Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqi është arrestuar sot së bashku me disa persona të tjerë. Sipas mediave në Kosovë, Haraqi është arrestuar gjatë një operacioni të policisë që lidhet me shitjen e sasive të vogla të kokainës në Prishtinë.
Avokati i Astrit Haraqisë, Korab Bokshi, e ka konfirmuar arrestimin e klientit të tij, duke thënë se ai është intervistuar nga Policia dhe se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Është e vërtetë që Astritin e kanë arrestuar mbrëmë. E kanë intervistuar, për efekt të hetimit nuk do të hyja në detaje, por e kanë ndërlidhur me disa vepra kinse ka të bëjë me kontrabandim të narkotikëve. E kanë pyetur për disa persona, kinse ky si figurë publike i njeh, disa nuk i njeh.”– ka deklaruar Bokshi.
Avokati ka bërë të ditur se Policia ka kryer kontrolle edhe në banesën e Haraqisë, por sipas tij, gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë që do ta inkriminonte atë për veprën penale për të cilën dyshohet.
“E kanë bastisur banesën e tij, kanë bërë kontrolle, por nuk kanë gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër penale. I kanë caktuar masën e ndalimit për 48 orë, unë kam bërë ankesë te gjyqtari, tash po presim.”- ka thënë avokati.
Bokshi ka mohuar se klienti i tij ka lidhje me veprën penale për të cilën dyshohet nga Prokuroria.
“Sipas komunikimeve të drejtpërdrejta me Astritin, nuk ka lidhje me veprën penale për çka pretendon prokurori.”- ka deklaruar ai.
Operacioni “Heshtja” u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një hetimi të gjatë. Policia e Kosovës njoftoi se gjatë këtij operacioni janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, rreth 16 mijë euro para të gatshme, gjashtë vetura, ora luksoze, stoli të çmuara, një armë zjarri dhe pajisje të tjera. Sipas Policisë, vlera e përgjithshme e substancave narkotike dhe aseteve të sekuestruara vlerësohet në rreth 301 mijë euro.







