HomeTe tjeraÇfarë dinte Naxhije Dume për vrasjen e Qemal Stafës? Dëshmitë për enigmat...

Çfarë dinte Naxhije Dume për vrasjen e Qemal Stafës? Dëshmitë për enigmat e luftës! Grackat për Shanton dhe Vojo Kushin

Advertismentspot_img

SEJDO HARKA

Si një përmendore e gjallë, gdhendur në faqet e historisë së kohës, ka mbetur në kujtesën tonë portreti i Naxhije Dumes, e para grua ministre në Shqipëri. Për herë të parë, nga afër e takova, në nëntor të vitit 2003, kur m’u dha mundësia ta intervistoj për gazetën “Mësuesi”, në atë kohë organ i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Për ta bërë sa më interesante intervistën, paraprakisht shfletova, jo vetëm Arkivin Qendror të Shtetit, por edhe kujtimet e saj dhe shtypin e viteve, kur ajo luftoi e punoi. Ndërsa, për të biseduar nga afër, shkova në shtëpinë e saj, ku ajo jetonte me djalin e saj, në një hyrje të vjetër me qira, që ndodhej në Tiranën e Re. Naxhijen e gjeta pranë një tavoline të vjetër, ku shkruante kujtimet e saj. Barra e 83 viteve të vështira të jetës, sëmundja e gjatë dhe hallet e brengat e kishin ligështuar, por nuk e kishin gjunjëzuar për asnjë çast. Në fjalët e saj ndjeva jehonën e Luftës për liri, shijen e hidhur të lotëve e të vuajtjeve pafund, kujtesën e freskët, të përzierë me shpresën për një jetë më të mirë dhe ëndrrën për liri, e cila iu shndërrua në një ferr plot vuajtje e mjerim.

KUSH ISHTE NAXHIJE DUME

Naxhije Dume u lind më 3 janar të vitit 1921, në fshatin Lubonjë të Kolonjës, në një familje atdhetare dhe arsimdashëse. Babai i saj, Dume Dumja ishte specialist pyjesh. Ai luftoi kundër forcave rebele të Haxhi Qamilit, ndërsa nëna e saj, Vezirja, e ndoqi Naxhijen pas në çdo vështirësi të jetës. Shtëpia e saj, në rrugën e Shëngjergjit, në Tiranë, ku rrinte me qira u bë bazë e rëndësishme e luftës për liri. Nga që i ati punonte nëpunës dhe lëvizte shpesh nga një qytet në tjetrin, Naxhijes iu desh ta vazhdonte shkollën në shumë rrethe të vendit, si në Ersekë, Sarandë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Në vitet 1933-1941, mbaroi Institutin Femëror “Nëna Mbretëshë”, nga i cili ruante kujtime të bukura. Ja, ç’më tregoi Naxhija në intervistën e vitit 2003: “Vitet e Institutit Femëror ishin vitet më të bukura të rinisë sime. Kujtoj me shumë dashuri, se si shkolla jonë u shndërrua në një vatër e mrekullueshme diturie, kulturore dhe atdhetare”. Në atë kohë, drejtor ishte i respektuari Sotir Papakristo, njeri shumë autoritar dhe një nga pedagogët më të përkushtuar të arsimit shqiptar. Ndërsa pedagogët, që na dhanë dije e kulturë, midis të tjerëve, ishin Marije Kraja, Lola Gjoka, Ollga Nikolla (Luarasi) etj..

Në këtë shkollë, ajo ka studiuar me Meri Papakriston, Fatbardha Ficon, Liri Gegën, Nermin Vlorën, Margarita Tutulanin, Liri Belishovën, Eleni Pashkon, Nexhmije Xhunglinin, Fiqirete Sanxhaktarin etj. , të cilat më vonë u bënë antifashiste dhe personalitete të njohura të regjimit monist. Si anëtare e grupit të Shkodrës, që vepronte në Tiranë, Naxhija ishte e lidhur ngushtë me Qemal Stafën, Vojo Kushin, Tuk Jakovën, Kristaq Tutulanin e të tjerë. Pas mbarimit të këtij Instituti, Naxhija u emërua mësuese në shkollën “Avni Rustemi”, në kryeqytet. Mori pjesë në të gjitha demonstratat antifashiste të ditëve të para të vitit 1939. Për veprimtarinë e saj tepër aktive, u vu në ndjekje nga kuestura, gjë që e detyroi që të punonte në ilegalitet. Në vitin 1943, mori pjesë në Konferencën e Parë të P. K. Sh. të vendit dhe, kur ajo ishte vetëm 23 vjeçe, u zgjodh një nga 15 anëtarët e Komitetit Qendror të P K Sh. Një vit më vonë, u zgjodh delegate e qarkut të Korçës për në Kongresin e Përmetit, nga ku u kthye anëtare e Këshillit Antifashist. Së bashku me Kristo Themelkon, bënë organizimin e Brigadës së 22-të Sulmuese. Naxhija ishte një nga gratë, që mori pjesë në mbledhjen për krijimin e Qeverisë së parë shqiptare, në Berat. Me transferimin e Qeverisë së re në Tiranë, u emërua pranë aparatit të KQ të PPSH dhe më vonë Sekretare e Parë e Komitetit të Partisë së Tiranës, ku qëndroi deri në vitin 1947. Në dhjetor të vitit 1946, ajo u zgjodh deputete në Kuvendin Popullor. Ndërsa më 6 shkurt të vitit 1948, Naxhije Dume emërohet Ministre e Arsimit.

NAXHIJE DUME, MINISTRE E ARSIMIT

Në fillim – tregonte ajo – kur u emërova ministre e Arsimit, nuk dija nga t’ia filloja. Nuk rrinim dot në zyrë, sepse ishim çmësuar të punonim në tavolinë. Nuk komunikonim dot në telefon, se ishim mësuar ta bënim këtë me korrier. Nuk shtypnim dot shkresa në makinë, sepse ishim mësuar të komunikonim gojarisht. Emërimi im në këtë post ishte emocionues dhe i papritur. Mua më thirrën Koçi dhe Enveri, në shtëpinë e këtij të fundit dhe më komunikuan se, me vendim të Byrosë Politike, isha emëruar ministre e Arsimit.

Në çast, belbëzova një “faleminderit”, por mendja gjithnjë më punonte, se si do ta kryeja këtë detyrë aq të vështirë. Më pas, kur e mblodha veten, i thashë Enverit, se isha shumë e re dhe se e ndieja veten nxënëse përpara profesorëve te mi, të cilët do t’i kisha vartës në Ministri. E ndieja veten të ndrojtur, sepse në atë Ministri, më parë kishin punuar Gjergj Kokoshi, shkodrani i urtë e me kulturë të gjerë, dhe Sejfulla Malshova, që më dukeshin shumë më të zotë se unë. Para meje dilnin detyra të vështira. Duheshin kompletuar shkollat e mesme, dhe sidomos ato unike e fillore me kuadër, literaturë, banka e materiale didaktike, të cilat mungonin thuajse krejtësisht. Vetëm në qytetet kryesore ekzistonin shkolla të rregullta. Ndërsa në fshatra mungonte gjithçka. Na duhej të emëronim mësues me arsim 7-vjeçar, sepse kishim mungesë të madhe kuadri.

Dilte në plan të parë organizimi i kurseve kundër analfabetizmit, kualifikimi i mësuesve dhe gjithë punonjësve të arsimit, organizimi i botimeve masive të teksteve të reja shkollore. Kishte ardhur koha të mendonim për shkollën tonë të lartë kombëtare. Si fillim, duhej të krijonim Institutin e Lartë Pedagogjik, shtëpitë e pionierit dhe vatrat e kulturës, muzeumet, bibliotekat, Institutin e Shkencave, Teatrin Popullor, Estradën e Shtetit, Lidhjen e Shkrimtarëve, që do të ishin bazat e Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Një pjesë e këtyre institucioneve kishin filluar të organizoheshin me kohë, por ishin të pakonsoliduara. Kështu, në këto kushte të vështira për mua, por edhe për vendin, fillova punën e Ministres. Në këtë post qëndrova vetëm 6 muaj, sepse pas Kongresit të Parë të PKSh-së u përjashtova nga detyra e lartë që mbaja, pas akuzave të rënda nga Enveri dhe Mehmeti, se gjoja po i jepja arsimit drejtim projugosllav dhe antisovjetik”.

NË SHËNJESTËR TË POLITIKËS MONISTE

Po, cila ishte arsyeja e vërtetë, që Naxhije Dume u vu në shenjestrën e partisë-shtet të kohës, pas punimeve të Kongresit të Parë?! Ja ç’tregon ajo: “Në këtë Kongres, thekson ajo, sqarova se, për gabimet e Plenumit të 8-të të KQ , përgjegjësi kishim të gjithë, sepse askush nuk diskutoi kundër rezolutës së tij. Por kjo gjë nuk u pëlqeu krerëve të udhëheqjes. I pari u hodh Mehmeti, i cili tha: ‘’Ta rrahim hekurin sa është i nxehtë, sepse konkluzionet e Naxhijes godasin krerët kryesorë të udhëheqjes!?

Kështu filloi persekutimi im 54-vjeçar. Për një kohë të gjatë, agjentët e sigurimit më gjurmuan për të më arrestuar. Pra, vazhduam të jetonim në një tmerr të pafund, deri sa u përmbys sistemi diktatorial”. Në vitet 1951-1953, ajo punoi si drejtoreshë e Muzeut Arkeologjik dhe Etnografik, ndërsa në vitin 1956 drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare. Këtu punoi edhe 3 vjet të tjera, deri në çastin e shpërthimit të goditjeve të fuqishme, që do t’ia shkatërronin jetën. Si përfundim, e transferuan në Cërrik, ku mbeti pa punë. Ndërsa i shoqi i saj, Nesti Kerenxhi, në atë kohë, punoi në ndërtimin e rafinerisë së naftës.

Më vonë, Naxhija punoi në Elbasan, drejtoreshë e bibliotekës, por shpejt atë e dërguan mësuese të thjeshtë në këtë qytet. Në vitin 1961, nga që i shoqi u emërua drejtor i minierës së Selenicës, shkoi për të jetuar atje. Pas konferencës së njohur të Partisë në Tiranë, filloi kalvari i ri edhe më i egër politik e administrativ ndaj Naxhije Dumes dhe bashkëshortit të saj, Nesti Kerenxhi. Pasi punoi gjatë si mësuese e thjeshtë, në vitin 1972 doli në pension. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1982, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe arrestimit të Kadri Hzbiut, i shoqi i saj, Nesti Kerenxhi u burgos dhe doli prej tij në shtator të vitit 1983. Prej këtej filloi internimi në Mavrovë e në Selenicë të Vlorës. Vetëm në vitin 1996 u kthye përsëri në Tiranë. Gjatë Luftës dhe punës, ajo ka marrë disa dekorata, si “Urdhri i Flamurit”, “Urdhri i Lirisë”, “Urdhri i Trimërisë”, “medalaja e Kujtimit”, “medalja e Trimërisë” e “medalja e Çlirimit”, të cilat për arsye të qëndrimeve të saj politike, i u hoqën padrejtësisht për gjithnjë. Por meritat e saj të luftës për liri dhe të punës për ndërtimin e vendit nuk mund t’i mohojë askush.

DRITË MBI VRASJET ENIGMATIKE TË LUFTËS

Në kujtimet e saj, Naxhije Dume hedh dritë edhe mbi vrasjet enigmatike, të disa Heronjve të Luftës. “Kur vendosa të them të gjitha ato që di rreth Luftës dhe regjimit të kaluar, thekson ajo në kujtimet e saj, mendova se kështu mund t’i shërbej sadopak historisë së vendit tim. Këto kujtime janë testamenti im i fundit, para se të largohem, mjaft e lodhur nga kjo botë, por e qetë, sepse mbi ndërgjegjen time nuk kam shkelur kurrë. Nuk mund të hesht nga shtrembërimet, që i bëhen historisë nga disa pseudohistorianë.

Tërë jetën më ka ngacmuar pyetja, se si u vra Q. Stafa?! Deri në atë kohë Qemali banonte në shtëpinë time, në rrugën e Shëngjergjit. Më tha ta kontrolloja shtëpinë e re, fatale për të, ku një ditë më pas ai do të vritej. Kur e takova, i thashë me ngulmim, se ajo shtëpi nuk ishte e përshtatshme për të qenë bazë e tij, pasi ishte e pasigurt. Përveç meje, për këtë bazë kishte dijeni vetëm Enveri. Për mua ka ngelur enigmatik fakti, se nga e dinte Kristo Themelko këtë bazë kaq të rëndësishme, në kushtet e konspiracionit tonë të madh?! Kjo enigmë nuk u zgjidh kurrë, as pas çlirimit.

Në shtëpinë e re Qemali gjeti Dritën, gruan e Zefit, Kriston dhe shokun e panjohur. Papritur, panë se ishin të rrethuar nga forcat policore. Themelko (Shulja) shpëtoi për mrekulli, ndërsa Qemali u vra!? Kjo ishte ngjarja më tronditëse për ne, shokët e tij. Në qoftë se Kristo Themelko do të kishte faj, Enveri nuk do ta linte pa e ndëshkuar rëndë. Për mua, konkluzioni përfundimtar do të ishte ky: Enver Hoxhën, më shumë se kompleksi i neglizhencës, e ka munduar kompleksi i vetëfajësisë për vrasjen e Qemalit”. Ndërsa për vrasjen e Vasil Shantos, Naxhije Dume kujtonte: “Takimi i fundit me Vasil Shanton (në Korçë) më ka lënë mbresa të veçanta. Ai ishte caktuar ta shoqëronte Tempon në Mal të Zi.

Shpesh herë më ka shqetësuar pyetja: Vallë, ky qëndrim duhej mbajtur me një personalitet, si Vasil Shanto?! Ky hero atentator, mjeshtër i madh i luftës guerile, që ishte aq i vyer për Shqipërinë, a duhej keqpërdorur, si shoqërues e korrier i tij?! Mbaj mend, se Vasili më tha: Naxhije, ky do të jetë udhëtimi im i fundit. Në fakt, ashtu ndodhi. Ai u vra në rrethana enigmatike, duke u kthyer nga misioni i fundit luftarak. Me vrasjen e tij, Lufta humbi një nga atentatorët dhe trimat më të rrallë të kohës”. Ndërsa më tej, ajo vazhdon: “Për t’i dhënë përgjigje enigmës së kësaj vrasjeje, më kanë ndihmuar dëshmitë e Llambrini Mitrushit, zonjës së shtëpisë, që u bë bazë e Vojo Kushit, në ato vite të stuhishme lufte. Ajo më ka thënë se, një ditë prej ditësh, vajti në shtëpinë e tyre (bazë e V. Kushit), Fiqirete Sanxhaktari (Shehu) dhe e njoftoi atë, se duhej të shkonte në shtëpinë e Kodrës së Kuqe. Në këtë shtëpi, V. Kushi e ndjente veten të sigurt, aq sa në kohë të lirë lexonte dhe libra. Kaluan shumë kohë nga kjo ndodhi tragjike dhe Llambrinisë s’i hiqet nga mendja fakti që atë ditë në Kodrën e Kuqe nuk u bë asnjë mbledhje e thjeshtë dhe jo më e rëndësishme. Në atë shtëpi mbetën të rrethuar, përveç Vojos dhe Sadik Stavelecit dhe Xhorxhi Martini, të cilët luftuan e ranë trimërisht, aq sa legjenda e Kodrës së Kuqe mbeti e përjetshme në historinë e Shqipërisë”.

Naxhije Dume u nda nga kjo jetë në moshën 87-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë e të pashërueshme, më 25 shtator të vitit 2008. Ajo u shua si kandili, kur i mbaron vaji, në një shtëpi të vjetër me qira, ku banonte me djalin e saj të dytë. Përndjekja e gjatë dhe sëmundja e pashërueshme, ia brenë shpirtin tërë jetën. “Por më shumë se çdo gjë, – ka shkruar ajo në kujtimet e saj, – më ka vrarë indiferentizmi dhe heshtja shurdhmemece e qeverive të kohëve të sotme. Askush nga pushtetarët nuk u interesua të mësonte, se ku banoja dhe ç’nevoja kisha për t’u kuruar. Ishin mjaftuar vetëm me një pension qesharak, që nuk më dilte as për ilaçe e kafe!?”. Është sa e dhimbshme, aq edhe paradoksale, kur mëson se Naxhije Dume, ish-Ministrja e parë shqiptare, e cila u ndesh dhëmb për dhëmb me lakejtë e diktaturës për të trokitur në portën e lirisë së vërtetë, u largua nga kjo botë, pa iu thënë asnjë fjalë e mirë nga pushtetarët e kohës, edhe pse u persekutua tërë jetën nga regjimi monist. Naxhije Dume u nda përgjithnjë nga jeta, krenare për bëmat e veta, duke lënë në gjumë letargjik shurdhmemecët e politikës shqiptare.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular