Në Romë, dy persona janë dënuar nga Gjykata e Seksionit të Parë për Krime të Rënda, pasi akuzohen se kanë tentuar të riorganizojnë një strukturë të frymëzuar nga ideologjia naziste dhe të rekrutojnë të rinj përmes internetit dhe rrjeteve sociale.
Sipas vendimit të gjykatës, Alessio Sabelli është dënuar me 5 vite e 6 muaj burg, ndërsa Louis Kant Restauri me 3 vite e 6 muaj burg.
Të dy u shpallën fajtorë për komplot me qëllim terrorizmi, përfshirë tentativa për destabilizim të rendit demokratik dhe aktivitete me karakter ndërkombëtar.
Hetimet kanë zbuluar se Sabelli, i njohur edhe me nofkën “Cesare”, dyshohet se ka themeluar një grup paraushtarak të quajtur UFI (Unione Forze Identitarie), i përshkruar si një strukturë me ideologji neonaziste, ksenofobe dhe me përmbajtje antisemitiste. Sipas autoriteteve, grupi ka përhapur propagandë që mohon Holokaustin dhe ka nxitur urrejtje ndaj minoriteteve etnike, emigrantëve dhe komuniteteve të tjera.
Gjykata rrëzoi akuzat për dy të pandehur të tjerë, ndërsa i akordoi Ministrisë së Brendshme italiane rreth 50,000 euro dëmshpërblim, pasi ishte palë civile në proces.
Në të njëjtin hetim, disa persona të tjerë kanë zgjedhur marrëveshje pranimi faji dhe kanë marrë dënime më të lehta, që variojnë nga dy vite deri në një vit e dhjetë muaj burg.







