Autorja dhe moderatorja e Top Story, Grida Duma ka komentuar gjatë një interviste në “Breaking” në Top News, debatin brenda socialistëve, pas kritikave të shprehura publikisht, por edhe në mbledhjet pa media nga Elisa Spiropali dhe Erion Braçe.
E pyetur për kritikat e Spiropalit, Duma thotë se ish-ministrja bën sikur ka shqetësime ideologjike brenda socialistëve.
“Asgjë s’po ndodh në PS, përveç asaj që Edi Rama do që ne të besojmë se po ndodh ndonjë gjë. Nuk ka ndodhi në PS, sepse çdo ndodhi fillon dhe mbaron me fuqinë që ke në dorë. Ata që prodhojnë ngjarje, janë ata që kanë administratë të madhe të ndërtuar nga vetë ata. Ky nuk është rasti Spiropali. Rasti Spiropali është i shkëputur nga grupi, është i shkëputur nga mjetet e pushtetit. Elisa Spiropali është par ekselencë, për të bërë sikur ka shqetësime të mëdha ideologjike brenda PS”, thotë Duma.
Sipas saj “Brenda PS ka shqetësime intrigash. Janë grupe të fuqizuara në 13 vite pushtet, që brenda lëmit të PS, janë ndërtuar të vetvetë dhe brenda PS janë intriga të brendshme për më shumë akses te Edi Rama. Si jashtë, ashtu edhe brenda PS, për një gjë kanë gjithmonë të kujdesshëm, të thonë që nuk e ka Edi Rama fajin. Nëse do të flitej për pakënaqësi të individëve të tjerë që kanë pasur fuqi ose që kanë fuqi në PS, do të flisnim për situata të tjera”.
“Këtu e kemi të qartë që kemi të bëjmë me një teatër, që po ja servir shqiptarëve si një i gjithëpushtetshëm. Këto konflikte i ka marioneta dhe ja jep këtu popullit sikur erërat po ndryshojnë, por nuk ndryshon asgjë. Askush nuk po e kontrollon dhe nuk e kërcënon Edi Ramën nga brenda. Shqetësimi im për Shqipërinë dhe për zhbalancat në PS janë të mëdha se në PD”.
E pyetur për tezat që ka ngritur deputeti Braçe, Duma ka një tjetër këndvështrim. “Braçe e ka ndërtuar profilin e tij, është aftësia e tij politike. Braçe e di shumë mirë kush është vija e kuqe. Rama e lejon Braçen të ekzistojë dhe e ka alibi atë për të thënë: ‘Doni të thoni gjëra? Ja ku e kam Braçen’. Pushteti që ka PS me Ramën është një pushtet që do kërkonte kontroll si nga Brenda dhe nga jashtë”, shprehet Grida Duma.







