Një rast i rrezikshëm për sigurinë rrugore është parandaluar në kohë nga Policia në Belsh pas një denoncimi.
Shtetasi Sazan Gjolena, drejtues i një mjeti tip “Benz Sprinter” me targa AA198FR, i angazhuar në transportin e pasagjerëve dhe nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Belsh, raportohet se po drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit.
Pas marrjes së informacionit, strukturat e Policisë kanë reaguar duke organizuar ndërhyrjen në bashkëpunim me patrullën e Postës së Policisë Belsh, në varësi të Komisariatit të Cërrikut. Si rezultat, është bërë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i mjetit në aksin rrugor Belsh-Gjolene.
Gjatë kontrollit, në mjet ndodheshin 13 nxënës të gjimnazit, ndërsa drejtuesi i automjetit iu nënshtrua testit të alkoolit. Sipas Policisë, testi u krye në dy prova, ku e para rezultoi në nivelin 0.68 mg/l dhe e dyta 0.67 mg/l, duke konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur gjatë drejtimit të mjetit.
Në këto kushte, drejtuesi i mjetit u shoqërua menjëherë në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale.







