Tiranë, Qershor 2026 – Shoqëria e Kursim-Kreditit FED invest zhvilloi Asamblenë e Përgjithshme Vjetore XIII, forumin më të lartë vendimmarrës të institucionit, ku delegatë dhe përfaqësues të anëtarësisë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën për të shqyrtuar rezultatet e vitit 2025, për të miratuar dokumentet statutore dhe për të përcaktuar prioritetet strategjike për vitin 2026.
Asambleja u zhvillua në një moment historik për institucionin, pasi viti 2025 shënoi 10-vjetorin e FED invest-it si institucion i konsoliduar dhe me 33 vite traditë në tregun e financës sociale shqiptare. Përgjatë këtij rrugëtimi, FED invest ka evoluar nga një rrjet shoqërish kursim-krediti në kooperativën financiare më të madhe në vend, duke mbështetur fuqishëm zhvillimin ekonomik të familjeve, fermerëve dhe sipërmarrjeve të vogla.
Gjatë vitit 2025, FED invest përforcoi pozicionin e tij si lider në tregun e shoqërive të kursim-kreditit, duke shënuar një sërë arritjesh pozitive në dimensionin financiar dhe social. Numri i anëtarëve tejkaloi objektivin prej 100 mijë (+ 4.6% kundrejt vitit paraardhës), ndërsa aktivet totale arritën vlerën e 9.9 miliardë lekëve, portofoli i kredisë në rreth 7 miliardë lekë, ndërsa depozitat e anëtarëve u rritën në 5.6 miliardë lekë. Institucioni ruajti një pozicion të fortë financiar me mjaftueshmëri kapitali prej 21%. Përmes këtyre treguesve, FED invest rikonfirmon misionin e tij për përfshirjen financiare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sipërmarrjeve mikro dhe SME, në zonat rurale/sem-iurbane dhe ato urbane, duke u shërbyer edhe segmenteve më pak të shërbyer në tregun financiar, si dhe duke fuqizuar sipërmarrjet e grave dhe të rinjve.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Këshillit Drejtues, Znj. Zana Konini, theksoi rëndësinë e vitit jubilar dhe të rolit që anëtarët kanë luajtur në suksesin e institucionit:
“10-vjetori i FED invest është dëshmi e forcës së modelit tonë kooperativ dhe e besimit që mbi 100 mijë anëtarë kanë treguar ndër vite. Ky sukses është rezultat i një pune të përbashkët, i përkushtimit të stafit dhe i mbështetjes së partnerëve tanë strategjikë. Ne do të vazhdojmë të forcojmë përfshirjen financiare dhe të mbështesim zhvillimin e komuniteteve ku operojmë.”
Administratori i FED invest, Z. Perlat Sulaj, prezantoi rezultatet kryesore të aktivitetit dhe prioritetet e institucionit per vitin 2026:
“Viti 2025 ishte një nga vitet më të suksesshme në historinë e FED invest. Rritja e aktivitetit kreditues dhe e depozitave, forcimi i eficiencës operacionale, investimet në teknologji dhe zgjerimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare na kanë mundësuar të ofrojmë më shumë mundësi për anëtarët tanë. Prioritetet tona për vitin 2026 mbeten rritja e qëndrueshme, zhvillimi digjital, forcimi i sigurisë teknologjike dhe përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve.”
FED invest disbursoi mbi 3,800 kredi të reja me vlerë rreth 3.35 miliardë lekë përgjatë vitit 2025, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe nxitjen e punësimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes së fermerëve, grave sipërmarrëse dhe bizneseve të vogla, të cilat përveç financimit patën qasje edhe në paketën e shërbimeve jo-financiare të këshillimit, trajnimit, informimit dhe edukimit financiar të ofruara përmes Qendrës ABA. Këto arritje u mundësuan edhe falë mbështetjes dhe partneriteteve strategjike me institucione të
rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare si Banka e Zhvillimit e Këshillit të Evropës (CEB), EFSE, JICA, Helenos, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit etj.
Përmes një dialogu të hapur me menaxhimin dhe Këshillin në takimet rajonale, delegatët sollën vizionin dhe zërin e tyre nga terreni, duke dhënë një kontribut me vlerë në formësimin e strategjisë dhe adresimin e sfidave të së ardhmes.
FED invest rikonfirmoi angazhimin e tij për të mbetur pranë anëtarëve dhe komuniteteve lokale, duke kombinuar financimin e përgjegjshëm me edukimin financiar, këshillimin profesional dhe zhvillimin rural të qëndrueshëm.
Rreth FED invest
FED invest është kooperativa financiare më e madhe në Shqipëri, me mbi 100,000 anëtarë dhe një rrjet prej 54 degësh në të gjithë vendin. Institucioni promovon financën sociale dhe përfshirjen financiare, duke mbështetur fermerët, familjet, gratë sipërmarrëse, mikro-bizneset dhe sipërmarrjet e vogla e të mesme.







