HomeBotaZemërim në Francë pas zhdukjes së një 11-vjeçareje, i dyshuari ishte denoncuar...

Zemërim në Francë pas zhdukjes së një 11-vjeçareje, i dyshuari ishte denoncuar disa herë për abuzim ndaj të miturve

Advertismentspot_img

Franca është përfshirë nga zemërimi dhe debatet publike pasi doli në pah se i dyshuari kryesor në rastin e zhdukjes së një vajze 11-vjeçare ishte akuzuar disa herë më parë për abuzime seksuale ndaj të miturve, pa u ndërmarrë masa të efektshme nga autoritetet.

Një trup u gjet të enjten në zonën ku po zhvilloheshin kërkimet intensive, ndërsa identifikimi zyrtar ishte ende në proces, sipas një burimi të informuar.

Vajza, e identifikuar vetëm me emrin Lyhanna, rezulton e zhdukur që nga e premtja e kaluar pranë fshatit Fleurance në jugperëndim të Francës. Ajo u pa për herë të fundit duke hipur në automjetin e një burri 41-vjeçar, baba i dy fëmijëve, i cili është ndaluar nga autoritetet si i dyshuari kryesor.

Për ditë me radhë, dhjetëra policë dhe vullnetarë zhvilluan operacione kërkimi në zonë. Të enjten, rreth 170 efektivë policie, të mbështetur edhe nga vullnetarë mbi kuaj dhe ekipe zhytësish profesionistë, vijuan kërkimet në fshatrat përreth Fleurance dhe në zonën e Urdens.

Rasti ka shkaktuar reagime të forta pasi prokuroria bëri të ditur se ndaj të dyshuarit kanë ekzistuar disa kallëzime të mëparshme për krime seksuale ndaj të miturve. Prokurorja Clémence Meyer deklaroi se një sërë ankesash ishin depozituar ndër vite kundër tij.

Në dhjetor të vitit 2017, një nënë raportoi se vajza e saj 17-vjeçare kishte qenë në një lidhje me këtë burrë. Çështja u mbyll në vitin 2018 pasi vajza deklaroi se kishte dhënë pëlqimin.

Më pas, në janar të vitit 2022, ndaj tij u paraqit një padi për përdhunimin e një vajze nën moshën 15 vjeç, ngjarje që dyshohej se kishte ndodhur në vitin 2020 në banesën e tij në Francën jugperëndimore. Dosja iu transferua prokurorisë lokale, por u pushua në vitin 2024 për mungesë provash.

Një tjetër kallëzim u paraqit më 22 gusht 2025, kur nëna e një vajze të lindur në vitin 2014 e akuzoi atë për përdhunimin e fëmijës së saj gjatë periudhës shtator 2024 – maj 2025. Fillimisht çështja u trajtua nga autoritetet në Tuluzë dhe më pas iu transferua prokurorisë lokale, e cila në janar urdhëroi nisjen e hetimeve.

Megjithatë, sipas prokurorisë, i dyshuari ende nuk ishte marrë në pyetje nga policia kur Lyhanna u zhduk.

“Hetimi ishte ende në vazhdim kur Lyhanna u zhduk”, deklaroi prokurorja Meyer, duke shtuar se të mërkurën ishte depozituar edhe një kallëzim i ri për përdhunimin e dyshuar të një të miture.

Pas shqyrtimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, 41-vjeçari pranoi se e kishte marrë vajzën me makinë, por këmbënguli se më pas e kishte lënë pranë një pishine.

Zbulimet kanë nxitur reagime të forta politike. Zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, e cilësoi situatën si “absolutisht të padurueshme”.

“Ajo që po zbulojmë ditë pas dite është absolutisht e padurueshme. Kjo ngre një pyetje të thellë: çfarë rëndësie u japim dëshmive të viktimave? Si kryhen hetimet?”, deklaroi ajo për mediat franceze.

Edhe ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, bëri të ditur se kishte kërkuar nga Ministria e Drejtësisë një hetim mbi mënyrën se si janë trajtuar rastet e mëparshme kundër të dyshuarit.

Ndërkohë, organizatat për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve kanë kërkuar ndryshime urgjente ligjore. Anne-Cécile Mailfert, nga Fondacioni i Grave, u shpreh e tronditur nga fakti se i dyshuari ishte akuzuar edhe më parë për përdhunim.

“Një vajzë tjetër 10-vjeçare gjeti guximin t’u tregonte prindërve të saj. Ata e mbështetën, e besuan, shkuan në polici dhe ngritën një padi, por më pas nuk ndodhi asgjë. Ne po kërkojmë një ligj gjithëpërfshirës kundër dhunës seksuale, sepse sistemi nuk funksionon”, deklaroi ajo.

Ndërsa hetimet vazhdojnë dhe autoritetet presin rezultatet e identifikimit të trupit të gjetur, rasti ka hapur një debat të gjerë në Francë mbi mbrojtjen e të miturve dhe efektivitetin e sistemit të drejtësisë në trajtimin e denoncimeve për dhunë seksuale.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular