Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) mori pjesë në “Kosova Finance Forum 2026”, një platformë e rëndësishme rajonale që mblodhi në Prishtinë përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, politikëbërës, drejtues të industrisë bankare dhe ekspertë të ekonomisë për të diskutuar zhvillimet ekonomike më të fundit dhe prirjet në tregjet financiare të Ballkanit Perëndimor.
Nën temën e këtij viti, “Ndërtimi i besimit në tregjet financiare të Ballkanit Perëndimor”, forumi trajtoi çështje kyçe si mobilizimi i kapitalit për rritje të qëndrueshme, financimi i infrastrukturës përmes partneriteteve publike-private, transformimi digjital dhe fintech, si edhe roli i bashkëpunimit rajonal në forcimin e stabilitetit financiar dhe konvergjencës me standardet e Bashkimit Evropian.
Në kuadër të sesioneve tematike, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Spiro Brumbulli, ishte panelist në sesionin “The Role of Banking Associations in Strengthening Banking Sectors in the Western Balkans”, organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës.
Paneli u moderua nga z. Petrit Balija, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, dhe mblodhi së bashku figura të rëndësishme të industrisë financiare, përfshirë znj. Maja Stevkova Shterieva, Presidente e Shoqatës së Bankave të Maqedonisë, z. Alexander Kergozou, Associate Director në Finalta by McKinsey, dhe z. Visar Perani, përfaqësues i IFC për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Diskutimet në panel u fokusuan në rolin që shoqatat e bankave luajnë në forcimin e sektorit financiar, në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet industrisë dhe rregullatorëve, në avancimin e reformave rregullatore dhe në mbështetjen e transformimit të sektorit bankar drejt modeleve më inovative, efikase dhe gjithëpërfshirëse.
Pjesëmarrja e AAB në këtë forum konfirmon angazhimin e saj të vazhdueshëm për të kontribuar aktivisht në dialogun rajonal dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional, në funksion të zhvillimit të një sektori bankar modern, të qëndrueshëm dhe të harmonizuar me standardet evropiane.







