Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale projektin e ri turistik që parashikohet të ndërtohet në zonën e Zvërnecit.
Kreu i qeverisë u ka kthyer përgjigje polemikave dhe protestave të qytetarëve, duke i cilësuar reagimet negative si pjesë të një “lufta hibride” dhe manipulimi në rrjetet sociale.
“Nuk sheh syri sheh mendja. Dy projekte të realizuara tanimë nga fiks bashkëinvestitorët e projektit që ka tronditur armiq të Shqipërisë Europiane, konkurentë të Shqipërisë Turistike, shqiptarë të verbër që po përdoren si vegla qorre kundër Shqipërisë. Po edhe shqiptarë të ndershëm e të ndjeshëm ndaj mjedisit, të cilët fatkeqësisht janë manipuluar nga lufta hibride që po zhvillohet egërsisht në rrjetet sociale nga armiqtë e vendit e tonë.“
Rama ka mbrojtur investitorët, duke zbuluar se bëhet fjalë për dy vëllezër nga Katari dhe bashkëpronarë të konglomeratit global “Power Holding”, të cilët e kanë blerë truallin privat përmes transaksioneve të certifikuara bankare.
Ai theksoi se ky projekt përfaqëson një zhvillim në harmoni të plotë me natyrën, ashtu si dy ishujt e realizuar më parë nga e njëjta kompani.
“Kështu, siç e tregojnë këta dy ishuj në foto, e kuptojnë zhvillimin në harmoni me natyrën ata që sot janë blerësit legjitimë të truallit privat në Zvërnec, dy vëllezërit e famshëm nga Katari që e kanë paguar pronën me transaksione bankare të çertifikuara nga institucionet shqiptare e ndërkombëtare, si edhe bashkëpronarë të konglomeratit global Poëer Holding, një fuqi e madhe sipërmarrëse jo vetëm në Lindjen e Mesme, po edhe më gjerë.
Kush do të njihet me aktivitetin e tyre dhe të mësojë më shumë edhe për dy zhvillimet e bukura të postuara këtu, le të klikojë powerholding.com që të kuptojë se kush po vjen në këtë Shqipëri të rilindur ndërkombëtarisht, e pse s’mund të vijë kurrë dot për të prishur po vetëm për të lartësuar.“
Në mbyllje të reagimit të tij, kryeministri bëri një paralizëm me skeptikët e Stadiumit Kombëtar, duke u shprehur i bindur se ky investim vetëm do ta lartësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Ndërsa kush nuk do të dëgjojë e të kuptojë, do duhet të presë si ata që ishin kundër stadiumit kombëtar, e pastaj panë finalen europiane në Tiranë duke bërë selfije me stadiumin”, ka shkruar Rama.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fposts%2Fpfbid0qERz4L2NUfBKnsJ6JbWSujmnie3qTEAAyGR7TbABGm8KRSm6cNJHkK8LHqo2HuC6l&show_text=true&width=500
Projekti për Zvërnecin ka ngjallur mjaft reagim dhe revoltë në opinionin publik. Protesta e parë nisi në Zvërnec ku banorë të zonës dhe aktivistë kundërshtuan projektin, më pas protestat morën përmasa më të mëdha edhe për shkak të dhunimit të një prej protestuesve nga policia private.







