Robin Hood nisi si një gojëdhënë në shekullin XII, përpara se të shndërrohej gradualisht në një figurë heroike dhe familjare. Por versione të reja të historisë po përpiqen të rikthejnë anën e tij më të errët.
Kur regjisori Michael Sarnoski filloi xhirimet e filmit të tij të ri, ai i tregoi kastit dhe ekipit versionin që kishte dashur gjithmonë: filmin e animuar të Disney-t të vitit 1973 “Robin Hood”, ku heroi paraqitet si një dhelpër me kapelë jeshile, që u merr të pasurve për t’u dhënë të varfërve.
Por kjo figurë e dashur është shumë larg nga filmi i ri “The Death of Robin Hood”, një dramë e errët dhe reflektuese. Në këtë version, Hugh Jackman luan një Robin Hood të plakur, të lodhur nga betejat dhe të vetëdijshëm për mitin që e rrethon.

Në film, kur Robin Hood takon një grua që e përshkruan si një figurë të drejtësisë dhe virtytit, ai e mohon identitetin e tij dhe flet në vetën e tretë.
“Ai nuk ishte hero. Vidhte dhe vriste për kënaqësi, asgjë më shumë.”
Sipas studiuesve dhe autorëve të rinj, kjo figurë e dhunshme është më afër legjendave origjinale mesjetare sesa versionit të zbukuruar modern.
Kush ishte Robin Hood?
Historianët bien dakord se nuk ka pasur një person real të vetëm pas legjendës së Robin Hood-it, por një shoqëri të pabarabartë mes pronarëve të pasur të tokave dhe fshatarëve të varfër që frymëzoi krijimin e tij.
Historitë nisën si gojëdhëna në shekullin e XII, ndërsa burimet e para të shkruara u shfaqën rreth dy shekuj më vonë. Në këto ballada të hershme, ai nuk ishte “Sir Robin i Locksley”, por një “yeoman”, një status social mbi fshatarin, por jo fisnik.
Në versionet e hershme nuk ekzistonte as Maid Marian. Robin ndihmonte të varfrit, por fokusi i tij kryesor ishte lufta kundër klerit të korruptuar dhe fisnikëve abuzivë.
Sipas historianes Amy S. Kaufman, Robin Hood-i i hershëm ishte “një figurë moralisht gri, një mashtrues mesjetar i dhunshëm dhe i papërmbajtur”.

Si u ndryshua historia
Një ndryshim i madh ndodhi në shekullin e XVI, kur mbreti Henry VIII e adhuronte figurën e Robin Hood-it dhe madje vishej si ai. Në këtë periudhë, shumë elemente fetare të legjendës u zhdukën.
Me kalimin e kohës, figura e Robin Hood-it u “fisnikërua”. Ai nuk u paraqit më si kundërshtar i rendit shoqëror, por si një fisnik që mbronte drejtësinë brenda sistemit ekzistues. Në këtë version u fut edhe narrativa e mbretit Richard dhe princit John, një strukturë që vazhdoi edhe në interpretimet moderne si ai i Disney-t.
Në shekullin e 19-të dhe 20-të, letërsia për fëmijë dhe kinemaja e zbutën edhe më shumë figurën e tij, duke e kthyer në një hero të pastër moral. Filmi i vitit 1938 me Errol Flynn dhe më pas versioni i Disney-t e vulosën këtë imazh në kulturën popullore.

Rikthimi i “Robin Hood-it të errët”
Regjisori Sarnoski thotë se e ka intriguar gjithmonë kontrasti mes Disney-t dhe balladave mesjetare. Në filmin e tij, Robin Hood është i plagosur rëndë në një betejë brutale dhe përfundon në një manastir për t’u shëruar. Atje, ai përballet me reflektimin mbi jetën e tij dhe mitin që e rrethon.
Sarnoski thekson se nuk ka dashur ta paraqesë Robin-in as thjesht hero, as thjesht si i ligë, por një figurë komplekse që përballet me vetveten.
Edhe studiuesja Amy S. Kaufman, autore e romanit “The Traitor of Sherwood Forest”, thotë se Robin Hood në origjinë është një figurë subversive, që sfidon mbretërit, fisnikët dhe kishën, por njëkohësisht shpesh përfundon tragjikisht ose i rrënuar nga të metat e veta.
Një figurë që pasqyron botën moderne
Sipas studiuesve, interpretimet e reja të Robin Hood-it lidhen edhe me realitetin e sotëm, ku narrativa dhe “heronjtë” krijohen dhe konsumohen shpejt.
Në film dhe letërsi, Robin Hood paraqitet si dikush që përdor historitë si armë për të ndikuar njerëzit, ndërsa figura të tjera i përdorin ato për të ndihmuar dhe shëruar.
Sarnoski thekson se shoqëria moderne është e mbushur me narrativa përmes rrjeteve sociale dhe internetit, gjë që e bën më të lehtë ndarjen e botës në “heronj” dhe “armiq”, duke lënë pak hapësirë për nuanca gri.
Megjithatë, ekspertët besojnë se versioni klasik i Robin Hood-it nuk do të zhduket. Për shumë njerëz, ai tashmë është kthyer në një figurë simbolike, të ngjashme me Santa Claus, që përfaqëson një ide më të madhe se vetë legjenda historike.
/Marrë nga BBC







