Partia Socialiste ka propozuar sot në 21 maj ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit.
PS kërkon heqjen e konkursit në Departamente dhe Drejtori. Kjo, pasi e konsideron këtë proces se është i tejzgjatur dhe pa produktivitet.
Po ashtu, PS kërkon që të hiqet konkursi edhe për shefat e komisariateve.
“Procedura e përzgjedhjes së drejtuesve të strukturave të nivelit të lartë policor, është kthyer në pengesë në vetë ushtrimin e veprimtarisë së tyre, kanë ulur ndjeshëm reagimin dhe produktivitetin e veprimtarisë qoftë administrativ po ashtu dhe atë operativ, për shkak të një procesi konkurrimi të tejzgjatur në kohë dhe pa produktivitet përzgjedhje. Zhvillimi i këtij procesi, ka shtuar procedurat burokratike, formale dhe aspak efektive për përzgjedhjen e drejtuesve në pozicione të larta drejtuese, atë të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, drejtorit të departamentit, drejtuesit vendor dhe deri tek shefi i një komisariati”, thuhet në relacion.
Ndërsa, kryepolici mund të kthehet sërish në detyrë, pasi të përfundojë mandatin, duke mbajtur gradën “Drejtues i parë”.
“Një ish-Drejtor i Përgjithshëm nuk është thjesht një emër, por përfaqëson një investim dekadash të shtetit, me njohuri të larta akademike dhe eksperiencë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vlerësimi për krijimin e hapësirave ligjore për vijimin e tij në strukturat policore, mundëson që kjo eksperiencë të mos humbasë, por të përdoret në funksione këshillimore, pedagogjike në Akademi, apo si oficer kontakti. Kjo i përgjigjet nevojës që dija menaxheriale të vijojë t’i shërbejë institucionit, pa cenuar autoritetin e drejtuesit pasardhës”, thuhet më tej.
Gjithashtu, parashikohet ngritje në gradë për efektivët që kanë rezultate edhe për 4 vite.
“Një afat prej 5 vitesh për secilën gradë, vlerësohet më shumë si kriter formal dhe i tejzgjatur, duke krijuar një demotivim te profesionistët që prodhojnë rezultate. Në këtë këndvështrim, me synimin për një sistem më fleksibël, vlerësohet ulja e afatit të qëndrimit në këto grada, duke shmangur kohën si element formal dhe zhvendosur fokusin te performanca.
Nuk ka sens që një punonjës policie i zoti, i cili jep rezultate në hetimin e krimit apo në rendin publik, t’i nënshtrohet një afati kaq të gjatë, ndërkohë që ka nevoja emergjente për të plotësuar vendet vakante në nivelin drejtues”, saktësohet në relacion.







