Ish deputeti Edmond Spaho, ka deklaruar se Partia Demokratike sot ndodhet në ditën e saj më të zezë. Sipas tij, pretendimet për “vjedhje” të zgjedhjeve të 11 majit janë veç shmangie nga përgjegjësitë për humbjen më të thellë të PD që nga themelimi.
Ai thotë se është i vetmi individ në PD që dha dorëheqjen nga të gjitha postet pas humbjes dhe se gjithë të tjerët po bashkëpunojnë me Ramën për të mbajtur privilegjet e tyre.
Postimi i Spahos:
Të nderuar miq,
Për të gjithë ata të cilët më kanë kontaktuar dhe më pyesin se përse emri im nuk ishte në listat e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD-së.
Pas zgjedhjeve katastrofike të 11 Majit 2025, unë jam i vetmi individ në PD që jam dorëhequr nga Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe Sekretariati i PD-së.
E kam marrë këtë veprim si shenjë të përgjegjësisë për humbjen e thellë që PD pësoi në këto zgjedhje, duke mbetur 300 mijë vota prapa PS-së.
Pretendimet për “vjedhje” të zgjedhjeve janë veç maskaradë e evitimit të përgjegjësive për humbjen më të thellë që PD ka pësuar që nga themelimi i saj.
Kjo maskaradë bëhet vetëm për të ruajtur postet dhe privilegjet e drejtuesve aktualë të opozitës, të cilët vazhdojnë me paturpësi të shiten si luftëtarë dhe misionarë të rikthimit të PD-së në pushtet.
Me keqardhje të thellë, por me këtë sjellje politike dhe me këtë ekip drejtues që ka PD-ja, më kollaj shkon në Hënë sesa vjen në pushtet.
PD-ja sot është në ditën e saj më të zezë, e mbërthyer nga një grup njerëzish pa parime e pa ndërgjegje, që interesat e tyre i kanë vënë mbi ato të vendit dhe shoqërisë.
Ata të jenë të bindur se, sado ta zgjasin bashkëpunimin me Ramën dhe agoninë e këtij regjimi, një ditë do të japin llogari për vuajtjet që kanë shkaktuar dhe vjedhjet që i kanë bërë këtij populli dhe këtij vendi.







