HomeKronikeVladimir Ismailukaj, kujtimi i një heroi që "mposhti" plumbat

Vladimir Ismailukaj, kujtimi i një heroi që “mposhti” plumbat

Advertismentspot_img

Koha nuk ndalet e për rrjedhojë shumë ngjarje zbehen me kalimin e saj, por ka disa emra, data dhe akte heroike të cilat mbeten të gdhendura në qenien e gjithësecilit prej nesh, si një krenari që nuk shuhet. 25 vite më parë, rënia në krye të detyrës e efektivit të Policisë së Shtetit, Vladimir Ismailukaj, do të shënonte një plagë të madhe jo vetëm për të afërmit, por edhe për kolegët e shoqërinë.

Data shënonte 9 Qershor 2001.

Vladimiri, me detyrë oficer policie në Komisariatin e Kurbinit, mori një denoncim nga një çift i cili kishte rënë pre e grabitjes nga persona të armatosur në aksin rrugor Lezhë-Laç.

Nuk u mendua gjatë. Uniforma që mbante mbi supe për të nuk ishte thjesht një punë por një betim përjetë. Menjëherë u nis drejt vendngjarjes së bashku me kolegët, por errësira fshihte pabesinë.

Kriminelët i bënë pritë automjetit të policisë dhe qëlluan me breshëri. Fati i zi do të ishte për Vladimirin, i cili ndërroi jetë nga qitjet e kallashnikovit.

Në lule të rinisë, në hapat e parë të krijimit të familjes së tij të re, Vladimiri, nuk arrite të gëzonte asgjë. Ai, dha jetën e tij, për të shpëtuar jetë të tjera nga dora e botës së errët.

Guximi i tij nuk ishte i rastësishëm. Me origjinë nga Llugaj, Tropojë, vendi ku djemtë bëhen burra shumë shpejt, Vladimiri vinte nga një familje që historikisht e kishte vënë atdheun mbi veten.

Vladimir Ismailukaj, nga Tropoja e deri në Kurbin e më gjerë, luftoi krimin pa asnjë kompromis, deri në frymëmarrjen e fundit në shërbim të qytetarëve të këtij vendi.

Pas rënies së tij në krye të detyrës, Vladimir Ismailukaj u nderua në Lezhë me Titullin “Dëshmor i Atdheut”. Po në të njëjtin vit, 2001, Këshilli Bashkiak i Bajram Currit e nderoi me Titullin “Qytetar Nderi” ndërsa nga Presidenti i Shqipërisë asokohe, Rexhep Meidani nderohet me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.

Për të janë thurur vargje e janë kënduar këngë. Sot, pas 25 vitesh, figura e tij është ende gjallë, për të na treguar se ndershmëria, përkushtimi dhe guximi për të mbrojtur këtë vend janë të paçmueshme./X-Media.al/

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular