Shqipëria ka bërë përparime në reformimin e sistemit të mbrojtjes sociale, por sigurimi i mbështetjes së mjaftueshme për shtresat më të cenueshme mbetet një sfidë kritike.
Sipas raportit të Bankës Botërore, sistemi përfshin ndihmën sociale, sigurimet shoqërore, programet e tregut të punës dhe shërbimet sociale, duke synuar të mbështesë individët gjatë gjithë jetës së tyre. Megjithatë, në terma financiarë, vetëm 4.6 për qind e totalit të shpenzimeve publike shkon për ndihmën sociale. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve, mbi 70 për qind, përdoret për programin e Ndihmës për Aftësinë e Kufizuar, ndërsa më shumë se 20 për qind shkon për programin e Ndihmës Ekonomike. Ndërkohë, shpenzimet për programet e tregut të punës dhe për shërbimet sociale mbeten në nivele të ulëta.
Shifrat tregojnë se numri i familjeve që përfitojnë ndihmë sociale ka rënë vitet e fundit, por mbetet thelbësore që mbështetja të vazhdojë për ata që kanë më shumë nevojë, thekson raporti.
Qeveria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për të përmirësuar efikasitetin e dy programeve kryesore të transfertave në para, Ndihmën për Aftësinë e Kufizuar dhe Ndihmën Ekonomike. Reforma e Ndihmës Ekonomike synoi të targetojë më mirë familjet në varfëri ekstreme dhe të forcojë administrimin dhe mekanizmat e shpërndarjes, ndërsa reforma e Ndihmës për Aftësinë e Kufizuar ndryshoi mënyrën e vlerësimit, duke kaluar nga modeli thjesht mjekësor në një model bio-psiko-social, që merr në konsideratë ndërveprimin midis kufizimeve shëndetësore dhe mjedisit të individit.
Megjithatë, sistemi aktual mbetet më pak efektiv në mbështetjen e fëmijëve dhe në ndihmën për përfituesit në moshë pune për të dalë nga varfëria. Ndikimi i programeve të ndihmës sociale në uljen e nivelit të varfërisë dhe të hendekut të saj është më i ulët krahasuar me vendet e tjera të ngjashme. Programi kryesor, Ndihma Ekonomike, ofron mbështetje shumë të kufizuar tranzitore për personat në moshë pune, duke e bërë të vështirë riintegrimin e tyre në tregun e punës, thuhet në raport.
Sistemet dhe procedurat joefikase e dobësojnë më tej aftësinë e programit për t’iu përgjigjur krizave ekonomike dhe për të lidhur përfituesit me mundësi punësimi, ndërsa mungesa e një sistemi të integruar informacioni mes institucioneve sociale dhe atyre të punës e ul efektivitetin e përgjithshëm.
Edhe pse Ndihma Ekonomike ofron përfitime të lidhura me arsimin për fëmijët, mënyra si është konceptuar ky program ka dhënë rezultate të kufizuara në mbajtjen e tyre në shkollë dhe nuk ka arritur të thyejë ciklin ndërbrezor të varfërisë. Në të njëjtën kohë, shumë politika dhe programe të tregut të punës konsiderohen të vjetruara, duke përdorur qasje joefektive, teknologji të tejkaluara dhe mjete që nuk i përgjigjen realitetit aktual, thekson dokumenti.
Për të përmirësuar situatën, raporti vlerëson se Shqipëria duhet të kombinojë masa afatshkurtra dhe afatmesme. Në afat të shkurtër, rekomandohet vendosja e stimujve arsimorë të lidhur drejtpërdrejt me frekuentimin e shkollës, ndërhyrja e hershme për fëmijët në rrezik dhe përmirësimi i koordinimit mes shërbimeve sociale dhe atyre të punësimit.
Në afatmesëm, nevojitet zgjerimi i mbështetjes arsimore për nxënësit e arsimit të mesëm dhe profesional, përditësimi i mënyrës së targetimit të Ndihmës Ekonomike për të reflektuar profilin aktual të varfërisë, integrimi i sistemeve të informacionit në kuadër të zhvillimit të GovTech, si dhe forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe ankesave për të reduktuar gabimet, abuzimet dhe korrupsionin.







