Nga Rezenbrik SERJANI
-Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë-
Kur terreni vlonjat prodhon vlonjatë të zotë, që e duan Vlorën dhe kanë zgjedhur të punojnë për të. Ky qytet krenar, sa dhe i vështirë, jep shembullin e parë se si politika lokale,
mund të kthehet në objekt frymëzues për rrethet e tjera dhe qendrën.
Dhe këtë shkrim modest, shumë dashamirës, e kam zgjedhur t’ia dedikoj një vlonjati të mirë, një politikani të ri që e do dhe përfaqëson Vlorën më së miri, pa u shkëputur asnjë orë nga ky qytet i ashpër, po aq sa edhe krenar, kur vjen fjala te politika. Dhe këtu fjalën e kam për Atird Hoxhën, vlonjatin demokrat 24 karatësh, një mik të mirë, një demokrat të nderuar, një vlonjat të mirë, një familjar dinjitoz dhe një qytetar që e nderon Vlorën.
Sot dua të shkruaj për Tirdin, si politikan dhe vlonjat të mirë. Qëllimi im është ai i dritëzimit të një djali që karrierën politike e ka filluar në Partinë Demokratike të Vlorës, duke u rritur, burrëruar e pjekur politikisht në atë godinë, si modeli më i mirë i një të riu që rritet në një familje politike, i pandarë për asnjë çast prej saj dhe për të cilën punon, lufton dhe drejton me dinjitet.
Nuk e theksova rastësisht këtë fakt, por e solla edhe si model udhërrëfyes për të rinjtë si unë dhe bashkëmoshatarët e mi brenda kësaj strukture politike. Tirdi futet te djemtë që janë rritur me Partinë Demokratike dhe e kanë nisur, siç thonë shumë demokratë të vjetër, “me tuta të shkurtra” në Forumin Rinor dhe më tej në strukturat e tjera drejtuese e përfaqësuese të saj.
Ai asnjëherë nuk e ka braktisur Partinë Demokratike, qofshin në ditët e saj të shkëlqimit, kohërat e vështira, kohët e turbullta apo edhe vitet e vështira të rithemelimit, kur PD kaloi një situatë të vështirë ekzistenciale. Përkundrazi, ishin pikërisht këto vite që dëshmuan demokratët e vërtetë, qëndrestarët dhe dinjitetin e tyre, ku Tirdi, pa hezitim, në vitin 2022 mori me kurajë drejtimin e PD-së në Vlorë, ku, së bashku me qindra demokratë të tjerë, e mbrojtën PD-në nga lufta e saj e vështirë, që shkoi deri në rrezikune ekzistencës.
Angazhimi i tij i hershëm, ku spikati në zgjedhjet e vitit 2005, si një i ri që të ardhmen do e kishte të ndritur, duke vazhduar pa ndalur në çdo aksion të Partisë Demokratike; theksoj zgjedhjet e vitit 2021 si drejtues dinjitoz fushate, dhe vitet pos 2022, ku në rrymrat e vështira të rithemelimit mori drejtimin e PD Vlorë. Drejtimi i degës, e theksoj, në kohëra të vështira, në një bashkëpunim të vyer me drejtuesin politik dhe deputetin Bujar Leskaj e shumë qëndrestarë të vërtetë demokratë, si dhe me kryetarët e PD Vlorë, Hysni Sharra e Nada Meçorapaj, mbrojtën, ruajtën e ngritën vlerat e Partisë Demokratike në Vlorë, si shembull i drejtuesit vizionar e me kurajo.
Qëndrimet e tij dinjitoze në Këshillin Bashkiak, denoncimet me karakter të fortë ( sjellë në vëmendje se në zgjedhjet e vitit 2023, ishte Tirdi që denoncoi me zë dhe figurë 35 drejtora lokalë në qytetin e Vlorës, duke i kallëzuar në prokurori për krime elektorale) e kanë shndërruar Tirdin në një fenomen kombëtar të mbrojtjes së kauzave opozitare, si një model i virtytshëm i oponencës ndaj së keqes dhe padrejtësive që i bëhen çdo ditë qytetit. Ai ka ditur të jetë zëri i çdo qytetari vlonjat në Këshillin Bashkiak, aty ku çdo qytetar i Vlorës e gjen veten, sepse Tirdi ka ditur të përfaqësojë me ndershmëri, drejtësi, kurajë dhe pa asnjë kompromis interesin qytetar.
Qëndresa e tij gjatë viteve të fundit është shndërruar në një model kombëtar të mbrojtjes së interesit të Vlorës së tij. Jemi mësuar pothuajse gjithmonë që aksioni politik të jetë pasqyrë e një metode nga politika qendrore tek ajo lokale. Por çfarë ndodh kur strategjia e të bërit politikë ndjekin rrugën e kundërt? Atëherë politika lind si risi në rrethe, ndërtohet mbi përvojën lokale dhe më pas merret, përvetësohet dhe shndërrohet në referencë, me ose pa vullnetin e politikës qendrore. Pikërisht këtë model përfaqëson edhe Tirdi me veprimtarinë e tij, si zë i shkëlqyer i politikbërjes në Vlorë, në mbrojtje të interesit vlonjat.
Si mik, është një njeri prej të cilit gjithmonë ke çfarë të mësosh dhe tek i cili gjen mbështetje, kurdo dhe kudo. Di të respektojë dhe të nderojë çdo mik. I qetë, i matur dhe rigoroz, me mirësjelljen e tij të bën të ndihesh i vlerësuar dhe i respektuar.
Ai mbart vlerat e një familjari model, me një familje të shëndoshë dhe të konsoliduar, duke kultivuar çdo ditë modelin e qytetarit të mirë dhe të familjarit të rregullt. Qytetar dinjitoz, familjar shembullor dhe politikan i pjekur, Tirdi spikat për aftësitë e tij të shkëlqyera profesionale, talentin e padiskutueshëm organizativ, autoritetin intelektual dhe mprehtësinë politike.
Për një mik të mirë, për një qytetar të nderuar, për një qëndrestar e politikan të zotin, gjithmonë fjalët janë të pakta.
Të dashur anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, nesër zgjidhet Kryesia e re e PDSh-së, organi më i lartë ekzekutiv i forcës sonë politike. Këto zgjedhje vijnë në kohë e momente me rëndësi të madhe kombëtare. Si një i ri, si vlonjat, si demokrat, si anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSh-së, ju ftoj të mbështesni modelin e politikanit të ri e kurajoz, të opozitarit me karakter të fortë, Atird Hoxha.







