Hantaviruset janë viruse zoonotike që infektojnë natyralisht brejtësit dhe herë pas here transmetohen te njerëzit. Infeksioni tek njerëzit mund të shkaktojë sëmundje të rënda dhe shpesh fatale, megjithëse simptomat dhe ashpërsia ndryshojnë sipas llojit të virusit dhe rajonit gjeografik.
Në Amerikë, infeksioni mund të çojë në sindromën pulmonare kardiake nga hantavirusi (HCPS), një gjendje e shpejtë dhe e rëndë që prek mushkëritë dhe zemrën. Ndërsa në Evropë dhe Azi, hantaviruset shkaktojnë ethe hemorragjike me sindromë renale (HFRS), që prek kryesisht veshkat dhe enët e gjakut.
Nuk ekziston trajtim specifik që shëron sëmundjen, por kujdesi i hershëm mjekësor mbështetës është thelbësor për mbijetesën. Ai fokusohet në monitorimin e ngushtë dhe trajtimin e komplikacioneve të frymëmarrjes, zemrës dhe veshkave. Parandalimi bazohet kryesisht në shmangien e kontaktit me brejtësit e infektuar.
Klasifikimi i virusit
Hantaviruset i përkasin familjes Hantaviridae, brenda rendit Bunyavirales. Çdo virus zakonisht lidhet me një specie të caktuar brejtësish, ku ai mbijeton pa shkaktuar sëmundje te kafsha.
Vetëm disa lloje shkaktojnë sëmundje te njerëzit:
-Në Amerikë, përfshirë virusin Andes, mund të ndodhë edhe transmetim i rrallë nga njeriu te njeriu, kryesisht në Argjentinë dhe Kili.
-Në Evropë dhe Azi, transmetimi nga njeriu te njeriu nuk është dokumentuar.
Përhapja dhe barra e sëmundjes
Hantaviruset janë relativisht të rralla globalisht, por kanë shkallë vdekshmërie të lartë:
1%–15% në Azi dhe Evropë
deri në 50% në Amerikë
Çdo vit ndodhin nga 10 mijë deri mbi 100 mijë infeksione në botë, kryesisht në Azi dhe Evropë.
Në Kinë dhe Korenë e Jugut: mijëra raste HFRS çdo vit
Në Evropë: disa mijëra raste, kryesisht në veri dhe qendër
Në Amerikë: disa qindra raste HCPS në vit
SHBA: më pak se 1 mijë raste gjithsej të raportuara
Edhe pse më i rrallë në Amerikë, HCPS ka vdekshmëri të lartë (20%-40%), duke e bërë një problem serioz shëndetësor.
Transmetimi
Njerëzit infektohen kryesisht përmes kontaktit me urinën e brejtësve, jashtëqitjet dhe pështymën.
Më rrallë, përmes kafshimit të brejtësve.
Rreziku rritet gjatë aktiviteteve si pastrimi i hapësirave të mbyllura, bujqësia, qëndrimi në ambiente me brejtës.
Transmetimi nga njeriu te njeriu është shumë i rrallë dhe është dokumentuar vetëm për virusin Andes.
Simptomat
Simptomat shfaqen zakonisht 1-8 javë pas ekspozimit dhe përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, përzjerje dhe të vjella
HCPS mund të përparojë shpejt në vështirësi në frymëmarrje, lëng në mushkëri, shok.
HFRS mund të çojë në ulje të tensionit, çrregullime të koagulimit, dështim të veshkave
Diagnostikimi
Diagnostikimi i hershëm është i vështirë sepse simptomat ngjajnë me gripin, COVID-19, etj. Prandaj është i rëndësishëm historia e pacientit (kontakt me brejtës, udhëtime, ekspozim mjedisor).
Konfirmimi bëhet përmes testeve të antitrupave (IgM/IgG), RT-PCR për zbulimin e ARN-së virale.
Mostrat trajtohen si rrezik biologjik dhe kërkojnë masa të rrepta sigurie.
Trajtimi
Nuk ekziston vaksinë apo antiviral specifik. Trajtimi është mbështetës: kujdes intensiv mjekësor, trajtimi i komplikacioneve të mushkërive, zemrës dhe veshkave.
Trajtimi i hershëm rrit ndjeshëm shanset e mbijetesës.
Parandalimi
Parandalimi bazohet në reduktimin e kontaktit me brejtësit:
–pastrim dhe higjienë e mirë
–mbyllja e hyrjeve të brejtësve në ndërtesa
–ruajtja e ushqimit të sigurt
–shmangia e pastrimit të thatë të jashtëqitjeve të brejtësve
–lagia e zonave të ndotura para pastrimit
–higjiena e duarve
Parandalimi në spitale
Rreziku i transmetimit në spitale është i ulët nëse respektohen masat:
–higjiena e duarve
–pastrimi i mjedisit
–përdorimi i pajisjeve mbrojtëse
–izolimi i rasteve të dyshuara
–masa mbrojtëse gjatë procedurave që krijojnë aerosol
Zbulimi i hershëm dhe respektimi i protokolleve janë thelbësore për mbrojtjen e personelit shëndetësor.







