Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka konfirmuar vdekjen e udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Truth”, kreu i Shtëpisë së Bardhë shkruan se “Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori, ka vdekur”.
Trump shtoi se lideri iranian “nuk ishte në gjendje t’u shpëtonte sistemeve amerikane të inteligjencës dhe gjurmimit” dhe se “nuk kishte asgjë që ai, apo udhëheqësit e tjerë të vrarë bashkë me të, mund të bënin”.
Presidenti amerikan e cilësoi zhvillimin si “mundësinë më të madhe të vetme për popullin iranian që të rimarrë vendin e tij”, duke sugjeruar se ndryshime të thella politike mund të pasojnë në Teheran.
Sipas Trump, Uashingtoni po merr sinjale se shumë pjesëtarë të Gardës Revolucionare, forcave të armatosura dhe strukturave të sigurisë iraniane “nuk duan më të luftojnë”. Ai la të kuptohet se SHBA mund të ofrojë “imunitet” për ata që zgjedhin të mos përfshihen në përshkallëzim të mëtejshëm.
Trump shtoi se Irani “është shkatërruar në masë të madhe, madje i zhdukur, brenda një dite”, duke iu referuar intensitetit të sulmeve të fundit. Megjithatë, ai paralajmëroi se bombardimet e rënda do të vijojnë “pa ndërprerje gjatë gjithë javës ose për aq sa të jetë e nevojshme”.








