hapjen e Forumeve Imperiale. Në Athinë, u realizuan shpronësime masive për zonën përreth Akropolit dhe krijimin e parkut arkeologjik.
Ne do të bëjmë pikërisht këtë, me ndjeshmëri e me drejtësi ndaj banorëve, po me vendosmëri ndaj interesit kombëtar.
Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, i është kundërpërgjigjur Kryeministrit Edi Rama lidhur me projektin TID në Durrës, duke deklaruar se asnjë nga pretendimet e tij nuk qëndron dhe se projekti nuk i shërben mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Zhupa thekson se ligji për trashëgiminë kulturore, të cilit Rama i referohet si bazë për ndërhyrjen, është hartuar dhe sponsorizuar nga vetë AADF në vitin 2016, duke e bërë të papranueshme përdorimin e tij si justifikim për projektin.
Sipas saj, ndërhyrjet nuk lidhen vetëm me perimetrin e amfiteatrit, por prekin edhe banesa historike jashtë tij, ndërsa projekti është hartuar pa verifikime reale në terren dhe ka karakter selektiv e klientelist. Zhupa kërkon pezullimin e menjëhershëm të TID dhe hartimin e një plani që ruan peizazhin historik të Durrësit dhe i shërben realisht procesit për UNESCO.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
ASNJË nga pretendimet e Edi Ramës për projektin TID nuk qëndron dhe nuk janë të vërteta. Projekti është klientelist dhe nuk i shërben mbrojtjes së trashëgimisë dhe identitetit të Durrësit.
Së pari, ligji për trashëgiminë kulturore që i referohet Rama se i rrjedh detyrimi për të bërë TID, është i hartuar dhe i sponsorizuar nga vetë AADF, është hartuar në marrëveshje me Kunbaron më 19 Korrikut 2016. Madje vetë AADF ka deklaruar se ka shpenzuar rreth 190 mijë dollarë për përgatitjen e tij. Pra, një ligj i bërë nga vetë subjekti që sot përfiton nga projekti, nuk mund të përdoret si arsye “detyrim ligjor” për të justifikuar domosdoshmërinë e projektit TID. Një ligj i tillë, i kontestueshëm dhe antikushtetues në thelb, nuk përbën arsye të mjaftueshme.
Së dyti, kur Rama shprehet se “shteti po ndërhyn kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore”, faktet në terren tregojnë të kundërtën. Në Durrës, banesat historike me pronarë të identifikuar, në zona të konservimit dhe jo informale, po trajtohen njësoj sikur të ishin ndërtime pa leje. Kjo nuk është luftë kundër informalitetit, por cenim i trashëgimisë dhe i pronës së ligjshme.
Së treti, nuk bëhet fjalë për prona brenda amfiteatrit apo në perimetrin e tij të drejtpërdrejtë, të cilat mund të shpronësohen me çmim të drejtë tregu për interes publik. Bëhet fjalë për prona shumë larg amfiteatrit, deri në zonën e shkollës “Jani Kukuzeli”, që nuk kanë asnjë lidhje me nxjerrjen në pah të monumentit.
Projekti TID është hartuar pa matje dhe verifikime reale në terren. Të ashtuquajtur “ekspertë italianë” të angazhuar nga AADF kanë punuar mbi Google Maps, duke i konsideruar banesat e rregullta si “shtesa” dhe duke i trajtuar ndërtesat e konservuara si “prishje imazhi”, vetëm pse nuk janë ndërtuar të reja.
Ky projekt ka karakter selektiv dhe klientelist. Nuk është një plan për interes publik apo kombëtar. Nëse do të ishte i tillë, banesat historike do të ruheshin dhe restauroheshin, jo të zhdukeshin.
Pezulloni projektin dhe të bëhet një projekt që realisht mund ti shërbej dosjes së UNESCO sepse një nga kriteret thelbësore është ruajtja e peisazhin historik dhe mos cënimi i vlerave identitare. UNESCO nuk mbështet shëmbje dhe rikrijime të qyteteve me hapësira të gjelbëra por restaurime të vlerave historike.
Trashëgimia kulturore nuk mbrohet duke e fshirë, por duke e ruajtur.







