Takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka përfunduar pa arritur një marrëveshje për çështjen e presidentit dhe bashkëqeverisjes.
Pas takimit, Abdixhiku deklaroi se nuk do të ketë më takime me Kurtin, pasi palët nuk kanë arritur pajtim dhe sipas tij, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Ai bëri të ditur se Kurti i ka ofruar LDK-së bashkëqeverisje, përfshirë katër ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa posti i presidentit do t’i mbetej Lëvizjes Vetëvendosje.
Po ashtu, është propozuar edhe një shkëmbim pozicionesh mes postit të presidentit dhe atij të kryetarit të Kuvendit, por këto oferta nuk janë pranuar nga LDK. Abdixhiku theksoi se posti i presidentit nuk duhet t’i takojë LVV-së, duke lënë të kuptohet se dallimet politike mes palëve mbeten të thella.







