Të nesërmen e ditës së Europës, më 10 maj, Brukseli si rrallë herë do të gjëmonte fort shqip. Një jublie historik, i jashtëzakonshëm për nga pjesëmarrja dhe aktiviteti, do të shënonte një prej ngjarjeve të rralla, që do të mbetet mend në memorien jo vetëm të pranishmëve, por dhe të shqiptarëve në Belgjikë dhe më tej, radio “Jehona e Shqipes” do të festonte 40 -vjetorin.
Brukseli nuk kishte parë kaq shumë shqiptarë bashkë nga të gjitha trojet. Meritën e këtij takimi të rrallë, të kësaj “dasme” shqiptare në kryeqytetin e BE e ka Sakip Skepi, themeluesi i radios ”Jehona e Shqipes” i cili mblodhi personalitete të njohura të diplomacisë, botës akademike, shoqërisë civile, medias dhe diasporës shqiptare në Europë.
Mirënjohje për kontributin e z.Skepi i cili vjen në këtë përvjetor që shënon 4 dakada si prirës i bashkëthemelimit të radios “Jehona e Shqipes” së bashku me kontribuuesit historikë: Ydriz Basha, Kimete Basha – Mitrovica, Ali Islamaj, Avni Islamaj, Durak Duraku, Gani Sheta, Naim Leka dhe Musa Ukaj, të cilët morën vlerësimet me të larta në ceremoninë zyrtare. Një meritë të jashtëzakonshme Sakip Skepi ka sepse 40 vjet më parë, ai së bashku me këta përfaqësues dinjitozë të sipërpërmendur të emigracionit tonë në Bruksel ngjitën për herë të parë shkallët e godinës së Radio ” Panik” në Rue de la Ruche, 11 në Scharbeek, Bruksel me plotë emocione, pa ditur për shërbimin e madh që i bënë shqiptarëve të Belgjikës dhe çështje shqiptare në përgjithësi. Dy herë meritë sigurisht ka z.Skepi për atë që ka përçuar deri më sot, duke e mbajtur me sakrificë, por me ndenjën e atdhedashurisë i bindur që po bën më të mirën për shqiptarinë duke e mbajtur gjallë gjuhën shqipe në Bruksel. Falenderim meriton sepse së bashku me stafin aktual të radios – Ragip Dekolli, Spartak Fikaj, Flavia Kuqi, Enida Rrapaj dhe Anila Malaj mbajnë lart zërin dhe gjuhën shqipe si dhe patën një rol të rëndësishëm në organizimin dhe realizimin e jubileut të 40-vjetorit të radios, duke dëshmuar se “Jehona e Shqipes” vazhdon të mbetet një institucion mediatik aktiv dhe me energji të re dhe do të vazhdojmë të të gjëmojë shqip.
Sakip Skepi e ka zbatuar në praktikë këshillën kenediane: Mos pyesni çka bërë Atdheu për ju, por çfarë keni bërë ju për Atdheun”, e nëse të gjithë do kishin bërë sa ai Shqipëria pse jo sot do të ishte anëtare e BE.
Nata e parë e festës së “ditëlindjes” së Jehona e Shqipes!
Ka mbërritur në Bruksel vetëm 5 vjeç, por Sakip Skapi ka trashëguar mësë miri traditën e mikpritjes së shqiptarit dhe dibranit dhe si amant të prindërve që; shtëpia është e zotit dhe e mikut.
Që më 9 maj, personalisht do të kujdesej të priste mysafirët në aeroport duke i marrë dhe akomoduar e më pas ftuar në një pritje argëtuese në mbrëmje, ku sërish nuk do të shpëtonin bisedat për atë histori suksesi të tij; 40-vjetorin e radios “Jehona Shqipe” dhe jo vetëm. I edukuar me ndjenjat patriotizmit dhe atdhedashurisë nga babai i tij Lam Skepi, një personalitet i njohur i Dibrës e gjithë Shqipërisë, Sakipi mundësoi, përhapjen në valët radiofonike, por nëpërmjet radios “Jehona e Shqipes”, mbajti gjallë rrënjët e fisit e të familjeve të para të Dibrës e gjithë Shqipërisë, si dhe të diasporës shqiptare.
Sakip Skepi më iniciativën e themelimit të radios “Jehona e Shqipes” nisi të shkruaj një kapitull të ri në kryeqytetin e Europës. Ishin vite kur në Shqipëri rrëgjimi monist kishte kaluar çdo gjë deri në izolim. Shqipëria ishte brenda bunkerit ku prodhoheshin lajme dhe informacione sipas dëshirës së regjimit ku çdo gjë kontrollohej nga partia më parë. Të bindur që në Belgjikë e Diasporë , bashkëatdhetarët ishin në kërkim të të vërtetave, kishin uri për lajmin e saktë, Sakipi me shokë do të ngrinin “Jehona e Shqipes” si një dritare informacioni të besueshme tek e cila do të mësoheshin të vërtetat.
Jehona e Shqipes u kthye në një tribunë të madhe të fjalës dhe mendimit të lirë. Tek kjo dallëndyshe e fjalës së lirë kanë dhënë mesazhet e tyre bashkatdhetarët tanë qytetarë të thjeshtë deri tek kolosët e artit, kulturës dhe letërsisë sonë, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ibrahim Rrugova, Rexhep Qosja, Femi Agani, Anton Çeta, Mentor Çoku, Sami Rrepishti, Don Simon Jubani dhe përfaqësues të tjerë të klerit shqiptar, si edhe përfaqësues të opozitës së re në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Aty kanë folur artistët tanë të shquar, Mirush Kabashi, Timo Flloko, Tefta Radi, Arif Vladi, Liri Rasha, Merita Halili, Zef Deda dhe shumë të tjerë si dhe pjesë e audiencës së saj kanë qenë dhe politikanë.
Te radio Jehona e Shqipes kanë folur edhe bashkëatdhetarë të tjerë që u bënë personalitete të njohura, deputeti i parë në Parlamentin e Brukselit dhe tani Ushtruesi i kryetarit të Komunës së Molenbekut, Ahmet Gjanaj, deputetja e tanishme, Kristela Bytyçi, publicisti dhe Këshilltari i Kryebashkiakut të Brukselit, Safet Kryemadhi, zyrtarë të tjerë shqiptarë në komuna dhe dikastere, diplomatë, ambasadorë, etj. Jehona e Shqipes tërhoqi edhe vëmendjen e medias belge dhe franceze, të gazetave prestigjioze Le Soir, Le Monde dhe La Libre Belgique si dhe te televizioneve kryesore franceze dhe belge, të cilat i dhanë mbështetje morale, duke përcjellë jehonën e saj. Me kalimin e viteve, stafi i radios vazhdoi punën me përkushtim edhe më të madh, duke u ripërtërirë e u modernizuar falë rrjeteve sociale, internetit dhe dixhitalizimit. Po ashtu në 20 vitet e fundit aty erdhën njerëz dhe gazetarë të rinj, duke e rritur ndjeshëm numrin dhe sidomos cilësinë e rubrikave.
Jubileu i 40-të i Jehona e Shqipes mes sallës plotë dhe dhjetëra personaliteteve!
E diela e 10 majit, ishte një ditë tejet e veçantë për themeluesin dhe drejtuesin e radios “Jehona e Shqipes” dhe stafin pasi do të festonin 40 vjetorin. Në një atmosferë të veçantë që në orën 15:00 personalitete e ftuar do të ishin të ftuar në emisionin e radios në transmetimin live nga hoteli Renaissance ku më pas do të mbahej dhe ceremonia zyrtare. Përmes improvizimit të studios së radios brenda ambientit ku u mbajt aktiviteti ne hotelin Renaissance realizuan dhe transmetuan intervista drejtpërdrejtë, duke sjellë vlerësime, kujtime dhe dëshmi nga historia 40-vjeçare e radios.Përmes këtij programi special nën drejtimin e gazetarit dhe drejtorit Sakip Skepi, sollën mesazhe falenderuese pena të mirënjohura të publicistikës shqiptare, si: Aleksandër Çipa (President i Unionit të gazetarëve shqiptarë); Alban Daci, Mentor Nazarko, Ergys Mertiri, Agim Baçi, Basir Çollaku, Evarest Beqiri, publicisti Halil Rama, Mina Hysa gazetar dhe drejtor i startnews.al si dhe Muharrem Gjoka (Mjeshtër i Madh dhe President i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit). Fjalët më të mira për drejtorin Sakip Skepi u thanë edhe nga moderatorët e këtij emisioni special njëkohësisht dhe gazetarë profesionistë të radios “Jehona e Shqipes”; Enida Rrapaj, Spartak Fikaj e Flavia Kuqi.
Te pranishëm në aktivitet ishin gazetari shqiptar me banim në Bruksel Flori Papadhimitri si dhe gazetari dhe analisti nga Kosova Agustin Palokaj. Kjo pjesëmarrja e niveli të tillë është një dëshmi e qartë e mbështetjes që gëzon radio “Jehona e Shqipes” në botën mediatike shqiptare.Të pranishëm në këtë përvjetor ishin gjithashtu edhe personalitete të njohura nga fusha akademike dhe shoqëria civile, mes tyre avokat Jordan Daci, kreu i Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Britanike Zenel Hoxha, ish- deputeti Sali Shehu, Robert Alia, këngëtari i përmasave kombëtare Arif Vladi, si dhe publicisti dhe aktiviteti i çështjes shqiptare Eugen Shehu si dhe shumë figura të tjera që kanë kontribuar ndër vite për çështjen kombëtare dhe forcimin e lidhjeve të diasporës shqiptare me institucionet europiane.
Një moment i rëndësishëm i këtij jubileu ishte publikimi i një reviste përkujtimore kushtuar historisë dhe rolit të radios “Jehona e Shqipes”, ku personalitete të medias, diplomacisë dhe akademisë kishin shkruar mbi kontributin e saj ndër dekada. Revista u botua edhe në gjuhën frënge, duke i dhënë jubileut një dimension ndërkombëtar.Në ambientet e hotel Renaissance në Bruksel do të mbahej aktiviteti me sallën plotë, mundësuar nga themeluesi dhe drejtuesi i radios, Sakip Skepi. Të pranishëm ishin dhjetëra personalitete të njohura të medias, diplomacisë, botës akademike, shoqërisë civile dhe diasporës shqiptare në Europë. “Jehona e Shqipes” për 4 dekada ka kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës shqipe dhe informimit të lirë për shqiptarët jashtë atdheut ndaj ky jubile nuk ishte thjesht një përvjetor institucional, por një rikthim në histori, një reflektim mbi sakrificat, idealet dhe misionin që radio ka patur.
Aktiviteti u moderua nga gazetari i njohur Dëfrim Methasani, i cili i dha ritëm dhe emocion gjithë ceremonisë zyrtare.
Në këtë jubile shumë të rëndësishëm nuk munguan as autoritetet shtetërore shqiptare dhe kosovare. Të pranishëm ishin Ferit Hoxha Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, Ambasadorja e Shqipërisë në Belgjikë Albana Dautllari dhe Ambasadori i Kosovës në Belgjikë Agron Bajrami. Në fjalët e tyre, autoritetet theksuan rolin historik dhe aktual të radios “Jehona e Shqipes” si tribunë e fjalës së lirë, si mbrojtëse e gjuhës shqipe dhe si zë i rëndësishëm i diasporës shqiptare në Europë.
Me rastin e 40-vjetorit, ministri Hoxha i akordoi Sakip Skepit një certifikatë mirënjohjeje me motivacionin: – “Me rastin e 40-vjetorit të radios ‘Jehona e Shqipes’, për kontributin e çmuar në themelimin dhe drejtimin e një prej zërave më të hershëm dhe më të rëndësishëm të diasporës shqiptare në Europë, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar përmes valëve të radios.”
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës GLAUF KONJUFCA, uroi mikpritësit në këtë festë jubilare të radios “Jehona e Shqipes” duke dhënë vlerësimet maksimale për stafin dhe veçanërisht themeluesin Sakip Skepi, si dhe i shprehu mirënjohje edhe artistit Arif Vladi duke e konsiderua si zëri i gjeniut që nuk plaket kurrë. Sepse Arif Vladi sipas tij, në kohën më të errët të diktaturës komuniste u bë ura lidhëse mes mërgimtarëve dhe atdheut të tyre dhe frymëzuesi i luftëtarëve të UÇK. Edhe në këtë event Arifi u duartrokit gjatë interpretimit mjeshtëror të Hymnit kombëtar shqiptar dhe këngës që ai vetë kishte krijuar e kompozuar, kushtuar radios “Jehona e Shqipes”.
Në kuadër të mbrëmjes festive vallarët e grupit të valleve “Shqiponjat e Brukselit” nën drejtimin e Emin e Diana Hasanit, performuan valle karakteristike shqiptare.
Mirënjohje të tjera iu dorëzuan Sakip Skepit edhe nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, përmes kryetarit të saj Aleksandër Çipa.
Media online “StartNews.al” me drejtuesin Mina Hysa, e nderoi me titullin “Mirënjohje”.

Zoti Sakip Skepi mori dhe titullin “Ambasador i Paqes” që iu dha në mbyllje të këtij eventi nga Federata e Paqes Universale Shqipëri.
Në aktivitet mori pjesë edhe politikani belg David Weytsman, përfaqësues i partisë MR dhe drejtues i saj për Brukselin, si dhe gazetari belg Axel Buyse, i njohur për mbulimin e politikës së jashtme në një nga gazetat më të mëdha flamande të kohës. U kujtua gjithashtu bashkëpunimi i tij me Sakip Skepin dhe figurën e njohur kombëtare Anton Çeta në sensibilizimin e opinionit europian për çështjen e Kosovës gjatë viteve më të vështira.
Duhet theksuar se figura e Sakip Skepit mbetet një nga figurat më përfaqësuese të diasporës shqiptare në Belgjikë dhe më gjerë. I ardhur nga një familje patriotike që u largua nga Shqipëria për shkak të mospranimit të regjimit komunist, ai i ka shërbyer vazhdimisht shqiptarëve dhe çështjes kombëtare. Për dekada me radhë, Skepi ka qenë një urë komunikimi mes politikës shqiptare, institucioneve europiane, organizatave ndërkombëtare dhe diasporës shqiptare. Angazhimi i tij me “Mjekët pa Kufij”, institucionet e BE-së dhe iniciativa të shumta humanitare e kombëtare kanë lënë gjurmë të rëndësishme.
Në shumë diskutime gjatë aktivitetit u theksua se një figurë shumëdimensionale si Sakip Skepi meriton edhe vlerësime të tjera të larta shtetërore nga institucionet më të larta të Shqipërisë dhe Kosovës, për kontributin e jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e zërit të diasporës shqiptare në Europë.
Në përmbyllje të aktivitetit, shumë personalitete të medias dhe gazetarisë shqiptare u nderuan me certifikata mirënjohjeje nga Sakip Skepi në cilësinë e themeluesit dhe drejtuesit të radios “Jehona e Shqipes”, si një shenjë respekti për kontributin e tyre në mbështetje të medias shqiptare dhe diasporës.
Pas 40 vitesh, “Jehona e Shqipes” mbetet jo vetëm një radio, por një pjesë e historisë moderne të diasporës shqiptare – një zë që nuk u shua kurrë dhe që vazhdon të jehojë fuqishëm në zemrën e shqiptarëve kudo që ndodhen. 40-vjetori i radios “Jehona e Shqipes” u vlerësua si një aktivitet historik dhe emocionues, që dëshmoi se kjo radio mbetet një nga zërat më të rëndësishëm të diasporës shqiptare në Europë dhe një simbol i ruajtjes së identitetit kombëtar ndër breza.

Edhe pas 40 vitesh Sakip Skepi mundi të qëndrojë dhe të vazhdojë edhe sot të drejtojë dhe moderojë radion historike mes sakrificash duke marr vlerësimet më të mira edhe nga bashkudhëtaret e 23 Shkurtit 1986. Zoti Skapi meriton respekt dhe simpati të veçantë, për zellin dhe pasionin e treguar në funksionimin normal të radios në shqip dhe rolin e saj edhe jashtë misionit mediatik. Shteti shqiptar dhe institucionet e tij i janë borxhli.







