Nënkryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme dhe Mbrojtjes, Klevis Balliu, zhvilloi një takim me Senatorin italian Raffaele De Rosa, anëtar i Komisionit të Tretë të Përhershëm për Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen në Senatin Italian, ku u diskutua mbi çështje që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.
Gjatë bisedës, Balliu theksoi nevojën për ndryshim në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për korrupsionin, forcimin e krimit të organizuar dhe fenomenin e shpopullimit, veçanërisht largimin masiv të të rinjve nga vendi.
Ai vlerësoi gjithashtu marrëdhënien e veçantë mes Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar se ajo shkon përtej interesave të përbashkëta gjeostrategjike.
“Italia ka qenë gjithmonë krah Shqipërisë dhe krah shqiptarëve. Mes dy popujve tanë ekziston një lidhje e veçantë shpirtërore dhe një miqësi e ndërtuar ndër vite mbi respektin dhe solidaritetin. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën që Italia i ka dhënë vendit tonë në momentet më të rëndësishme”, u shpreh Balliu.
Në takim morën pjesë gjithashtu Dr. Aniello Iacomino, Shef i Sekretarisë së Senatorit Raffaele De Rosa, znj. Francesca Marino, Këshilltare Politike e Senatorit, Bardhok Doda, Koordinator për PD Itali dhe Koordinator i Forza Italia për emigrantët në Itali, si dhe përfaqësues të Shoqatës “Emigrantët Pa Kufij” në Padova.







