Guardia di Finanza ka finalizuar operacionin e koduar “Red Jack”, i konsideruar si një nga goditjet më të mëdha financiare në sektorin e lundrimit turistik në Itali.
Aksioni, i udhëhequr nga Njësia e Operacioneve Ajrore dhe Detare e Cagliarit, ka nxjerrë në dritë një skemë masive të evazionit fiskal nga ana e pronarëve të mjeteve luksoze.
Hetimet disamujore kanë identifikuar 100 anije dhe jahte që operonin në ujërat italiane, por që ishin regjistruar në shtete të tjera për të shmangur taksat. Edhe pse mjetet lundronin nën flamuj të huaj, ato ishin në përdorim të plotë nga shtetas rezidentë në Itali, të cilët nuk i kishin deklaruar ato pranë autoriteteve tatimore.
Miliona euro nën “sitë”
Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet italiane:
- Vlera e mjeteve të hetuara: Mbi 48 milionë euro.
- Gjobat e parashikuara: Mund të arrijnë deri në 23 milionë euro.
Ky operacion tregon vëmendjen e shtuar të shtetit fqinj ndaj pasurive të paluajtshme dhe lëvizshme që qarkullojnë jashtë sistemit fiskal, duke goditur direkt majat e luksit që tentojnë t’i ikin detyrimeve ligjore.







