Autoritetet shëndetësore zvicerane kanë konfirmuar një rast të Hantavirusit te një pasagjer që ka udhëtuar me anijen turistike MV Hondius, e cila ndodhet aktualisht në karantinë për shkak të shpërthimit të virusit në bord.
Sipas njoftimeve, pasagjeri kishte marrë një e-mail nga kompania që menaxhon anijen, ku informoheshin udhëtarët për incidentin shëndetësor. Pas këtij njoftimi, ai është paraqitur në një spital në Cyrih të Zvicrës, ku po merr trajtim mjekësor dhe mbetet nën mbikëqyrje të mjekëve.
Ndërkohë, autoritetet franceze kanë bërë të ditur se është identifikuar edhe një rast tjetër i dyshuar, një person që nuk ndodhej në bord të anijes, por kishte udhëtuar në të njëjtin fluturim me një nga pasagjerët e MV Hondius.
Në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (RND), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po bashkëpunon me vendet e përfshira për të mbështetur gjurmimin ndërkombëtar të kontakteve. Qëllimi është identifikimi dhe monitorimi i personave që mund të jenë ekspozuar, me synimin për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Autoritetet shëndetësore në disa shtete po ndjekin nga afër situatën, ndërsa karantina në anije dhe masat e sigurisë vazhdojnë të mbeten në fuqi







