Presidenti i Federata Shqiptare e Futbollit, Armand Duka, doli këtë të premte në një konferencë për shtyp, ku në fokus ishte e ardhmja e pankinës kuqezi dhe roli i Sylvinho.
Kreu i FSHF-së e cilësoi ecurinë e Kombëtares si përgjithësisht të suksesshme, duke theksuar se Shqipëria ka zhvilluar ndër kualifikueset më të mira në historinë e saj, si për Europianin ashtu edhe për Botërorin. Megjithatë, ai pranoi se skuadra mund të kishte arritur më shumë, duke pasur parasysh paraqitjet në fushë dhe objektivin për vendin e dytë në grup.
Sa i përket të ardhmes së trajnerit brazilian, Duka konfirmoi se ende nuk ka një vendim përfundimtar. Ai bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë me Sylvinhon pas ndeshjes me Ukrainën, ku i ka kërkuar të reflektojë mbi vijimësinë e tij në krye të ekipit. Sipas Dukës, vendimi do të merret në mënyrë të përbashkët, ndërsa trajneri do të ketë kohën e nevojshme për të vendosur nëse ka energjinë për të vazhduar.
Në rast se palët bien dakord, Federata është e gatshme t’i ofrojë një kontratë të re pas muajit korrik. Vendimi pritet të merret përpara ndeshjeve miqësore të qershorit, në mënyrë që situata të jetë e qartë përpara angazhimeve të radhës të Kombëtares.
I pyetur për mundësinë e një trajneri shqiptar në të ardhmen, Duka zbuloi se një opsion i tillë është shqyrtuar më herët, duke përmendur rastin e Besnik Hasi. Ai theksoi se kjo mbetet një alternativë, por vendimi fillimisht do të varet nga e ardhmja e trajnerit aktual.







