HomeKultureShkrimi me rastin e pervjetorit te lindjes te Muharrem Xhedikut

Shkrimi me rastin e pervjetorit te lindjes te Muharrem Xhedikut

Advertismentspot_img

Muharrem Xhediku dhe drama e modernitetit shqiptar (me rastin e përvjetorit të lindjes)

Si sot, më 15 maj 1917, lindi Muharrem Xhediku, kompozitor dhe një nga pionierët e muzikës moderne shqiptare. Figura e tij lidhet ngushtë me zhvillimin e muzikës së re shqiptare dhe me futjen e elementeve europiane në kompozim, duke sjellë një vizion artistik të avancuar për kohën e vet.

Figura e Xhedikut mbetet një nga rastet më domethënëse për të kuptuar jo vetëm historinë e muzikës shqiptare, por edhe vetë dramën kulturore të Shqipërisë së periudhës komuniste. Ai nuk ishte thjesht një kompozitor tangosh apo këngësh sentimentale qytetare, ai përfaqësonte një frymë të tërë kulturore, në një Shqipëri që kërkonte të hynte në ritmin modern të kohës.

Në periudhën midis dy luftërave botërore dhe në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, muzika shqiptare po kalonte një transformim të thellë. Brezi i kompozitorëve ku bënte pjesë edhe Xhediku, synonte krijimin e një muzike moderne qytetare shqiptare, duke u larguar gradualisht nga dominimi estetik osmano-oriental dhe duke u afruar me format europiane të kohës si tango, vals, jazz, swing, romanca, dhe orkestracion modern.

Në qytete si Korça, Shkodra dhe Tirana po zinte vend një kulturë e re qytetare që kërkonte të përjetonte të njëjtën frymë muzikore që vinte nga Perëndimi, veçanërisht nga Italia. Në këtë kontekst, Xhediku u bë një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të kësaj fryme të re të muzikës shqiptare.

Shpesh është mbrojtur ideja se brezi i parë i artistëve pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur më shumë liri krijuese sesa periudhat e mëvonshme të diktaturës. Megjithatë, dokumentet historike tregojnë një realitet më kompleks. Kontrolli ideologjik mbi artin nisi herët, fillimisht në mënyrë të heshtur dhe më pas në formë institucionale, duke kufizuar gradualisht frymën e re modernizuese që sapo kishte marrë formë, veçanërisht në fushën e muzikës.

Me konsolidimin e regjimit komunist dhe krijimin e Lidhjes së Artistëve të Shqipërisë në vitin 1949, arti u vendos gradualisht nën kontrollin ideologjik të institucioneve kulturore të kohës. Në këtë klimë, muzika moderne qytetare nisi të stigmatizohej si “borgjeze” dhe e ndikuar nga Perëndimi.

Një moment kyç ishte Pleniumi i Lidhjes së Artistëve më 25–26 dhjetor 1953, i cili konsolidoi orientimin ideologjik të artit drejt realizmit socialist. Në raportin e mbajtur nga Dhora Leka në plenumin pasues (shkurt 1954), u kritikuan ashpër prirjet e konsideruara “të huaja” dhe “dekadente” në muzikën shqiptare.

Në qendër të kësaj kritike u vendos edhe emri i Muharrem Xhedikut, “për një rrugë të gabuar në disa nga krijimet e tij” (Revista Nëntori, nr. 3, mars 1955, f. 178).

Kjo kritikë nuk ishte thjesht estetike. Ajo shënoi fillimin e institucionalizimit të kontrollit politik mbi krijimtarinë artistike. Kërkohej shkëputja nga ritmet perëndimore, dhe orientimi drejt një muzike të mbështetur mbi folklorin dhe modelin ideologjik socialist.

Kritika ndaj Xhedikut u shndërrua në një paralajmërim për të gjithë krijuesit e kohës. Arti duhej t’i shërbente vijës së Partisë. Si pasojë, shumë artistë filluan vetëcensurën, duke kufizuar temat, format muzikore dhe përdorimin e elementeve moderne.

Në këtë mënyrë, muzika nuk ishte më një hapësirë eksperimentimi artistik, por një instrument edukimi politik.

Paradoksi shqiptar qëndron në faktin se ky konservatorizëm kulturor shpesh shkoi më larg se në vetë Bashkimin Sovjetik. Ndërsa në disa vende të Lindjes elemente të muzikës Perendimore mbijetuan në forma të ndryshme, në Shqipëri ato u konsideruan rrezik ideologjik.

Pas ndarjes nga jeta, një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së Xhedikut u ndalua ose u hoq nga qarkullimi publik, përfshirë këngë si “Falmi sytë e shkruar”, “Unë për ty më s’do të shkruaj”, “Te qiparisi”, “Këndo, kitara ime”, “Ditë e majit” Lisi Plak, “Në park” e të tjera.

Ndërkohë, një pjesë tjetër e veprës së tij, veçanërisht këngët popullore qytetare dhe përpunimet folklorike, si; “Cuca e Radomirës”, “Shkon djali termale”, “Shamia e ushtarit”, “Baresha”, “Mihane”, “Hajde shpirt se erdh’ pranvera”,  “Hallet e bilbilit”, “Syrin ma ke filxhanlli”, “Mori vashë syzezë”, “Çelin lulet në pranverë”, “Te kroni” etj, etj, interpretoheshin në ansamble dhe institucione kulturore, shpesh pa u përmendur emri i autorit.

Megjithatë, historia shpesh korrigjon vetveten përmes kujtesës kolektive. Sot, dekada më vonë, këngët e Xhedikut vazhdojnë të jetojnë në repertorin e muzikës shqiptare, dhe në kujtesën muzikore të publikut.

Kjo dëshmon se arti i vërtetë mbijeton përtej ideologjive. Shumë autorë të promovuar nga institucionet mund të zbehen me kohën, ndërsa vepra që prek ndjeshmërinë kolektive mbetet e gjallë.

Në këtë rast, publiku shqiptar ka ruajtur jo vetëm meloditë e Xhedikut, por edhe kujtimin e një Shqipërie tjetër, më të hapur ndaj Europës, të ndërprerë nga zhvillimet politike.

Në një plan krahasues, Xhediku mund të vendoset pranë figurave si Carlos Gardel, i cili e shndërroi tangon në simbol kombëtar. Në mënyrën e tij, edhe Xhediku i dha muzikës qytetare shqiptare një identitet modern dhe urban.

Analogji të pjesshme mund të gjenden edhe te Zeki Müren, i cili modernizoi muzikën urbane turke duke ruajtur ndjeshmërinë lindore.

Po ashtu, në Europën Lindore mund të krahasohet me Mieczysław Fogg, i cili përfaqëson nostalgjinë muzikore të një epoke të tërë.

Megjithatë, rasti i Muharrem Xhediku mbetet unik. Ndryshe nga vendet e tjera ku modernizimi muzikor vazhdoi natyrshëm, në Shqipëri ai u ndërpre nga izolimi ideologjik. Për këtë arsye, Xhediku dhe shumë artistë të tjerë të kohës simbolizojnë një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së artit shqiptar, ku krijimtaria artistike e tyre, u dënua me heshtje, përjashtim dhe ndalim, duke u shkëputur për dekada nga publiku dhe kujtesa kulturore e brezave.

Emri i Muharrem Xhediku i është rikthyer publikut dhe botës së artit, duke zënë sot një vend nderi në historiografinë e artit shqiptar. Ai është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar” dhe është nderuar në vitin 2020 nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Muharrem Xhediku nuk kujtohet vetëm si kompozitori i tangos shqiptare. Ai mbetet simbol i një moderniteti kulturor të ndërprerë, i mishëruar në një krijimtari që i mbijetoi kohës dhe iu rikthye publikut si dëshmi e rëndësishme historike dhe kulturore e rrugëtimit të muzikës moderne shqiptare.

Dhurata Kola Kaloshi

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular