Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur të thërrasë seancën për zgjedhjen e presidentit, pasi sipas kryetares Albulena Haxhiu, procedura kushtetuese kërkon të paktën dy kandidatë me nga 30 nënshkrime secili. Deri tani, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur kandidaturën e Glauk Konjufcës, ndërsa partitë e tjera nuk kanë sjellë emra.
“Mund të ketë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhje të presidentit s’mund të ketë pa i pasur së paku dy kandidatë. Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026, pra kemi më pak se 30 orë deri në përfundim të këtij afati që e bën situatën më urgjente. Ftojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që deri tani nuk kanë dhënë nënshkrimet të reflektojnë dhe ta shqyrtojnë mundësinë për propozimin e së paku një kandidati tjetër”, tha Haxhiu në konferencë për media.
Afati kushtetues po shkon drejt fundit, me vetëm pak orë të mbetura deri në përfundimin e mandatit të presidentes aktuale Vjosa Osmani më 4 prill. Nëse nuk arrihet zgjedhja e një presidenti, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.
Opozita ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Vetëvendosjes. LDK e ka cilësuar situatën si të papërgjegjshme, ndërsa PDK akuzon kryeministrin Albin Kurti se po e shtyn vendin drejt krizës politike për të konsoliduar pushtetin.
Ndërkohë, përveç Konjufcës, është përmendur edhe Andin Hoti si kandidat i mundshëm, ndërsa Vjosa Osmani ka shprehur gatishmëri për një mandat të ri, por nuk është propozuar nga Vetëvendosje. Procesi i votimit kërkon dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në të tretin mjaftojnë 61 vota.







