Netflix po përballet me një padi në shtetin amerikan të Teksasit, pasi autoritetet e akuzojnë kompaninë për mbledhje të të dhënave personale të përdoruesve, mes të cilëve edhe fëmijë, pa pëlqimin e tyre. Madje dhe se përdor dizajn që krijon efekt varësie te përdoruesit, për t’i mbajtur të lidhur pas platformës.
Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, akuzoi gjigantin e transmetimit online për “spiunim” të qytetarëve, duke thënë se ai “regjistron dhe fiton para nga miliarda” informacione mbi mënyrën se si përdoruesit sillen në platformë, pavarësisht se kishte sugjeruar të kundërtën.
“Çdo ndërveprim në platformë u bë një pikë të dhënash që zbulonte informacion për përdoruesin,” tha zyra e tij.
Netflix i ka hedhur poshtë pretendimet dhe ka deklaruar se do t’i kundërshtojë ato në gjykatë.
“Me gjithë respektin për shtetin e madh të Teksasit dhe Prokurorin e Përgjithshëm Paxton, kjo padi nuk ka bazë dhe mbështetet në informacione të pasakta dhe të shtrembëruara,” tha një zëdhënës i Netflix-itpër agjencinë e lajmeve Reuters.
“Netflix e merr seriozisht privatësinë e anëtarëve tanë dhe respekton ligjet për privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave kudo që operon.”
“Kur shikoni Netflix, Netflix-i ju shikon ju,” thuhet në padinë e ngritur të hënën nga prokurori kryesor i Teksasit.
Sipas dokumentit të padisë, kompania e transmetimit ishte paraqitur si ndryshe nga kompanitë e tjera të mëdha të teknologjisë në mënyrën se si i përpunonte të dhënat dhe i reklamonte te përdoruesit.
Aty citohet ish-drejtuesi i kompanisë, Reed Hastings, i cili në vitet 2019 dhe 2020 kishte deklaruar se kompania nuk mblidhte dhe nuk do të fitonte para nga të dhënat e përdoruesve, si për shembull për shitjen e reklamave.
Por padia thotë se Netflix përdorte një kombinim funksionesh dizajni që krijonte efekt varësie, si nisja automatike e përmbajtjes (auto-play), dhe regjistrimin e gjerë të aktivitetit të përdoruesve për t’i mbajtur njerëzit në platformë.
Mes miliarda ngjarjeve teknike që regjistroheshin ishin ato ku përdoruesit klikonin, ndaleshin apo qëndronin për një kohë të caktuar, shton padia.
Siç shkruan BBC, në vitin 2022, kompania thuhet se filloi gjithashtu “të shfrytëzonte malet me të dhëna që kishte nxjerrë fshehurazi nga fëmijët dhe familjet që i mbante të fiksuar pas ekranit”, duke i ndarë këto me ndërmjetës komercialë të të dhënave për të ndihmuar në gjenerimin e miliarda dollarëve të ardhura.







