Një 22-vjeçar është plagosur me armë zjarri gjatë orëve të para të mëngjesit në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, në rrugën “Medar Shtylla”.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, dyshohet se shtetasi Sokol Zeka (Troka) 28 vjeç, ka plagosur me armë zjarri të riun Elvis Zirka, 22 vjeç.
I plagosuri është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, 28-vjeçari është shpallur në kërkim nga policia. Forcat e rendit vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes mbeten për t’u sqaruar.
Një borxh i pashlyer dyshohet se qëndron në themel të konfliktit mes Elvis Zirkës, 22 vjeç, dhe Sokol Zekës (Troka), 28 vjeç, i shpallur në kërkim si autor i dyshuar i plagosjes me armë zjarri në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit, në rrugën “Medar Shtylla”, ku i riu mbeti i plagosur me armë zjarri dhe u transportua në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve
Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, konflikti mes dy personave nuk është i momentit, por dyshohet se ka nisur më herët. Shkak mendohet të jetë një shumë parash që 28-vjeçari Zeka i kishte marrë borxh 22-vjeçarit, por që nuk ia kishte kthyer.
Gjatë dëshmisë së dhënë për grupin hetimor, Elvis Zirka ka deklaruar se njihej prej kohësh me Sokol Zekën dhe se i kishte dhënë atij një shumë parash borxh. Megjithatë, ai nuk ka bërë të ditur vlerën e shumës së dhënë dhe as arsyen për të cilën i kishte huazuar paratë. Hetuesit po verifikojnë edhe mundësinë që përplasjet mes dy personave të kenë nisur jashtë territorit shqiptar, përpara se konflikti të përshkallëzohej në plagosjen me armë zjarri në Tiranë.
Ndërkohë, Sokol Zeka (Troka), 28 vjeç, vijon të jetë në kërkim. Policia po punon për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe motivin e saj.







