Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare aktori i njohur i kinematografisë dhe teatrit shqiptar Birçe Hasko, një prej figurave më të vlerësuara të skenës shqiptare. Lajmi u bë publik nga aktori i njohur Mevlan Shanaj.
“Ka ikur Birçe Hasko. Ka ikur aktori që la pas një emër të nderuar, një emër të madh në kinematografinë shqiptare. Ka ikur njeriu që solli karakterin ” popullor” të jugut duke e bërë të pavdekshëm. Iku labi Birçe Hasko. Ka ikur njeriu që i dha emrin konkretësi mjeshtrisë së interpretimit. Ka ikur ai që humorin dhe rreptësinë i kishte pronë të karakterit. Lamtumirë Mik bashkëpunëtor ! NJERI”, shkruan aktori.
Ai u dallua për interpretimet e tij të roleve komike dhe popullore, duke sjellë në ekran dhe në teatër karaktere të gjalla, veçanërisht nga jugu i Shqipërisë.
I lindur më 15 mars 1942 në Dukat të Vlorës, Hasko fillimisht punoi si mësues dhe drejtues shkolle përpara se të studionte për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Pas diplomimit, ai u angazhua si pedagog dhe më pas si dekan i Fakultetit të Artit Skenik në Akademinë e Arteve.
Gjatë karrierës së tij artistike, ai realizoi dhjetëra role në teatër dhe film, duke u bërë i njohur për interpretimet në vepra si “Njeriu me top”, “Koncert në vitin 1936”, “Radiostacioni” dhe “Përrallë nga e kaluara”. Për kontributin e tij në art, ai është nderuar me titujt “Artist i Merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh”.
Gjatë karrierës së tij, ka realizuar 32 role filmike, ndër të cilat veçohen:
“Kur zbardhi një ditë” (1970) – Sulo ballisti,
“Malet me blerim mbuluar” (1971) – Osmani,
“Njeriu me top” (1977) – Tosun Baçi,
“Koncert në vitin 1936” – Tellalli,
“Radiostacioni” (1979) – Mete Aliu,
“Dhe vjen një ditë” (1986) – Dajë Alushi,
“Përrallë nga e kaluara” (1987) – plaku i sertë,
“Shkëlqim i përkohshëm” (1988) – babai i Danes (për të cilin fitoi Çmimin e Dytë në Festivalin e Filmit),
“I dashur armik” (2005) – tregtari çifut







