Tema e matësve inteligjentë të energjisë është rikthyer në vëmendje me draftin e ri të ligjit për sektorin energjetik, i cili parashikon rregulla të veçanta për përdorimin e tyre dhe një plan të mundshëm zbatimi.
Sipas nenit 91, instalimi i këtyre pajisjeve nuk do të bëhet menjëherë. Fillimisht do të kryhet një analizë e plotë për të parë nëse kostot e projektit justifikohen nga përfitimet që sjell. Enti Rregullator i Energjisë do të përcaktojë rregullat teknike të sistemit, ndërsa operatori i shpërndarjes do të vlerësojë nëse investimi është ekonomikisht i leverdishëm për t’u zbatuar në shkallë të gjerë.
Kostoja e projektit do të shpërndahet gradualisht dhe pritet të reflektohet në tarifat e rrjetit. ERE do të mbikëqyrë këtë proces për të siguruar që tarifat të jenë të drejta dhe që konsumatorët të përfitojnë realisht nga sistemi i ri.
Në rast se analiza del negative, instalimi masiv nuk do të realizohet. Megjithatë, çdo qytetar do të ketë të drejtë të kërkojë një matës inteligjent për përdorim personal, duke paguar vetë koston. Ndërkohë, rivlerësimi i situatës do të bëhet çdo katër vjet, në varësi të zhvillimeve teknologjike dhe të tregut.
Sa i përket matësve aktualë, ata do të vazhdojnë të përdoren vetëm nëse plotësojnë kërkesat e reja teknike. Pajisjet që nuk i përmbushin këto standarde do të duhet të zëvendësohen deri në vitin 2031./Marrë nga Monitor







