Këngëtarja me famë botërore Katy Perry do të performojë në edicionin e këtij viti të “Sunny Hill Festival” në Kosovë. Këngëtarja është emri i parë kryesor që është konfirmuar për këtë edicion të festivalit, duke ngjallur reagime të shumta nga fansat.
Lajmi është bërë i ditur përmes faqes zyrtare të festivalit, ku është publikuar edhe një video me një bisedë telefonike mes Dua Lipës dhe Katy Perryt, përmes së cilës u zbulua pjesëmarrja e saj në festival. Festivali do të mbahet më datën 31 korrik, 1 dhe 2 gusht.
Në vazhdim priten të konfirmohen edhe të paktën dy emra të mëdhenj të skenës muzikore që do të performojnë në festival. “Sunny Hill” ka konfirmuar pjesëmarrjen e artistëve rinj që do të ngjiten në skenat e mëdha të këtij festivali që mbahet këtë verë, më 31.07.2026, 01.08.2026 dhe 02.08.2026 në Bërrnicë.
“Në mesin e emrave të konfirmuar janë gjigantët e muzikës elektronike dhe performuesit më të kërkuar të momentit: Keinemusic (Adam Port dhe Rampa), Seth Troxler, Carlita dhe Manifest”- thuhet në njoftimin e Festivalit. Sipas njoftimit, në ditët në vijim, “Sunny Hill” do të zbulojë emra të tjerë të muzikës botërore, si dhe artistët më të mirë lokalë që do të plotësojnë programin artistik të këtij edicioni. Blerës të biletave nga 50 shtete të ndryshmeSipas njoftimit, ky edicion i “Sunny Hill Festival” pritet të shënojë rekordin e tij më të madh deri më tani.
Deri tani janë konfirmuar blerës të biletave nga mbi 50 shtete të ndryshme të botës, duke dëshmuar “se festivali tashmë është një destinacion i padiskutueshëm turistik dhe kulturor”. Prandaj, për të akomoduar këtë kërkesë të lartë, “Sunny Hill” ka zgjeruar rrjetin e shitjes së biletave në të gjitha shtetet e Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera ekonomike dhe vende të tjera të globit. Për stafin organizativ, rëndësia e festivalit po rikonfirmohet edhe përmes prezencës së brendeve më të mëdha botërore dhe lokale, të cilat do të jenë pjesë e rëndësishme të përvojës së festivalit.







