Budapesti po përgatitet me intensitet për finalen e madhe të Champions League mes Arsenalit dhe Paris Saint-Germain në “Puskas Arena”. Autoritetet hungareze po organizojnë operacionin më të madh policor në historinë e vendit për një ngjarje sportive.
Zëvendësshefi i policisë tha për mediat lokale se kjo është mobilizimi më i madh i autoriteteve që është bërë në një ditë të vetme, ndërsa përgatitjet për këtë ndeshje kanë nisur që një vit më parë.
Afërsisht 4,000 policë do të jenë të pranishëm në të gjithë qytetin, pasi kjo ndeshje është konsideruar me “rrezik të lartë”. Gjashtëdhjetë mijë tifozë pritet të jenë në Budapest gjatë dy ditëve të ngjarjes, ndërsa secili nga finalistët ka marrë 17,000 bileta. Shumë tifozë të tjerë pritet të mbërrijnë pa biletë.
Për të shmangur tensionet, janë krijuar zona të veçanta për tifozët në Sheshin e Heronjve dhe në pika të tjera të qytetit.
Ngarkesa është e madhe edhe për infrastrukturën e qytetit. Aeroporti i Budapestit pritet të ketë dyfishin e fluturimeve normale, me rreth 2,000 fluturime dhe 250,000 pasagjerë gjatë tre ditëve. Janë planifikuar edhe linja të shtuar transporti publik dhe masa të rrepta trafiku. Siguria mbetet prioriteti kryesor i organizatorëve, të cilët sipas mediave lokale, kanë gjithçka nën kontroll.







