Ky është fati i tij: të jetë futbollisti më i mirë brazilian i brezit të tij, madje edhe i brezit pasardhës, dhe të kthehet në një rast diskutimi në çdo Kupë Bote.
Në Katar e quajtën simulues, në Rusi u eliminua nga Belgjika, në Brazil kolumbiani Zuniga i theu shtyllën kurrizore; në gjysmëfinalen me Gjermaninë, David Luiz hyri në fushë duke ngritur lart fanellën me emrin e tij sikur të kishte vdekur: gjermanët shënuan shtatë gola.
Sigurisht që nuk ishte faji i tij. Por që nga ajo kohë, kur ishte 22 vjeç, Neymar da Silva Santos Júnior kërkon kurorëzimin e madh. Tani është 34 vjeç dhe ende nuk e ka arritur. Do të shohim nëse në këtë Botëror, në mos që sonte kundër Japonisë, do ta ketë mundësinë e tij.
Të kuptohemi: ai ka qenë një mit dhe për shumë njerëz vazhdon të jetë i tillë. I vetmi në epokën Messi-Ronaldo që ka pasur tifozë të tij dhe 237 milionë ndjekësit e tij në Instagram. U bë një fenomen pop, edhe jashtë fushës. Shumë brazilian në çdo aspekt, ai është kampioni i vërtetë global.
Kur e sheh nga afër, Neymar duket i rremë. Si i vizatuar. Lëkurë e errët, sy të çelët, tipare indigjeni. Nuk është rastësi që u bë protagonist edhe i një bande të vizatuar, përveçse i një videoloje, dhe u martua me Brunën, aktore telenovelash, ku edhe vetë ai ishte i ftuar, duke interpretuar disa herë rolin e vetes. Edhe pse paraqitja e tij më e mirë jashtë fushës ishte ajo i veshur si murg në serialin “La Casa de Papel”, të cilit është një adhurues i madh, ndonëse politikisht deklarohet i djathtë dhe mbështetës i Jair Bolsonaro-s kundër Lula-s.
Në Amerikë ai ka mbërritur dukshëm jashtë forme. I rënduar nga pasojat e një dëmtimi. Megjithatë, për Seleçaon ka një përkushtim të jashtëzakonshëm: përveçse ka sakrifikuar rruazat e shtyllës kurrizore për të, ka shënuar edhe 79 gola, më shumë se Pelé, më shumë se Ronaldo.
E kemi parë të qajë katër herë, gjithmonë me fanellën verdhejeshile. Në Fortaleza, në vitin 2014, kundër Meksikës, gjatë himnit kombëtar dhe më pas shpërtheu në lot. Përsëri pas dëmtimit kundër Kolumbisë, në të njëjtin stadium. Më pas, pas penalltisë me të cilën i dha Brazilit medaljen e artë olimpike në vitin 2016, në Maracanã (gjermanët e mundur u shtrinë të dërrmuar në tokë dhe trajneri Horst Hrubesch, sulmuesi i Kupës së Botës 1982, u tha: “Forca, ngrihuni, le të shkojmë ta përgëzojmë Neymarin dhe të përshëndesim publikun”. Të gjithë iu bindën).
Herën e fundit që Neymar qau ishte kur doli nga fusha në ndeshjen kundër Skocisë. Më pas publikoi në rrjetet sociale të njëjtën frazë që Lewis Hamilton kishte shkruar pasi ishte rikthyer te fitorja në Formula 1, dhe Hamilton e falënderoi menjëherë për këtë:
“Remember who you are” (“Mos harro se kush je.”)
Carlo Ancelotti e aktivizoi në minutën e 75-të, kur rezultati ishte 3-0, ndërsa djali i tij Davide tundte kokën. Neymar nuk bëri pothuajse asgjë, por brazilianët, që e adhurojnë, ishin gjithsesi të lumtur.
Në tribunë për ta parë ishte e gjithë familja e tij: djali David Lucca, 15 vjeç, që jeton me nënën e tij Carolina; bashkëshortja Bruna me vajzat e vogla Mavie dhe Mel (mes lindjes së tyre erdhi në jetë edhe një vajzë tjetër, Helena, nga një lidhje e fshehtë me modelen Amanda Kimberlly; Bruna ishte shtatzënë me vajzën e dytë, por e fali dhe tani pret edhe një vajzë tjetër nga Neymar).
Pra, situata e tij sentimentale është e ndërlikuar. Megjithatë, Cintia Barlem, e konsideruar si “Diletta Leotta e televizionit brazilian”, ka treguar se me të “zakonisht të gjithë futbollistët provojnë haptazi të flirtojnë. I vetmi që është sjellë gjithmonë si zotëri është Neymar”.
Në fushë ai nuk e ka zgjidhur kurrë dilemën mes “Neymaradona” dhe “Neymarketing“, mes kampionit të vërtetë dhe fenomenit mediatik. Në të vërtetë, ai ka qenë të dyja. Një futbollist i madh dhe një talent i papërmbushur.
Ai e ka jetuar jetën si një spektakël. Modeli i tij ka qenë Justin Bieber. Në Instagram publikon fotografi kur zgjohet dhe para se të flejë, kur është duke drejtuar makinën apo kur stërvitet. Të shpeshta janë edhe mesazhet e dashurisë për nënën e tij Nadine.
Ka dhjetëra sponsorë, disa prej tyre ekskluzivë. Madje ka pasur edhe një sozi, Victor Martins, i cili fitonte 7 mijë euro në muaj duke marrë pjesë në festa i veshur dhe i kuruar si Neymar. Kishte gjithashtu një parukier personal, Cosme Salles, i cili patentoi modelin e flokëve “Neymar”.
Në atë kohë reagoi Pelé:
“Mendoja se do të ishte trashëgimtari im, por gabohesha: është gjithmonë përtokë! Mendon vetëm për modelin e flokëve!”
Ai ka edhe një fondacion që mban emrin e tij dhe ka dhuruar filtra për ujë të pijshëm në favelat e Rio de Janeiros dhe São Paulos. Ka një psikolog personal, truprojë, një reper, McCosme. që i ka kushtuar një këngë, si edhe një teze që quhet Joana d’Arc, një emër që korrespondon me Zhan D’Arkën.
Kur luante te Barcelona, ai ftoi miqtë e fëmijërisë dhe publikoi një fotografi ku shfaqeshin të gjithë së bashku në bordin e një avioni të marrë me qira nga këngëtari Julio Iglesias.
Ai ishte vetëm katër muajsh kur i mbijetoi një aksidenti të rëndë automobilistik: makina kishte mbetur në buzë të një gremine, dera ishte hapur, prindërit ishin të dëshpëruar; foshnja kishte përfunduar poshtë makinës, i mbuluar në gjak, por pa asnjë dëmtim. Familja, natyrisht, ia atribuoi shpëtimin ‘ndërhyrjes hyjnore’.
Ai ka frikë nga avioni dhe, para çdo ngritjeje, lutet. Protestant ungjillor, është i bindur se Zoti lexon në zemrën e tij dhe se ishte Ai që i tregoi fillimisht rrugën drejt Barcelonës, më pas Parisit, pastaj Arabisë Saudite dhe në fund kthimin në Brazil, te Santos. Megjithatë, njeriu që ka pasur gjithmonë fjalën e fundit në familje është babai i tij.
Nga afër dallohet qartë tatuazhi që ka në qafë: “Tudo passa”, që do të thotë “Gjithçka kalon”. Çdo gjë rrjedh, çdo gjë largohet. Edhe Kupa e Botës, edhe futbolli.
Për Neymarin kjo mund të jetë mundësia e fundit e madhe. Carlo Ancelotti mund të presë; ai jo.
Brazili deri tani nuk ka bërë mrekulli. Ndërsa Japonia është një skuadër e fortë, e organizuar mirë, nga ato ekipe që për t’i mposhtur duhet të jesh më i fortë.
Por Brazili, natyrisht, është më i fortë. Dhe në një Botëro, sidomos në një të zhvilluar në kontinentin amerikan, Brazili konsiderohet mes favoritëve… me të ‘drejtë hyjnore’.







