Supermodelja Cindy Crawford ka ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e djalit të saj, Presley Gerber, duke u shprehur se ajo dhe familja e saj janë “të shkatërruar nga pikëllimi”.
Në një postim në Instagram, të shoqëruar me një fotografi bardhezi të të birit, Crawford e përshkroi atë si një shpirt të ëmbël dhe të bukur, që ka ditur të japë e të marrë dashuri. Ajo theksoi gjithashtu krenarinë për mënyrën se si ai e përjetoi jetën, me mirësi dhe sinqeritet emocional.
“Jemi kaq të bekuar që e patëm Presley-n në jetën tonë për 27 vjet”, shkroi modelja, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë mbështetur në këtë periudhë të vështirë, përfshirë edhe njerëz që nuk e kanë njohur personalisht familjen, por që ndajnë dhimbjen e tyre.
“Derisa të takohemi sërish, djali ynë i shtrenjtë. Të duam përgjithmonë, mami, babi dhe Kaia”, përfundoi ajo mesazhin e saj prekës, të shoqëruar me simbolin e krahëve të engjëllit.
Presley, 27 vjeç, ndërroi jetë më 20 shtator në një qendër rehabilitimi në Kaliforni. Sipas policisë, vdekja e tij po hetohet si një rast i dyshuar mbidoze. Zyra e Mjekësisë Ligjore e Qarkut të Los Anxhelosit e ka regjistruar çështjen si ende në pritje të hetimeve të mëtejshme, ndërsa policia e Santa Monikës ka deklaruar se nuk ka shenja që të tregojnë për përfshirjen e një personi tjetër në vdekjen e tij.
Një mesazh po aq prekës ndau edhe motra e tij më e vogël, Kaia Gerber, e cila publikoi një video nga fëmijëria, ku të dy shfaqen duke kërcyer së bashku, si dhe një fotografi pranë detit. Ajo shoqëroi postimin me një letër katërfaqëshe drejtuar vëllait të saj.
“Po mësoj si të të dua kur nuk mund të të shoh. Si të të tregoj diçka pa marrë telefonin për të të telefonuar. Si të jem motra jote në një botë ku nuk mund të të prek më”, shtoi Kaia, duke shprehur vështirësinë për t’u përshtatur me jetën pa të vëllanë.
Presley kishte ndjekur gjurmët e së ëmës në botën e modës. Ai debutoi në pasarelë në moshën vetëm 16-vjeçare, për markën italiane Moschino, ndërsa vitet e fundit kishte folur hapur për sfidat e shëndetit mendor dhe përdorimin e drogës.
Humbja e Presley-t ka lënë një boshllëk të madh në familjen Gerber-Crawford, e cila po përballet me dhimbjen përmes kujtimeve dhe mesazheve të dashurisë për të riun, jetës së të cilit iu dha fund në moshën 27-vjeçare.









