Nga Mina HYSA
Nesër (17 qershor) artisti i njohur dibran i një përmase kombëtare sa i përket talentit dhe repertorit të tij muzikor, Sherif Dervishi nëse do të ishte gjallë do të festonte ditëlindjen. Edhe pse prej 5 vite e gjysëm ai nuk ndodhet mes nesh, mbetet zëri i pavdekshëm në zemrat e dibranëve dhe jo vetëm, por dhe shqiptarëve në mbarë trojet shqipëfolesë si dhe Diasporë të cilët jetojnë çdo ditë më muzikën e tij.
Bashkia Kamëz dhe kryebashkiaku Rakip Suli në nder të tij, për kontributin e dhënë në fushën e artit dhe kulturës përgjatë gjithë jetës e veçanërisht në territorin e Bashkisë duke qenë dhe pjesë e Qendrës së Kulturës, kanë menduar dhe i kanë propozuar Këshillit Bashkiak Kamëz, i cili ka votuar në mënyrë unanime për vënien e emrit të “Sherif Dervishi” Amfiteatrit të Liqenit të Paskuqanit.
E pikërisht nesër, të mërkurën, më 17 qershor 2026 tek kjo hapësirë mjaft kreative siç është Amfiteatri i Liqenit të Paskuqanit, ku do të jetë dhe ceremonia zyrtare e vënies së emrit, pritet të gjëmojë muzika. Një spektakël i vërtet pritet në nder të Sherif Dervishit. Emra të njohur të muzikës do të përformojnë live, do të ketë mjaft të ftuar si dhe nuk do të mungojnë as vallet tradicionale.
E organizuar nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë Kamëz Rakip Suli, Qendrës së Kulturës në Bashki si dhe përkujdesjen e djalit të Sherifit, Fajtonit edhe ky një artist i talentuar që po ecën mjaft mirë në gjurmët e të atit, nesër qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit do të kenë mundësinë të shijojnë një përformancë kulturoro-artistike për t’u mos u humbur, ndaj pasdite kanë mundësinë për t’u relaksuar nga muzika si dhe kujtuar dhe nderuar të madhin Sherif Dervishi.
“MIRËNJOHJE DHE FALËNDERIM NGA ZEMRA! Me shumë krenari, respekt dhe mirënjohje dua të falënderoj në emrin tim dhe të familjes time kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, Këshilli Bashkiak Kamëz dhe të gjithë ata që bënë të mundur vendosjen e emrit të babait tim në Amfiteatrin e Liqenit të Paskuqanit. Ky vlerësim është një nder i madh për familjen tonë dhe një moment që do ta mbajmë gjithmonë me krenari në zemër. Të kujtosh dhe të respektosh figurat që kanë lënë gjurmë në komunitet është një akt fisnikërie dhe qytetarie. Faleminderit për respektin, vlerësimin dhe mirënjohjen që treguat ndaj figurës dhe kontributit të tij. RESPEKT PA FUND për secilin prej jush” shkruan Fatjon Dervishi, djali i Sherifit pas vendimit të Këshillit Bashkiak për të emërtuar Amfiteatrin e Liqenit të Paskuqanit me emrin “Sherif Dervishi”.
Kujtojmë që para 5 vitesh e gjysëm u nda nga jeta Sherifi, një prej figurave më të dashura të folklorit dibran dhe shqiptar. Megjithëse koha kalon, kujtimi i tij vazhdon të mbetet i gjallë përmes këngëve, interpretimit të veçantë dhe trashëgimisë artistike që la pas. Familjarë, miq, kolegë dhe admirues të shumtë e kujtojnë edhe sot me respekt artistin që me zërin e tij karakteristik i këndoi vendlindjes, traditës, atdheut dhe vlerave më të mira shqiptare.
Një jetë e lidhur me këngën dhe folklorin
Sherif Dervishi lindi në vitin 1961 në Lugje të Dardhës, në Dibër, në një familje me tradita patriotike. Talenti i tij për këngën u shfaq që në moshë të vogël. Në vitin 1975 u ngjit për herë të parë në skenë si nxënës, ndërsa në vitin 1978 u bë pjesë e grupit artistik të Zall-Dardhës, ku interpretoi këngën “Shqipëri, kala vigane”.
Gjatë viteve 1982-1988 punoi në Minierën e Bakrit në Mirditë, por pasioni për artin nuk iu nda asnjëherë. Edhe atje u aktivizua me grupet artistike të zonës, duke dëshmuar se muzika ishte pjesë e pandashme e jetës së tij.
Më pas ai u bë solist profesionist pranë Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërmilli” në Peshkopi, Qendrës Kulturore të Peshkopisë dhe më vonë pranë Qendrës Kulturore të Kamzës, ku vazhdoi të kontribuonte në ruajtjen dhe promovimin e folklorit shqiptar.
Nga Dibra në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare
Karriera artistike e Sherif Dervishit u pasurua me pjesëmarrje në shumë festivale të rëndësishme folklorike. Ai ishte pjesëmarrës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, ku interpretoi me mjeshtëri këngën “Ç’po i folka burri burrit”, duke fituar vlerësimin e publikut dhe specialistëve të folklorit.
Në vitin 1993 mori pjesë në Festivalin Folklorik të Beratit me një këngë kurbeti dhe këngën patriotike “Prej Dibre deri në Tiranë”. Nga viti 1996 deri në vitin 1999 ishte solist i Estradës Profesioniste të Peshkopisë.
Ai përfaqësoi kulturën shqiptare edhe jashtë vendit, duke marrë pjesë në Takimin Folklorik të Danubit në qytetin Giurgiu të Rumanisë, ku u vlerësua me çmimin e dytë si interpretues dhe solist. Gjithashtu konkurroi në Turqi, në festivalin e qytetit Van, si dhe në festivalet “Sharri Këndon”.
Kulmi i vlerësimit të tij artistik erdhi në vitin 2009, kur u shpall “Interpretuesi më i Mirë” në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, një nga vlerësimet më prestigjioze në muzikën folklorike shqiptare.
Këngët që mbeten trashëgimi
Me një zë të ngrohtë, të fuqishëm dhe plot emocion, Sherif Dervishi arriti të krijojë një identitet të veçantë artistik. Këngët e tij trajtonin temat e familjes, vendlindjes, kurbetit, trimërisë dhe dashurisë për atdheun.
Ndër krijimet e tij më të njohura janë “300 Djem 300 Duvakë”, “Nusja Jonë Vetull Kurorë”, “A Ndigjoni Nji Zo Bilbili”, “Jam Kalisi Që Rrit Trima”, “N’Sytë e Tu Marr Dritë e Shpirt”, “Dedikuar Atdhetarit Ramadan Sulaj”, “Këngë për Suri Shehun”, si dhe shumë këngë të tjera që vazhdojnë të dëgjohen dhe të këndohen nga brezat.
Në vitin 2019 ai realizoi së bashku me djalin e tij, Fatjon Dervishin, këngën “Këngë për Sali Dervishin”, një tjetër dëshmi e lidhjes së fortë familjare dhe artistike që e shoqëroi gjatë gjithë jetës.
Një emër që nuk harrohet
Sherif Dervishi nuk ishte thjesht një këngëtar. Ai ishte një ambasador i kulturës dibrane, një ruajtës i traditës dhe një artist që i dha zë shpirtit të trevës së tij. Pas 5 vitesh e gjysem të largimit fizik, këngët e tij vazhdojnë të jetojnë në sofrat shqiptare, në aktivitetet folklorike dhe në zemrat e mijëra artdashësve.
Kujtimi i tij mbetet i paharruar, ndërsa vepra artistike vazhdon të frymëzojë brezat që vijnë.







