Nga Anita Aliaj
“Pas mrekullisë së shprehjes, pra pas dhuratës hyjnore që krijuesi i ka dhënë njeriut, siç është fjala dhe tingujt që e shoqërojnë atë, leximi është mrekullia e dytë më e madhe që zotëron njeriu” – Arben Çejku
Romani “Kandidati për Kandidat” i autorit Arben Çejku, ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ishte një nga befasitë më të bukura për lexuesit që patën fatin ta kishin në duar vitin e shkuar. Vepra u përqafua menjëherë, duke u shndërruar në një sukses të merituar për autorin. I ardhur në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me mesazhin e duhur, romani ngjalli interes për qasjen e tij satirike ndaj realitetit politik dhe shoqëror, duke dëshmuar se arti i vërtetë nuk del kurrë nga moda. Në këtë intervistë për “Mediaprint”, Arben Çejku flet për mënyrën si u prit “Kandidati për Kandidat”, për raportin e tij të hershëm me leximin, për sfidat e shkrimtarit në epokën digjitale, për mënyrën se ku e gjen frymëzimin për të shkruar, si dhe për romanin më të ri që pritet të vijë së shpejti për lexuesit.
Romani “Kandidati për Kandidat” u prit shumë mirë nga lexuesit dhe kritika. Si u ndjetë kur patë që vepra u përqafua menjëherë nga publiku?
Dilema dhe pikëpyetja më e madhe për një krijues, pasi ai ka mbaruar veprën e tij, është misteri i sjelljes së lexuesit dhe publikut ndaj kësaj vepre. Ka ndodhur që shkrimtarë të ndryshëm ta përjetojnë suksesin e veprës së tyre, menjëherë pas botimit, ndërkohë që ka po ashtu, ka mijëra raste të tjera, kur vlerën e një vepre, lexuesit dhe kritika e ka dhënë pas vdekjes së autorit. Nuk ndodh gjithmonë që edhe vepra edhe autori të gëzojnë famë e sukses në të njëjtën kohë, sepse secili duket që ka fatin e vet. Shkrimtarë të tillë si Edgar A. Poe, Franc Kafka, Emily Dickinson, Herman Melville, John Keats, Stieg Larson etj, nuk e përjetuan suksesin e kryeveprave të tyre dhe u larguan nga kjo jetë të varfër, të dëshpëruar dhe pa menduar se do të shkëlqenin në tempullin e letërsisë botërore, siç kishte ndodhur me të ngjashmit e tyre, që patën sukses e famë në të gjallë të tyre si Çarld Dikens, Viktor Hygo, Honore de Balzak, Leo Tolstoi, Colhelo, Heminguej etj. Nga ky këndvështrim, duket se unë pata fat me “Kandidatin për Kandidat”, i cili u prit mirë nga lexuesit dhe kritika, duke më krijuar bindjen se ai erdhi në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe mesazhin e duhur. Nuk e mohoj aspak se, ishte përkujdesja dhe strategjia e shtëpisë botuese “Mediaprint” dhe drejtueses së saj, zonjës Elda Vela, ajo që bëri të mundur një qasje aktive të këtij romani te lexuesit. Ecuria e këtij libri, ka qenë një nga befasitë e mia më të bukura për vitin që kaloi. Nga momenti që “Kandidati për Kandidat” nisi jetën e tij të pavarur mes lexuesve të shumtë, të cilët ende vazhdojnë ta kërkojnë, unë ndjeva lehtësim brenda vetes për të gjitha pikëpyetjet që më mundonin para ballafaqimit të atij libri me publikun. Sa më gjatë të kërkohet një libër, aq më shumë vlerë ka! Uroj që “Kandidati për Kandidat” të jetë sa më gjatë në duart e lexuesve!
Nga komentet që keni marrë për romanin, cilat ishin vlerësimet që i prisnit dhe a pati ndonjë këndvështrim që ju befasoi; diçka që nuk e kishit menduar se do të interpretohej në atë formë?
Për romanin “Kandidati për Kandidat“, janë bërë një numër i konsiderueshëm analizash dhe kritikash letrare, nga autorë, kritikë dhe lexues të ndryshëm. Kam vlerësuar çdo fjalë të thënë për librin, me qëllim që të kuptoj se ku qëndroj unë në raport me romanin! Një nga problemet më të mëdha të krijuesve është se, shumë prej tyre nuk e dinë se ku qëndrojnë në raport me artin e tyre. Është audienca, kritika, lexuesi dhe miqtë e ndryshëm, ata që të ndihmojnë për të kuptuar se ku je ti në raport me krijimtarinë tënde. Do të doja të kujtoja shumë prej analizave dhe autorëve të tyre, por më lejoni të them se fluksi i shkrimeve për romanin “Kandidati për Kandidat”, ka qenë jashtë çdo parashikimi. Edhe pse në Shqipëri nuk ka një institucion të mirëfilltë kritike të krijimtarisë letrare, gjithsesi, publikimet e shumta në mediat sociale etj., e bëjnë efektin e tyre dhe ua lehtësojnë punën atyre që duan të mësojnë nga vlerësimet e të tjerëve. Ajo që më ka befasuar ka qenë interesimi i shumë lexuesve që të tregoja lidhjet mes personazheve në roman dhe atyre që janë në jetën e përditshme. Një pjesë e tyre ka bërë lidhje të menjëhershme mes disa personave në politikë, që janë të njohur për publikun dhe atyre që përshkruaj unë në romanin tim. Nëse do e rishkruaja romanin, sigurisht që këtë prirje të lexuesve për të lidhur personazhet e letërsisë me ato të politikës së përditshme, do ta merrja në konsideratë.
Për ata që ende nuk e kanë lexuar romanin, pse duhet ta lexojnë “Kandidati për Kandidat”? Çfarë e bën këtë vepër të veçantë?
Unë mendoj se në këtë roman, çdo lexues do të mësojë diçka të re nga teatri i politikës dhe jetës sonë të përditshme, në të cilën ka një përmbysje të rregullave dhe normave shoqërore. Romani është një satirë e shkurtër, e cila do t’i vlente gjithkujt që synon të bëjë karrierë në fushën e tij profesionale, për të kuptuar se në realitetin e përditshëm ka më shumë maska sesa fytyra, më shumë iluzione sesa realitet, më shumë fjalë sesa vepra, më shumë injorancë sesa mençuri dhe më shumë pabesi sesa fisnikëri. Ky roman, me fabulën dhe personazhet e tij groteske, është një ftesë e hapur miqësore e autorit për të gjithë rishtarët që ëndërrojnë dhe projektojnë karrierën dhe ambiciet e tyre. Në çdo hap përpara, qëndron një çmim për t’u paguar dhe, pyetja që shtrohet është, sa i shtrenjtë është ky çmim dhe mbi të gjitha, kush vlen më shumë; morali apo pushteti, shpirti apo pasuria?
Ndërkohë, a jeni duke punuar për ndonjë roman të ri? A mund të ndani diçka me ne?
Romani “Kandidati për Kandidat”, në fillim u projektua si historia dramatike e një personazhi politik, i cili për shkak të shumë rrethanave, përfshi edhe dobësitë e tij, nuk po dilte dot nga statusi i tij si “kandidat për kandidat”. E mendoja si një rrëfim, që nuk do të kishte asnjë lidhje me satirën dhe humorin e, aq më tepër, emrat e personazheve, që janë një risi më vete. Mirëpo, gjithçka erdhi krejt natyrshëm në stilin e një rrëfimi satirik të një drame njerëzore. Përkundrazi, romani që sapo kam përfunduar, qe ideuar në pikënisje si një prozë në stil satirik për një ngjarje paradoksale. Mirëpo, gjatë procesit të shkrimit, erdhi krejt natyrshëm në shtratin e një stili realist. Kjo do të thotë që, në procesin e shkrimit, një autor, jo gjithmonë arrin ta zhvillojë veprën e tij sipas planeve fillestare dhe unë besoj fort se një dorë hyjnore është gjithmonë aty për të na udhëhequr në drejtimin e duhur. Romani i ri shpresoj se do të sjellë diçka të re dhe të dobishme në letërsinë shqipe dhe nuk do t’i zhgënjejë lexuesit e mi të mrekullueshëm.
Çfarë vendi zë leximi në jetën tuaj të përditshme?
Leximi është gjimnastika ime e përhershme që nga koha e fëmijërisë. Te leximi i vazhdueshëm gjej ushqimin tim të përditshëm shpirtëror dhe mendor dhe, me këtë rast mund të them se, leximi më ka mbajtur hapur gjithnjë atë që disa e konsiderojnë “syri i tretë”. Nuk e harroj kurrë një shprehje latine, të cilën e kam hasur në rininë e hershme; Lectio animam nutrit (Leximi ushqen shpirtin). Brenga ime e përjetshme do të jetë ajo se, pavarësisht sa lexoj dhe sa do të lexoj deri në fund të jetës sime, përsëri ka vepra që nuk do të doja të vdisja pa i lexuar! Prej kohësh jam bërë selektiv në lexim, por lexoj çdo ditë, duke mos harruar rileximin e disa veprave, që janë të pazëvendësueshme. Edhe me librin, qoftë letrar apo çfarëdo lloji, të ndodh si me artin e muzikës dhe pikturës. Ka këngë dhe vepra muzikore të reja, por ndonjëherë, ke nostalgji, ke nevojë shpirtërore të rikthehesh te disa kryevepra që nuk vdesin kurrë. E njëjta gjë është dhe me pikturën, skulpturën dhe arte të tjera të aplikuara. Megjithatë, mund të them se, nuk e imagjinoj dot një shkrimtar, gazetar, pedagog apo një folës publik, i cili nuk lexon çdo ditë. Për fat të keq, në përditshmërinë tonë, hasim gjithnjë e më shumë njerëz që lexojnë gjithnjë e më pak dhe që flasin gjithnjë e më shumë! Dhe pastaj shohim që, ata që dinë shumë, kanë droje të flasin, ndërsa ata që dinë pak, kanë drojë të mos flasin dhe, në fund, zihemi kush do të paguajë…
Nëse do t’ju kërkohej ta përkufizonit leximin, si do ta përshkruanit atë?
Pas mrekullisë së shprehjes, pra pas dhuratës hyjnore që krijuesi i ka dhënë njeriut, siç është fjala dhe tingujt që e shoqërojnë fjalën, leximi është mrekullia e dytë më e madhe që zotëron njeriu. Njerëzit e hershëm e kanë lexuar natyrën me sy, kurse leximi i librave, ka ndihmuar formulimin e mendimeve, ideve dhe ka sjellë progresin që ne kemi sot. I gjithë progresi shoqëror kudo në botë, është rrjedhojë e diturive të përftuara nëpërmjet leximit. “Per libros ad scientiam pervenimus” (Nëpërmjet librave shkojmë te shkenca), thoshin latinët.
Ku e gjeni frymëzimin për të shkruar?
Kryesisht në atë që gjendet brenda jetës sime dhe nga ato që më vijnë si indicie nga jeta e të tjerëve dhe, pse jo, nga shkëndija të paparashikuara, që unë i konsideroj sinjale nga një entitet tjetër. Çdo njeri është një lloj antene që grumbullon valë dhe sinjale të ndryshme, si një kompjuter në të cilin grumbullohet lënda e parë e ngjarjeve, historive dhe ngacmimeve intelektuale për t’u shprehur. Në tërësi, nuk dua të bëj letërsi për hir të letërsisë dhe as libra për një CV të caktuar personale. Gjithnjë kam në vëmendje kohën e çmuar të lexuesve dhe, do të ishte kriminale që çdo histori që më duket e rëndësishme, ta shkruaj libër dhe ta vë në dorën e lexuesit. Nuk dua të mbahem mend për numrin e librave, por për numrin e lexuesve dhe cilësinë e artit tim.
Si e shihni të ardhmen e librit në një kohë të dominuar nga teknologjia dhe ritmi i shpejtë i jetës?
Arti i vërtetë nuk del asnjëherë nga moda dhe, pavarësisht lehtësisë së shkrimit akademik, letrar, politik etj., që vjen si pasojë e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, arti që bëjnë njerëzit me shpirt dhe larg ndikimit të artificialitetit, do të kërkohet vazhdimisht. Me që po flasim për letërsinë, unë mund të parashikoj që mund të reduktohet numri i njerëzve që lexojnë libra, për shkak të marrjes së informacionit dhe leximit të shpejtë e sipërfaqësor nga Inteligjenca Artificiale, por në anën tjetër, do të ketë gjithnjë e më shumë një elitë kulturore, e cila do të kërkojë artin e përsosur që vjen nga njerëzit. Inteligjenca artificiale, mund të zëvendësojë valltarët, siç pamë para pak ditësh në Kinë, por nuk mund të zëvendësojë poetët. Kam parë edhe poezi të vjelura nga ChatGPT, nga Inteligjenca Artificiale, por më besoni, krijuesit e vërtetë, artistët e vërtetë, janë më pranë Zotit si frymë dhe mendim, sesa pranë makinerive moderne të kësaj kohe apo të asaj që po vjen! Ata krijues grafomaninë që duan ta vijojnë “karrierën artistike” me tituj librash që ua shkruan Inteligjenca Artificiale, do të shkaktojnë një dëm të përkohshëm, sepse, ashtu si vera e mirë nuk del kurrë nga moda, edhe arti i vërtetë nuk mbulohet dot nga pluhuri dhe zhurma.
Së fundi, si e shihni sfidën e të qenit shkrimtar sot? Cilat janë vështirësitë, por edhe kënaqësitë më të mëdha të këtij rrugëtimi?
Siç po thoja, ata që mendojnë të vijojnë punën e tyre si shkrimtarë, si krijues, si poetë, si artistë etj., duhet të ndalen një moment dhe ta pyesin veten mirë, nëse janë gati të ballafaqohen me sfidat që janë para tyre si rrjedhojë e transformimit historik të shoqërisë dhe teknologjisë, apo duhet të bëhen të dobishëm në një sipërmarrje tjetër? E them këtë, sepse e gjitha është çështje kohe dhe konsumi. Dikur njerëzit kishin më shumë kohë në dispozicion dhe më pak teknologji dhe standard. Sot, kemi në dispozicion më shumë teknologji, më shumë standard dhe më pak kohë. Kjo, sepse falë teknologjisë dhe standardit nuk e kemi kohën e dikurshme për të shkuar në kinema, në librari, në teatër etj. Rinia e sotme, për shembull, ka më shumë informacion se rinia e një shekulli më parë, ani pse lexon më pak libra. Teknologjia ka lehtësuar marrjen e informacionit, por ka vështirësuar kushtet e formimit intelektual. Një shekull më parë, edhe shkrimtarët, edhe lexuesit e tyre, kishin një qind herë më shumë kohë sesa ajo që kemi ne dhe lexuesit tanë sot. Dy shekuj më parë, shkrimtarët dhe lexuesit e tyre kishin dyqind herë më shumë kohë, sesa kemi ne dhe lexuesit tanë sot dhe kështu me radhë deri në kohën e Balzakut, Hygoit, Tolstoit, Gorkit, Gëtes, Shekspirit, Dantes etj. Unë mendoj se askush nga ne nuk i shpëton dot sfidës së një revolucioni të jashtëzakonshëm teknologjik, i cili po përmbys disa tradita, për të krijuar një platformë të re të formimit dhe veprimit shoqëror. Unë uroj që ky shekull i teknologjisë së lartë të mos e vrasë artin, sepse indirekt do të vriste edhe shpirtin njerëzor. Teknologjia dhe përdorimi i saj po krijon standarde gjithnjë e më të mira për jetën e njerëzve, por jo gjithmonë jeta me standarde të larta, është gjithnjë jetë e lumtur. Lumturia lidhet me shpirtin dhe shpirti kërkon tjetër ushqim, përtej standardeve dhe teknologjisë moderne…
Prandaj unë mendoj se, pavarësisht sfidave të epokës digjitale, në të cilën sapo kemi hyrë, shkrimtarët dhe krijuesit e vërtetë nuk duhet të kompleksohen dhe ta ulin penën – përkundrazi, ata duhet ta mprehin atë për një art më të përsosur! Ka patur një periudhë të ngjashme dëshpërimi, në fillim të shekullit të kaluar, kur fill pas Luftës së Parë Botërore, shumë krijues, shkrimtarë, poetë, u gjunjëzuan shpirtërisht para mizorive të asaj lufte, duke vënë pikëpyetje mbi ardhmërinë e vlerave njerëzore. Për ta, ishte e paarsyeshme lufta, gjakderdhja, masakrat dhe padrejtësia e saj. Ky grup shkrimtarësh, i cili krijoi në atë periudhë, u njoh si “Brezi i Humbur”, siç mundet që nesër brezi i krijuesve të sotëm, të konsiderohen si shkrimtarët e “Brezit Digjital”. Në këtë grup, sa për kujtesë po përmend, E. Heminguejn, S. Fitzgerald, Jon Passos, G. Stein, E. Pound, T. Eliot, U. Faulkner etj. Pas tyre erdhën ata të pas-Luftës së Dytë Botërore, si Camy, Sartri, Oruell, apo pas tyre ata të realizmit magjik, si G. G. Markez, J. Borges, I. Alende, C. Funte etj. Dua të them se çdo periudhë, ka patur shkrimtarët e saj dhe besoj se edhe koha ku jetojmë, do të ketë shkrimtarët e vet. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me historinë e letërsisë shqiptare, e cila ka ruajtur në panteonin e saj, krijuesit më të mirë dhe veprat më të mira.







