HomeOP EDProblemi i Zvërnecit nuk duhet të trajtohet si Revolucioni Anglez , ku...

Problemi i Zvërnecit nuk duhet të trajtohet si Revolucioni Anglez , ku punëtorët shkatërronin makineritë nga frika e ndryshimit/nga Zak Topuzi

Advertismentspot_img

nga Zak Topuzi
Problemi i Zvërnecit nuk duhet të trajtohet si Revolucioni Anglez , ku punëtorët shkatërronin makineritë nga frika e ndryshimit.

Për këto zona, debati i vërtetë nuk është “ndërtim apo jo ndërtim”, por “çfarë lloj zhvillimi duam”. Deri më sot ka munguar transparenca dhe kjo ka ushqyer mosbesimin e publikut.

Shqipëria ka një deficit të dukshëm në segmentin e turizmit me vlerë të lartë. Vetëm një pjesë shumë e vogël e kapaciteteve tona akomoduese, reth 1% janë hotele dhe resorte të standardeve më të larta, ndërkohë që vende si Mali i Zi dhe Kroacia kanë 7-10%. Ata kanë investuar prej vitesh në këtë segment. Kjo u ka mundësuar të tërheqin turistë me shpenzim të lartë dhe të zgjasin sezonin turistik.

Nga ana tjetër, shqetësimi i shoqërisë civile nuk është pa bazë. Përvoja e viteve të fundit ka krijuar perceptimin se shumë projekte të etiketuara si “turistike” kanë përfunduar kryesisht si zhvillime imobiliare me shitje apartamentesh dhe vilash, ndërsa funksioni turistik ka mbetur dytësor. Kjo është arsyeja pse çdo projekt i ri pritet me dyshim.

Prandaj, transparenca është çelësi. Nëse në Zvërnec propozohet një destinacion që garanton funksion turistik afatgjatë, menaxhim profesional, vende pune, shërbime cilësore dhe aktivitet gjatë gjithë vitit, atëherë zhvillimi është i arsyeshëm. Nëse synimi kryesor është shitja e pasurive të paluajtshme, atëherë kritikat janë plotësisht legjitime.

Në fund, Zvërneci nuk duhet të mbetet një zonë e paprekshme vetëm nga frika e zhvillimit, por as të kthehet në një kantier të pakontrolluar ndërtimi. Sfida është të gjejmë ekuilibrin mes mbrojtjes së natyrës dhe krijimit të produkteve turistike cilësore.

Mbi të gjitha, Shqipëria ende nuk është mjaftueshëm e dukshme në hartën turistike të Europës. Për të konkurruar me sukses, nuk na duhet vetëm më shumë kapacitet akomodues, por një BRAND i qartë kombëtar, destinacione të mirëmenaxhuara dhe produkte turistike që krijojnë identitet. Shqipëria ka nevojë për më shumë turizëm të vërtetë dhe më pak beton.

Debati duhet të jetë profesional dhe i bazuar në fakte, jo populist, ku çdo zhvillim quhet tradhti dhe çdo kritikë quhet pengesë. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një turizëm që i shërben ekonomisë, komunitetit dhe brezave që do të vijnë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular