Rumania, vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian, njoftoi të premten se një dron plagosi dy persona në një qytet juglindor të vendit gjatë një sulmi rus gjatë natës ndaj Ukrainës fqinje.
Ky është rasti i parë që nga nisja e luftës kur një dron godet një zonë të populluar në territorin rumun dhe shkakton të plagosur, duke rritur shqetësimet për përhapjen e konfliktit përtej kufijve të Ukrainës.
Sipas autoriteteve rumune, droni goditi çatinë e një pallati 10-katësh në qytetin Galati, duke shkaktuar një shpërthim.
Rumania, e cila ndan një kufi tokësor prej 650 kilometrash me Ukrainën, ka raportuar 28 raste të shkeljes së hapësirës së saj ajrore nga dronë rusë që prej nisjes së sulmeve të Moskës ndaj porteve ukrainase përgjatë lumit Danub, bëri të ditur Ministria rumune e Mbrojtjes.
Ministria shtoi se deri tani janë gjetur fragmente dronësh në territorin rumun në 47 raste të ndryshme.
“Rumania do të ndërmarrë masat e nevojshme diplomatike në përgjigje të kësaj shkeljeje serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe të hapësirës sonë ajrore”, deklaroi ministrja e Jashtme rumune, Oana Toiu, në platformën X.
Ajo shtoi se Bukureshti ka informuar aleatët dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për incidentin dhe ka kërkuar përshpejtimin e transferimit të sistemeve kundër dronëve në Rumani.







