HomeBotaGjermania dhe Polonia forcojne shtyllen evropiane te NATP-s/nga Bujar Leskaj

Gjermania dhe Polonia forcojne shtyllen evropiane te NATP-s/nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

nga Bujar Leskaj
Më 17 qershor 2026, në 35-vjetorin e Traktatit të Fqinjësisë Gjermani–Poloni të vitit 1991, ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius dhe homologu i tij polak Władysław Kosiniak-Kamysz nënshkruan në Varshavë një marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunim ushtarak. Ky akt ka një domethënie që shkon përtej marrëdhënieve dypalëshe, pasi prek drejtpërdrejt arkitekturën e sigurisë evropiane, forcimin e NATO-s dhe perspektivën e mbrojtjes së përbashkët evropiane.

Traktati i vitit 1991 u konsiderua si një nga dokumentet më të rëndësishme të pajtimit evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Ai hodhi themelet e bashkëpunimit midis dy vendeve që për dekada kishin qenë të ndara nga plagët e historisë.

Nënshkrimi i marrëveshjes së re ushtarake pikërisht në përvjetorin e këtij traktati, simbolizon transformimin e marrëdhënieve gjermano-polake ,nga fqinjësi e mirë në partneritet strategjik për sigurinë e Evropës.

Më kët marrëveshje forcohet shtylla evropiane e NATO-s. Gjermania dhe Polonia janë ndër vendet më të rëndësishme të NATO-s në kontinentin evropian. Gjermania është ekonomia më e madhe e Bashkimit Evropian, Polonia është ekonomia e katërt më e madhe e BE-së. Ndërkohë, Polonia është sot fuqia ushtarake më dinamike në Evropë. Polonia i ka rritur shpenzimet e saj ushtarake në nivelin rekord të 4.8% të PBB-së për vitin 2026, duke e bërë atë një nga vendet me buxhetin më të lartë për mbrojtjen në të gjithë NATO-n.

Bashkëpunimi më i ngushtë ushtarak mes Gjermanisë dhe Polonisë forcon kapacitetet evropiane brenda NATO-s dhe rrit aftësinë e aleancës për të reaguar ndaj sfidave të sigurisë.

Lufta në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin e sigurisë në Evropë. Polonia është kthyer në një nyje kryesore të mbrojtjes së krahut lindor të NATO-s, ndërsa Gjermania ka marrë një rol më aktiv në garantimin e sigurisë rajonale.

Marrëveshja kontribuon në koordinimin më të mirë të forcave, stërvitjeve, logjistikës dhe planifikimit ushtarak, duke rritur gatishmërinë përballë kërcënimeve të mundshme.

Një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit lidhet me zhvillimin e teknologjive ushtarake dhe industrisë së mbrojtjes. Evropa e Bashkuar ka nevojë të reduktojë fragmentimin e kapaciteteve të saj ushtarake dhe të investojë më shumë në projekte të përbashkëta. Bashkëpunimi gjermano-polak mund të shërbejë si model për integrimin më të madh të industrive të mbrojtjes në nivel evropian.

Në një periudhë sfidash gjeopolitike, marrëveshja përcjell një mesazh të qartë se vendet kryesore të Bashkimit Evropian janë të gatshme të bashkëpunojnë më ngushtë, për të garantuar paqen dhe sigurinë në kontinent.

Ky unitet është veçanërisht i rëndësishëm në një kohë kur Evropa përballet me tensione ndërkombëtare, kërcënime hibride, sulme kibernetike dhe pasiguri strategjike.

Gjatë viteve të fundit, Polonia ka modernizuar forcat e armatosura, ka investuar në teknologji të avancuara dhe ka forcuar rolin e saj, si shtyllë e sigurisë euroatlantike në Evropën Qendrore dhe Lindore. Kjo e bën bashkëpunimin me Gjermaninë edhe më të rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë evropiane.

Për ne, është lajm i rëndësishëm që aleatë tanë strategjikë po forcojnë bashkëpunimin ushtarak. Si Gjermania ashtu edhe Polonia janë aleate kyçe të Shqipërisë brenda NATO-s dhe mbështetëse të zellshme të integrimit tonë evropian. Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet tyre krijon një mjedis më të sigurt për të gjithë aleancën, përfshirë Shqipërinë.

Siguria e Shqipërisë lidhet ngushtë me sigurinë e NATO-s. Sa më të forta të jenë kapacitetet mbrojtëse të aleatëve kryesorë evropianë, aq më e fortë bëhet edhe mbrojtja kolektive e Aleancës. Marrëveshja gjermano-polake kontribuon pikërisht në këtë drejtim.

Shqipëria ka zhvilluar marrëdhënie të mira ushtarake me të dy vendet. Thellimi i bashkëpunimit mes Gjermanisë dhe Polonisë mund të krijojë mundësi të reja për stërvitje të përbashkëta edhe me Shqipërinë, shkëmbime ekspertize, modernizimin e forcave tona të armatosura, bashkëpunim në fushën e sigurisë kibernetike ushtarake dhe pjesëmarrje në iniciativa shumëpalëshe të NATO-s.

Marrëveshja tregon se vendet evropiane mund të ndërtojnë partneritete të forta edhe pas periudhave të vështira historike. Ky është një mesazh i vlefshëm edhe për rajonin tonë, për Ballkanin Perëndimor, ku bashkëpunimi rajonal mbetet një kusht i rëndësishëm për stabilitetin dhe integrimin evropian.

Për ne, kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë, pasi përfshin dy nga partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë në Evropë. Një bashkëpunim më i fortë gjermano-polak do të thotë një NATO më e fortë, një Evropë më e sigurt dhe më shumë mundësi për bashkëpunim, zhvillim dhe integrim për vendet aleate, përfshirë edhe vendin tonë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular